Shënime në Blog

Me sytë nga shtatori

Me sytë nga shtatori

Nga Erjon Uka/ Shumëçka për situatën që po përjetojmë dhe pasojat që presim do të kuptohet në shtator. Mund të thuhet edhe se ora e së vërtetës vjen tani, por jo vetëm që do të ishte një frazë klishe, por mbi të gjitha në një situatë të panjohur si ajo e pandemisë globale (për të cilën Anthony Giddens thoshte se është dixhi-pandemia e parë në botë) ora së vërtetës mund të jetë kurdo dhe gjithmonë. Çdo orë mund të tregojë të vërtetën e saj, por shtatori mund të na tregojë më shumë.

Së pari, pandemia që nga bërthama e familjes e deri te strukturat shtetërore, u përballua në kushtet e “terapisë së shokut”, ku çdo nismë ishte risi: që te mbyllja totale, vendosja e regjimit me orar, mësimi online, puna nga shtëpia, izolimi mes qyteteve, rregulla të reja spitalore, heqja e muzikës, vendosja e maskës, ndalim udhëtimesh etj. Tashmë ka ardhur koha që të bëhen bilancet.

Nëse gjatë muajve të verës situata pandemike u përballua si inerci e masave të marra më herët, apo përmes arnimeve të rregulloreve dhe buxheteve të kompanive dhe institucioneve shtetërore, tani hymë në fazën ku duhet të planifikojmë realitetin e ri në kushtet e pandemisë.

Shtatori do të tregojë tendencën reale të papunësisë. Deri në muajin qershor rreth 40 mijë persona humbën punën, por në një treg me normë të lartë informaliteti, shifrat duhen parë gjithmonë me një dozë, të paktën të moderuar, dyshimi. Për këtë arsye, Banka Botërore paralajmëronte se të varfrit do të goditen më shumë nga kjo krizë, pikërisht për faktin se shumë punëtorë nga shtresat e margjinalizuara nuk figurojnë në regjistrat shtetërorë.

Shtatori do të tregojë nëse vendimi për hapjen e shkollave ishte i drejtë apo jo. Franca tentoi fillimisht në maj të hapte shkollat, por krijimi i vatrave të reja të infeksionit bëri që të tërhiqej. Gjermania do t’i hapë tërësisht shkollat, por nëse ka shtim të rasteve, është parashikuar mbyllja e tyre. Do të jetë një test i fortë për të parë nëse me të vërtetë mund të kryhet matja e temperaturës së të gjithë nxënësve para se të hyjnë në klasë, shoqërimi i tyre në tualet nga mësuesit, sigurimi i ujit të rrjedhshëm dhe sapunit në çdo shkollë në çdo cep Shqipërie, zhvillimi i mësimit me dritare hapur, mësimi me katër turne apo efektiviteti i orëve nga 30 minuta. Me siguri, rezultat e para do të shërbejnë për të përcaktuar edhe mënyrën e zhvillimit të mësimit në auditorët universitarë, që këtë herë nisin vitin akademik më vonë se zakonisht.

Shtatori do të bëjë bilancet edhe për turizmin. Përtej deklaratave spontane nën zhegun e gushtit nga bregu i Velipojës apo Ksamilit, tani pronarët e strukturave që lidhen me pushimin veror do të kenë me laps e me letër rezultatet e këtij sezoni. Mbi to, duhet të ndërtojnë disa skenarë për vitin e ardhshëm. Mbi to, bizneset e tjera të lidhura me turizmin, do të nxjerrin mësime dhe pësime për ndërtimin e një model-biznesi etik dhe të konsoliduar, që do të mund ta bëjë real sloganin “pusho shqip”.

Shtatori do të tregojë se siguria shëndetësore mund të shoqërohet me rritje të kriminalitetit dhe probleme psikologjike. Sipas raportit kombëtar “Rinia 2020”, rreth 50% e të rinjve thanë se ata apo një familjar i tyre humbën punnë gjatë pandemisë, 60% u përgjigjën se kanë qenë dëshmitarë të rritjes së dhunës në familje, 80% thanë se gratë dhe vajzat ishin viktimat kryesore të dhunës, ndërsa 90% e tyre konfirmuan se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria gjatë pandemisë. Gjithsesi, për të qenë koherentë, edhe në këtë rast për shifrat nuk duhet harruar doza e dyshimit.

Në shtator, me shtimin e numrit të tamponëve të kryer, të të infektuarve dhe me shtimin e dy spitaleve të reja “Covid”, me largimin e shumë mjekëve dhe infermierëve dhe në kushtet e shenjave të para të gripeve sezonalë, do të kuptohen këllqet e sistemit tonë shëndetësor.

Në shtator bankat do të kuptojnë vërtetë nëse situata e krijuar do të sjellë rritjen e transaksioneve online, duke shmangur radhët e gjata në sportel dhe edukimin e shumëpritur të klientëve me “e-banking”. Disa kanë nisur një fushatë serioze për nxitjen e transaksioneve online. Banka e Shqipërisë raportoi se qershori i vitit 2020 krahasuar me 2019, pati një rritje me 15% të numrit të transaksioneve dhe 24% të vlerës së tyre.

Në shtator, pas rikthimit nga pushimet, kompanitë do të nisin hartimin e strategjive dhe buxheteve për vitin e ardhshëm. A do të shkurtohen vendet e punës? Ku do të ulen shpenzimet? Ç’do të ndodhë me punën në distancë? Cilët sektorë do të mbajnë ritmin dhe cilët do të goditen më shumë? Kjo do të kuptohet fare mirë që në shtator.

Në shtator, pushteti qendror duhet ta kuptojë se paketat si trasta të shpejta oksigjeni nuk mjaftojnë. Tani duhet strategjia e vërtetë, jo thjesht për lëmosha sociale, por ndihmë sipërmarrjes. Më siguri borxhi do të rritet, papunësia po ashtu, investimet do të tkurren, biznese familjare do të falimentojnë, bizneset që punën e tyre e bazojnë në marrëdhëniet me jashtë do të pësojnë goditje të fortë: Në këto kushte çfarë do të bëhet?

Jo gjithçka nga këto do të ndodhë fund e krye në shtator. Por shumë sinjale do t’i marrim në shtator. Ndryshimi është i sigurt, por që mos të vijë për keq, duhet të jemi zgjuar. Për të nuhatur sinjalet e para, jo për të vajtuar pasojat përfundimtare.