Shënime në Blog

Njeriu nuk kënaqet duke rezistuar

Njeriu nuk kënaqet duke rezistuar

Nga David Quammen/ Duket shumë e vështirë të bësh parashikime mbi ngjarje të rastësishme, fenomene natyrore dhe mbi paqartësinë e sjelljes njerëzore. Është e vështirë, për shembull, të parashikosh një zjarr në pyll. Mund të dimë se ka pasur thatësirë të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, se kjo gjë ka tharë pyjet dhe i ka bërë drunjtë po ashtu shumë të thatë dhe një shekull masa të pasakta kundrazjarrit duke lënë akumulimin e pemëve të thara, në tokë apo ende në këmbë, të cilat mund të ushqejnë zjarret e mundshme. Megjithatë, nuk e dimë kur një shkëndijë do të ndezë një zjarr të vogël dhe nuk e dimë nëse mund të vihet nën kontroll përpara se të përhapet.

E përsëris: nuk e dimë kur, por e dimë që do të ndodhë. E njëjta gjë ndodh edhe më pandemitë, me Covid-19 në veçanti.

Shkencëtarët që studiojnë sëmundjet infektive e dinin se kjo gjë ishte duke ardhur. Funksionarët e shëndetit publik, që i dedikohen kontrollit të sëmundjeve infektive e dinin se ishte rrugës. Liderët politikë kishin marrë paralajmërime, por disa prej tyre, në veçanti Presidenti sipërfaqësor dhe mendjelehtë i vendit tim, i Shteteve të Bashkuara, injoruan këto paralajmërime.

Pse? Sepse të përgatitesh është ralativisht e shtrenjtë dhe asnjë nuk mund ta thotë saktësisht se kur do të vërtetohet një pandemi, vala globale e një sëmundjeje vdekjeprurëse për njerëzit. Po nëse kjo pandemi nuk do të vinte përpara tetë vitesh dhe politikani cinik që e kishte llogaritur, pa imagjinatë dhe egoist, nuk do të ishte më në detyre? Mund të ketë zgjedhur të evitojë kostot për të qenë gati. Një logjikë kaq miope shpjegon më shumë se çdo gjë tjetër pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin kaq të papërgatitura përballë Covid, aq sa tashmë mbajnë kryesimin botëror për rastet dhe vdekshmërinë.

Përtej së gjithave, siç shohim, kostot për t’u përgatitur janë minimale përballë kostove të një pandemie. Vende të tjera, kanë vuajtur tmerrësisht për shkak të Covid-19. Majat e sëmundjes, dhembja, vdekjet dhe shkatërrimi ekonomik ishin rezultat i zgjedhjeve politike të paparashikueshme apo thjesht fat i keq? Ia lë përgjigjen kujt e njeh mirë se si shkuan gjërat në vendin e tij. Shkaqet dhe forma e mundshme e kësaj pandemie ishin të dukshme shumë kohë para se të ndodhte. Dhjetë vjet më parë, ndërsa bëja kërkime për librin tim “Spillover” (botimi anglisht u publikua në 2012) pyeta shumë shkencëtarë të specializuar në epidemi nëse po vinte një pandemi e madhe dhe si do të shfaqej.

E quajtëm “Next Big One”. Ishin të gjithë në një mendje dhe përgjigjeshin “Po”, në një të ardhme të afërt do të vinte një “Next Big One”, një pandemi e madhe. Do të shkaktohej nga një virus i ri, që më parë nuk ishte konsideruar si agresiv ndaj njerëzve. Çfarë tipi? Me siguri një grip, ose një koronavirus, sepse virusët e të dyjave këtyre familjeve kanë aftësi të mirë përshtatëse dhe në të shkuarën kanë treguar se janë të afta për t’i infektuar qeniet njerëzore. Ky virus do të vinte nga një kafshë e egër. Me fjalë të tjera, do të ishte një zoonozë, një sëmundje kafshësh e transmetueshme tek njeriu. Nga çfarë lloj kafshe e egër do të vinte? Më shumë gjasa nga një lakuriq nate. Në cilat rrethana do të ndodhte? Në situata në të cilat njerëzit do të viheshin në kontakt me kafshët në mënyrë shkatërruese, për shembull duke i gjuajtur dhe duke i transportuar ato në një “treg të gjësë së gjallë”. Ku mund të ndodhte? Ndoshta në Kinë.

