Shënime në Blog

Nëse ekziston ende një shpëtim, do të na vijë nga arsyeja

Nëse ekziston ende një shpëtim, do të na vijë nga

Racionaliteti është i rrethuar nga post e vërteta, nga paragjykimet dhe mungesa e besimit te institucionet që duhet të analizojnë faktet dhe të paraqesin ofertën e një versioni të përbashkët të realitetit. Psikologu i Harvardit, Steven Pinker, i vjen në ndihmë arsyes me “Racionaliteti - një busull për t'u orientuar në botë”, një ese ku ai trajton temat e disa prej mësimeve të tij që flasin për statistikat, probabilitetin dhe psikologjinë, po aq sa për kulturën e anulimit dhe rolin e medias. Me një këndvështrim optimist për progresin.

Ju shkruani se “racionaliteti buron nga një komunitet njerëzish që arsyetojnë dhe që dallojnë gabimet e njëri-tjetrit”. Mendohet se rrjetet sociale do të krijonin pikërisht këtë platformë. Çfarë nuk shkoi siç duhej?
Nuk u zbatuan rregullat e përshtatshme për lindjen e një komuniteti racional. Në rrjete sociale inkurajohet amplifikimi i gjërave momentale, jo verifikimi. E kundërta ndodh në Wikipedia, ku një komunitet jo-fitimprurës që nuk varet nga likes dhe që vlerëson çfarë publikohet, ekziston një angazhim i vërtetë për objektivitetin dhe për të vërtetën, sepse reputacioni i platformës varet nga saktësia, jo nga popullariteti. Nuk mjafton të kesh kanalet e komunikimit. Kur lindi shtypi, në gazetat e para u përhapën shumë lajme të rreme dhe marrëzi për jetën në Mars dhe për përbindëshat me dy koka në Mesdhe. Vetëm kur redaksitë zbatuan kodet e etikës gazetareske dhe kontrollin e fakteve, gazetat u bënë një medium që promovon racionalitetin, duke e përqëndruar reputacionin e tyre te saktësia dhe jo te historitë e sajuara.

Çfarë roli mund të luajnë bota akademike, shkenca, gazetaria, qeveria dhe sistemi ligjor në frenimin e ideve të paarsyeshme konspirative?
Ngritja e besimit tek institucionet përgjegjëse si agjencitë qeveritare, gazetat dhe universitetet është diçka e rëndësishme. Shumica duhet të ketë besim te burimet që zbulojnë komplotet e rreme. Por nëse këto institucione perceptohen si të krahut të majtë politik, do të tjetërsojnë njerëzit që janë të djathtë. Dhe anasjelltas. Prandaj duhet të ketë një përkushtim të dukshëm ndaj objektivitetit, neutralitetit dhe të vërtetës. Është e nevojshme të shpjegohet përmes të dhënave se përse besohet te gënjeshtra e komploteve. Sigurisht që nuk do të funksionojë gjithmonë sepse ka nga ata që e lidhin fort identitetin e tyre me një komplot dhe s’do të heqin dorë kollaj. Kundër-argumentet funksionojnë me ata që ende mund të binden nga faktet reale, sepse nuk identifikohen plotësisht me komplotet, por janë të gatshëm të dëgjojnë. Me kalimin e shekujve është ulur numri i njerëzve që besojnë te mrekullitë, ndërsa është rritur numri i atyre që besojnë në realitetin shkencor dhe prandaj ka shpresë.

Problemi me gazetarinë është se të paktën për momentin, objektiviteti duket se nuk shet edhe aq shumë. Si i bëhet për të shkuar kundër forcave të tregut?
Gazetarët dhe gazetat duhet të fitojnë dhe këtu s’ka asgjë të gabuar. Por jo me çdo kusht. Ka gazeta dhe media të tjera që tashmë sakrifikojnë numër lexuesish në këmbim të saktësisë duke mos publikuar thashetheme të pabaza dhe duke mbrojtur privatësinë e viktimave të përdhunimit. Prandaj, ata bëjnë zgjedhje që duket se e dëmtojnë gazetën financiarisht, por që janë të favorshme në planin afatgjatë, sepse mbrojnë reputacionin dhe etikën gazetareske. Nuk është e tepërt të kërkosh që media të sakrifikojë një pjesë të fitimeve për të mirën kolektive, përmes më shumë saktësish dhe më pak paragjykimesh.

Po cila është marrëdhënia mes moralit dhe racionalitetit?
Në momentin kur ju hyni në dialog me dikë tjetër dhe mirëqenia juaj varet nga ajo që ai tjetri bën, kjo e kthen moralin, në kuptimin e drejtësisë dhe paanshmërisë, në gjënë më racionale. Nuk mund të këmbëngulësh që dikush të të trajtojë në atë mënyrë që ju nuk jeni të gatshëm ta trajtoni tjetrin. I njëjti reciprocitet i perspektivës është parimi themelor i moralit, ashtu siç është edhe i racionalitetit.

Ju mbështesni idenë se ka një ndikim progresiv drejt racionalitetit. Por duke parë se kombet i nënshtrohen fanatizmit fetar në Azi ose ringjalljen e racizmit dhe fobive irracionale, është e vështirë të besohet se ka pasur përparim të vërtetë...
Fakti që lufta, racizmi, varfëria ekstreme, analfabetizmi dhe sëmundjet ende ekzistojnë, nuk do të thotë se ato po bëhen më të forta. Edhe nëse nuk janë zhdukur, shpesh janë në rënie. Në rastin e besimeve fetare, politikanët më fanatikë shpesh marrin pushtetin, siç ishte rasti me Donald Trump i mbështetur nga protestantët ungjillorë. Por ama niveli i besimeve fetare është ulur.

Ju shkruani se ne nuk kemi evoluar si shkencëtarë me intuitë, por si juristë me intuitë që grinden për të pasur të drejtë, në vend se të ndjekin një të vërtetë racionale. Pse u besojmë përshtypjeve, në vend se të verifikojmë faktet?
Për të njëjtën arsye që nuk arrijmë të heqim dorë nga sheqeri, nga kripa dhe nga yndyrnat. Është shkruar në ADN-në tonë në mijëra vite evolucion. Vetëdija jonë më e mirë shkencore dhe të dhënat më të mira statistikore kemi arritur t’i marrim vetëm në kohët e fundit dhe nuk janë diçka që ka ardhur natyrshëm. Duhet t’i mësojmë në shkolla, duhet të bëhen pjesë e rrjedhshme e bisedave, e leximeve tona, sepse do të mbetet gjithmonë e më e natyrshme t’u besojme anekdodave, tregimeve, imazheve dhe bestytnive të grupeve tona.

*Steven Pinker është psikolog kanadezo-amerikan, njohës dhe mbështës i psikologjisë evolucionale dhe i teorisë llogaritëse të mendjes. Autor i 18 librave, është nderuar me shumë çmime për studimet e tij shkencore dhe për angazhimin publik. Kjo intervistë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.