Shënime në Blog

Një Gjon për t’u njohur dhe një muze për t’u vizituar

Një Gjon për t’u njohur dhe një muze për t’u

Nga Erjon Uka/ Në të pavetëdijshmen, thuajse gjithmonë ndërlidh emra njerëzish me natyrën e tyre, karakterin a personalitetin. Me atë ç’ka jeta e tyre përfaqëson. E kështu, i kategorizoj në udhëheqës, flegmatikë, bishtnues, lozonjarë, tradicionalë, të shkarë, lakenj, të urtë, punëtorë. Ama e vërteta është se ky kategorizim nuk është gjithmonë korrekt. Por fundja, siç e thashë, është thjesht e pavetëdijshmja. Po të mos ishte e tillë, do të kish tjetër emër.

Për shembull, emrin Gjon gjithmonë e ndërlidh me luftëtarë. Me njerëz që ecin drejt, me zë të kumbueshëm, trupmëdhenj, me sy të thellë dhe sigurisht me mustaqe. E kështu mund të bëj kategorizime pa fund, në bazë të emrave, përcaktoj tiparet. Lojë e imja me veten. Të njëjtën ndjesi kam pasur edhe kur kam dëgjuar për Gjon Milin. Aq më tepër, që mbiemrin e ngatërroja me “Milli”, pra në kuptimin e këllëfit metalik a prej druri ku luftëtarët fusnin shpatën e tyre.

Por Gjon Mili ishte një tjetër lloj luftëtari: luftonte me kohën, me çastin dhe me dritën. Për ata që nuk e njohin, është një ndër fotografët më të mëdhenj me origjinë shqiptare, i njohur për bashkëpunimin me revistën “Life” dhe me dhjetëra piktorë, shkrimtarë e këngëtarë, ku më i njohuri është Pablo Picasso. Por edhe Salvador Dali, Edith Piaf, Federico Fellini, Henri Matisse, Igor Stravinsky e dhjetëra të tjerë.

I lindur në Korçë dhe emigruar përkohësisht me familjen në Rumani, rreth të njëzetave takohet me Faik Konicën në Shtetet e Bashkuara. Është nga ato momente që të vijnë një herë në jetë: të takosh dikë që të tregon rrugën, të nxit pasione, të jep një mendësi të tjetër duke të bërë të shohësh ato gjëra që i ke pasur para syve, por që thjesht nuk i ke vënë re ndonjëherë. Konica i nxit Milit pasionin për artin dhe kinematografinë, duke bërë që krahas studimeve për Inxhinieri Ndriçimi në një prej universiteteve ku edhe sot shumë e kanë ëndërr të studiojnë, në Institutin Teknologjik të Massachusetts, Mili të gjurmojë edhe pasionin e tij për fotografinë.

Ndër të parët që përdori pajisjet dhe dritën stroboskopike për të kapur një sekuencë aksionesh në një fotografi të vetme, emri i tij u bë i painjorueshëm pas fotografisë së famshme së Pablo Picassos: piktori vizatoi në ajër, Mili e fotografoi vizatimin e tij. Gazetat shkruan që Mili i vodhi Picassos një pikturë që ai kurrë nuk do ta ketë. Mjafton vetëm një kërkim i thjeshtë në Google me fjalët kyçe “Gjon Mili, Picasso” për të gjetur fotografinë e famshme për të cilën po shkruaj.

E kush e do ta ketë edhe vetë një fotografi të tillë, mund ta realizojë në muzeun kushtuar Gjon Milit në Korçë, në qendër të qytetit, në kryqëzimin e rrugës “Konferenca e Pezës” me bulevardin “Shën Gjergji”. Aty ku sigurisht, kushdo që ka vizituar Korçën, ka kaluar të paktën disa herë.

E konceptuar si një hapësirë me dy pavione, nuk është thjesht muze, por një homazh ndaj një artisti korçar e botëror, që megjithëse u largua shumë i vogël nga toka e të parëve, emrin e shkroi gjithmonë siç prindërit ia kishin vënë: Gjon Mili, sepse “në shqip, shkruhet siç shqiptohet”, do të thoshte ai. Dy herë kërkesa për të vizituar Shqipërinë iu refuzua. Shqipërinë nuk mundi ta vizitonte dot kurrë, pasi u nda nga jeta në vitin 1984. Ka qenë ky mallkimi për shumë shqiptarë të mëdhenj!

Një muze i veçantë në llojin e tij, ai i Gjon Milit bën bashkë veprat më të mira, fotografitë më të arrira dhe punët më të veçanta, së bashku me jetën përshkruar nga pjesët e shkruara nga ai vetë në librin “Photographs and Recollections” apo përmes fjalëve të të mëdhenjve të tjerë, si Jean-Paul Sartre, i cili në tekstin e hapjes së ekspozitës vetjake të Milit në Paris, shkroi se “Çdo fotografi e tij është një provë, një përpjekje. Për Milin, mënyrat për të fotografuar janë të shumta, sa edhe njerëzit”.

“Brilant ky Mili!”, mendon kur kalon fotografi pas fotografie, e rrëfim pas rrëfimi në murin e muzeut në Korçë. I ndjerë pak në faj, që nuk ke ditur më shumë për këtë Gjon, që kërkonte të ndalte kohën e fotografitë të mos ishin thjesht shkrepje, por përjetime të shumëfishta brenda një kuadri, që çdo pengesë e shihte si fillimin e një mundësie të re apo që kurrë nuk pranoi të punonte me angazhim të plotë për revistën “Life”, por preferoi të ishte i lirë me aparatin e tij. Por ndihesh edhe i ngopur me një kënaqësi të hollë artistike për të rejat që mëson.

Kështu që për ata që ende nuk e kanë vizituar, apo ende nuk dinë shumë për një prej shqiptarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, tashmë në udhëtimin e radhës drejt Korçës kanë një Gjon për të njohur dhe një muze për të vizituar.

*Tiranapost.al.