Shënime në Blog

Politika nuk është më art, por vetëm teknikë

Politika nuk është më art, por vetëm teknikë

“Politika është kthyer në teknikë, nuk është më art. Qytetarët e ndjejnë se nuk mund tëjenë pjesë e debatit publik dhe e zgjidhja e vetme që marrin në konsideratëështë vota e protestës.”

Në ditët që pasuan zgjedhjet lokale të cilat certifikuan pakënaqësinë në rritje ndaj votës për shumë prej italianëve, dhe në një qytet që arriti rekordin negativ të pjesëmarrjes, duket veçanërisht tërheqëse prezenca e Lea Ypit, e lindur në Tiranë në vitin 1979 dhe profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics, në Bienalen e Demokracisë.

Nga vjen kjo rritje e mosbesimit karshi politikës?
Prej një krize përfaqësimi e cila i detyrohet shkëputjes që qëndron mes vendimeve gjithmonë e më të rëndësishme që merren në selitë gjithmonë e më të veçuara nga mekanizmat e legjitimitetit kombëtar. Shumë prej krizave që po përballemi në ditët e sotme kanë karakter global që kërkojnë ndërhyrjen e koordinuar të vendeve të ndryshme (kihet parasysh Bashkimi Europian) dhe që gjithmonë e më shpesh marrin vetëm zgjidhje të natyrës teknike pa një thellim të mjaftueshëm demokratik. Zgjedhjet janë zvogëluar thjesht në një ushtrim abstrakt, që as pararenden dhe as nuk ndiqen nga një debat thelbësor. Partitë politike e kanë humbur natyrën e tyre “politike” dhe janë reduktuar në grupe të thjeshta interesi. Qytetarët, të privuar nga vendet ku mund të marrin pjesë e të ndërveprojnë, ndjejnë se i vetmi zë i mundshëm është vota e protestës që i thur lavde të shkuarës apo demonizon të ndryshmin, në vend se të bëhen përpjekje të përbashkëta lidhur me të ardhmen.

Në ç’kuptim demokracia mund të lindë nga konflikti?
Në shoqëritë moderne, mosdarkortësia mes individëve me këndvështrime të ndryshme është e pashmangshme sepse mungon respektimi i njëtrajtshëm i vlerave tradicionale të familjes, të fesë apo identifikimi me të njëjtin komunitet politik. Sfida qëndron në gjetjen e një mekanizmi që na lejon të hymë në marrëdhënie me të tjerët në mënyrë që këto mosmarrëveshje të artikulohen publikisht përmes platformave të shkëmbimit politik, që promovojnë qëllime racionale dhe në shërbim të së mirës për të gjithë. Demokracia përfaqësuese është thelbësore sepse është mënyra e vetme për të lidhur vullnetin e individëve të veçantë me momentin e krijimit dhe aplikimit të ligjeve, duke i bërë po të njëjtët qytetarë jo vetëm subjekte të pushtetit detyrues nga ana e shtetit, por agjentë që kontribuojnë në zhvillim. Thelbësorja në këtë moment është ta artikulojmë demokracinë në një mënyrë të re përtej limiteve që i janë vendosur nga shtetet-komb.

Si nisi mënjanimi nga ana e shoqërisë civile?
Duhet të shohim se çfarë kuptojmë me shoqëri civile. Nëse e përkufizojmë si një rrjet grupesh që zënë një vend të ndërmjetëm mes individëve, familjes dhe shtetit, atëherë duhet thënë se bota e shoqërisë civile është e shumëllojshme dhe jo e gjitha është larguar nga politika. Për shembull grupet e presioneve ekonomike (grupet lobuese), janë më afër se kurrë më parë me politikën. Nuk është vetëm një fenomen i botës perëndimore, por mendoj se përgjigjet ndaj krizave dhe burimet që mund tëgjenerohen gjatë përballjes varen thelbësisht nga kultura lokale politike dhe nga niveli i angazhimit civil. Ky sigurisht ndryshon nga njëri vend në tjetrin.

A mund të ekzistojë një udhëheqje e “paanshme”?
Në fushën politike mendoj se paanshmëria nuk ekziston, është një lloj fshehjeje ideologjike, që synon atribuimin e shkaqeve të vendimeve të veçanta politike, madje edhe atyre më problematike, forcave të pavarura nga vullneti njerëzor. Vitet e fundit, qeveritë shpesh i janë drejtuar politikave emergjente për të zbatuar vendimet pa nivelin e duhur të debatit demokratik dhe politik. Është një formë e rreme e paanësisë, e cila fsheh imponimin e arsyetimit që vjen nga më i forti.

Përse është e rëndësishme të deklarohemi “në anë”?
Është e rëndësishme si shprehje e një angazhimi politik që nuk ndalet tek individi por lejon identifikimin me të tjerët, mundëson njohjen e një historie të përbashkët dhe mësimin nga pësimet e së shkuarës, si edhe punën për të ardhmen. Por të jesh në një anë nuk nënkupton aspak të jesh i paanshëm. Anësia e vërtetë është ajo që promovon vizione të ndryshme politike të cilat justifikohen nga një ide e paanshme të asaj që mund të kontribuojë në të mirën publike.

Kur shndërrohet në abuzim?
Besoj se përkatësia partiake duhet të angazhohet për promovimin e së mirës publike. Të qenurit i njëanshëm mund të kontribuojë në demokraci kur pjesëmarrësi përpiqet të artikulojë pikëpamjet e tij brenda vizionit të së mirës publike, që do të thotë një vizion që nuk synon avancimin e interesave vetjake, ose interesave të grupit të tij të përkatësisë (familjes, klasës ose shtetit...), por që tregon se si kjo kontribuon në zhvillimin e një të mire të përbashkët për gjithë njerëzimin.Kur vizione të caktuara për të mirën personale shkojnë në dëm të së mirës të përbashkët, të qenurit i njëanshëm zvogëlohet në fraksionalizëm. Mosmarrëveshjet politike, në vend që të promovojnë këtë të mirë të përbashkët, shkatërrojnë themelet e saj. Demokracia mund të mbijetojë vetëm nëse, së bashku me promovimin e paragjykimeve, promovohet një vizion po aq i qartë i bazave morale universale të pjesëmarrjes politike.

Pra cili model është më i frytshëm për një rritje të shëndetshme të shoqërisë?
Besoj se është thelbësore eliminimi i pabarazive, i pushtetit, i parave apo i statusit social që krijojnë asimetri të rrezikshme të cilat e cënojnë cilësinë e demokracisë dhe pengojnë zhvillimin e një shkëmbimi produktiv politik. Bota e globalizuar është botë e karakterizuar nga dinamika politike dhe ekonomike në të cilën shkëmbimi i mallrave është më i rëndësishëm se dinjiteti i qenieve njerëzore dhe në të cilin institucionet politike manipulohen nga ato ekonomike dhe degjenerojnë në fraksione apo grupe interesi. Vetëm pasi të eliminohen këto asimetri të pushtetit, do të jetë i mundur shkëmbimi i vërtetë politik dhe një demokraci e denjë për emrin e saj.Vetëm atëherë mosmarrëveshjet midis palëve, në vend se të jenë një burim korrupsioni në sferën publike, mund të bëhen një burim që kontribuon në promovimin e një ideali të shkëmbimit demokratik, për fat të keq shumë larg praktikave aktuale.

*E lindur në Tiranë, Lea Ypi është profesoreshë në London School of Economics, si edhe në Research School of Social Sciences, Australian National University. Ajo është diplomuar për filozofi dhe letërsi në La Sapienza të Romës. Intervista për “Corriere Della Sera” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

*Tiranapost.al.