Gjithçka është e shkruar në libër. Jo sepse unë isha parashikues, por sepse shkencëtarët me të cilët u konsultova dinin të lexonin sinjalet. Më shumë se 60% e sëmundjeve infektive njerëzore bëjnë pjesë në këtë kategori, në kategorinë e sëmundjeve zoonozike. 40%-shi i mbetur është një lloj zoonoze në një kuptim më të gjerë: në ndonjë moment të së shkuarës së largët, një virus apo një bakter apo ndonjë tjetër lloj agjenti infektiv ka kaluar nga fauna e egër te njerëzit. E gjitha ka një origjinë kafshërore dhe ne njerëzit jemi një specie relativisht e re, jemi kafshë, e kështu i marrim sëmundjet nga kafshët e tjera. 

Shekullin e kaluar situata ndryshoi drastikisht. Njëqind vite më parë, në kohën e pandemisë gripale të vitit 1918, popullsia njerëzore numëronte më pak se 2 miliardë njerëz. Sot jemi thuajse tetë miliardë. Në vetëm njëqind vjet jemi katërfishuar, kemi ardhur në pikën që jemi më të shumtë se çdo lloj kafshe me përmasa të mëdha që ka jetuar ndonjëherë në Tokë, siç rezulton edhe nga studimi i fosileve. Dhe me inteligjencën tonë, me teknologjinë, me lakminë dhe nevojat tona, shkaktojmë tronditje kurrë të ndodhura më parë në pjesën tjetër të botës natyrore. Çdo zgjedhje që bëjmë - çfarë hamë, si vishemi, sa udhëtojmë, sa fëmijë kemi (nëse kemi) - përkthehet në transferimin e burimeve nga natyra tek ne. Duke përdorur këto burime, ne gjithashtu vihemi në kontakt me viruse që gjenden tek kafshët e egra.

Dhe kur një virus i ri gjen viktimën e tij të parë njerëzore, nëse është i transmetueshëm, nëse mund të përhapet përmes një kolle, një tështime, duke kënduar në kor ose madje edhe thjesht duke folur, ai mund të kalojë nga njeriu në njeri dhe të xhirojë botën me shpejtësinë e një aeroplani. Mund të shkaktojë shkatërrim global, të shkatërrojë ekonomitë, të prishë jetën e komunitetit, të sjellë dhimbje dhe vdekje për miliona ose miliarda njerëz.

Kjo është historia e re njerëzore, historia e re e jetës në Tokë që tregojnë shkencëtarët, të cilën politikanët preferojnë ta injorojnë dhe që shkrimtarët e të gjitha formave letrare – narrativë, poezi, teatër madje edhe eseistikë që kërkon të kombinojë shpjegimet shkencore me narrativën – duhet të përballen.

Në fjalimin e pranimit të çmimit Nobel në vitin 1949, romancieri amerikan William Faulkner (mbi të cilin punova temën e diplomës, shumë kohë përpara se të bëhesha një shkrimtar që merret me shkencën) tha, në mënyrë të paharrueshme, se edhe nëse në ato kohë të Luftës së Ftohtë disa parashikonin fundin e njerëzimit, ai refuzonte të pranonte një vizion kaq shkatërrimtar. Mendonte se “njeriu jo vetëm që nuk do të kënaqet duke rezistuar, por do të mbizotërojë”.

Nëse Faulkner do të mundej të na shihte tani, do të kuptonte besoj se njerizmi ka mbizotëruar shumë mirë. Hapësira e tij e dashur e Misisipit, vendet ku ai ka vendosur histori të paharrueshme si “Ariu”, janë shndërruar në toka për kultivim soje. Pylli i madh për të cilin ai shkroi në një koleksion të përrallash gjuetike, është bërë një sërë pyllëzimesh të vogla. Në pjesë të tjera të planetit, njerëzimi jo vetëm që ka rezistuar, por ka mbizotëruar në mënyrë hegjemonike. Kemi dominuar peizazhet. Fatkeqësisht, kemi pushtuar shkretëtirën. Dhe ndërsa ne vazhdojmë të shkatërrojmë pyjet, të rimarrim tokat për të korrat tona, të hamë gjallesat e egra, një formë tjetër e jetës do të mbizotërojë gjithashtu: viruset. Në fund, mund të jemi ne kundër tyre.

Para se të arrijmë në atë pikë, ajo që mund të na shpëtojë nuk është vetëm inteligjenca jonë shkencore dhe aftësia teknologjike, por, nëse e kemi, mençuria jonë. Ne jemi krijesa inteligjente, madje edhe më të zgjuara se viruset. Ndryshe nga ata, ne kemi aftësinë për të përdorur vetëkontrollin. Pyetja e madhe është nëse do t’ia dalim.

*David Quammen është gazetar shkencor dhe shkrimtar amerikan, autor i 15 librave. Artikujt e tij janë botuar në “National Geographic”, “New York Times”, “New Yorker” etj., ndërsa në vitin 2013 shkroi librin e suksesshëm “Spillover” ku me të dhëna shkencore parashikonte brenda dekadës shpërthimin e një epidemie globale. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.