Shënime në Blog

Mark O’Connell: Menduam për ndryshimin, por tani mezi presim të rikthehemi si më parë

Mark O’Connell: Menduam për ndryshimin, por tani mezi presim të

Çfarë ka ndryshuar nga muaji mars deri më sot?

Ka më pak kohezion social, qytetarët po dëshpërohen. Këtu në Irlandë, në fillim u pranuan plotësisht propozimet e qeverisë, por tani kanë shumë më pak mbështetje. Në mars, pavarësisht gjithë paqartësisë apo terrorit, perceptohej një lloj shpirti revolucionar, kishte një ndjesi që gjërat nuk do të ishin si më parë. Tani duket sikur mezi ç’presim për t’u kthyer në jetën që kishim para Covidit. Për të qenë i qartë, është gjithçka e kuptueshme, është njerëzore: të duash jetën e mëparshme për të shkuar në kinema, në restorant, për të parë miqtë, për të rijetuar normalitetin. Por është e rëndësishme të ruajmë atë ndërgjegjësim që patëm në fillim. E gjej veten në druajtjen e dyfishtë për të cilën Paolo Giornado shkruante në librin e tij “Si përhapet një pandemi”: “Të zbulosh se konstrukti i shoqërisë që njoh është prej letre”, por i druhem edhe faktit që e gjithë kjo “të kalojë pa lënë pas ndonjë ndryshim”, mbi të gjitha tani që virusi ka treguar në mënyrë kaq të qartë padrejtësitë dhe pabarazitë.

Kjo ishte temë qendrore në librin “Notes from an Apocalypse”: vetëm miliarderët mund të aspirojnë për një plan B dhe për ta bërë këtë. Ata përsërisin të njëjtat mekanizma të kapitalizmit pa kërkuar të korrigjojnë padrejtësitë.

Në libër përqëndrohem tek ata që mendojnë se një apokalips, dhe më në përgjithësi periudhat e krizave, përballohen duke mbyllur dyert me çelës, duke u mbrojtur në një flluskë falë parave. Një grup shumë i ngushtë, metaforë se si funksionon bota, se si kapitalizmi të inkurajon të mendosh vetëm në mënyrë individuale dhe jo kolektive. Vetëm një muaj më parë, Kim Kardashian, në pandemi të plotë, ka festuar dyzetë vjetorin e saj në një ishull privat, në një festë të madhe dhe me miqtë që ishin vendosur paraprakisht në karantinë. Po kush prej nesh nuk do të donte ta bënte? Mbi tryezën time të punës ndodhet ende një biletë avioni për në Shtetet e Bashkuara: do të duhej të nisesha me një bursë studimi në Amerikë, por nga muaji mars nuk kam lëvizur nga Dublini. Pastaj ekziston tema që lidhet me krijimin dhe shpërndarjen e pasurisë. Sa është rritur pasuria personale e Jeff Bezos në muajt e fundit? Flasim për miliona e miliona çdo ditë, në dëm të jetesës së të tjerëve, siç janë libraritë apo dyqanet me pakicë. Të pasurit po bëhen më të pasur dhe po gjejnë mënyra jetese që janë të paarritshme për të tjerët.

Çfarë mund të bëjmë?

Mund të duket banale, por para së gjithash, ta denoncojmë. Mekanizmat e kapitalizmit na bëjnë të mendojmë se çdo gjë që ndodh është normale, por nuk është kështu. Pastaj duhen edhe ndërhyrjet shtetërore. Në Irlandë sot sugjerohet që të blihet online. Sigurisht që për shëndetin publik është zgjidhje e mirë, por dyqanet fizike duhet të ndihmohen. Aq më tepër që çështja nuk i takon më vetëm pandemisë: Covidi ka përshpejtuar një proces që kishte nisur tashmë. Muajin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria nisi një fushatë që u sugjeron atyre që punojnë në sektorin e kulturës të drejtohen në fushën dixhitale, në programim. Një mesazh dëshpërues, i rrezikshëm, që nuk merr në konsideratë artin, letërsinë, muzikën dhe nuk i mbështet ato. Edhe ne në Irlandë ndihemi pasardhës të Joyce apo Yeats, por nuk e ndihmojmë kulturën si vendet e tjera, siç bën Gjermania për shembull.

A kanë vështirësi klasat aktuale drejtuese për të rregulluar tranzicionin dixhital?

Po, ekziston një problem. Por nuk është i vetmi. Në Irlandë për shembull deri në qershor patëm në krye të qeverisë një lider relativisht të ri, Leo Varadkar, që ka moshën time por nuk tregoi asnjë mendim revolucionar dhe as vizion. Edhe në Shtetet e Bashkuara do të ishte shkatërrim total nëse do të fitonte Donald Trump, por nuk kam ndonjë shpresë të veçantë në presidencën e Joe Biden.

Pse?

Sepse Biden mund të lexohet si mënyrë për t’u kthyer pas, në normalitet. Në kohën para-Trump. Por bëhet fjalë për të njëjtin normalitet që na çoi te problemi. “Trump nuk reflekton vlerat amerikane”, thonë liberalët. Por është një iluzion. Ajo që bëri Trump, ashtu si virusi në një farë mënyrë, ishte zbulimi i së vërtetës. Një e vërtetë që është pjesë e Amerikës: racizmi, kapitalizmi i tejskajshëm, individualizmi ekstrem. Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rolin e djalit të mirë të botës, që përzienin imperializmin me ndihmën ndaj të tjerëve. Epo Trump u dha amerikanëve mundësinë që ta thoshin hapur: nuk jemi djemtë e mirë. Pas Biden-it qëndron dëshira për t’u kthyer në imazhin para-Trump, në atë tip pushteti dashamirës, por mendoj se edhe vetë pushteti i Shteteve të Bashkuara është ripërmasuar dhe gjithçka është pasojë e një perandorie në fund të supermacisë së saj. Biden është një zgjedhje e sigurt, por përfaqëson thjesht epokën para-Trump, ose në Europë, epokën para-Brexit. Nuk do të na çojë larg. Ka ardhur koha të hapet një debat mbi mënyrën e ndërrimit të mendimit politik. Duhet të flasim për tema si paga minimale universale, për të cilën nuk është folur mjaftueshëm.

A ka pararendës të një lidershipi të ri?

Jo shumë. Ndoshta e vetmja në botën e pasur është Jacinda Ardern, kryeministrja e Zelandës së Re, e cila mori vendime të forta kundër virusit, të tilla si mbyllja e kufijve dhe mori mbështetjen kolektive. Këtu në Irlandë, qeveria nuk dëshiron të marrë përsipër barrën e masave radikale dhe, nëse gjërat shkojnë keq, fajëson qytetarët, të cilët kryesisht janë të kujdesshëm. Kësaj i shtohet edhe një lloj arrogance e Europës.

Për çfarë saktësisht keni fjalën?

Unë nuk e di nëse për një trashëgimi post-koloniale apo për racizëm, ne priremi të mos shikojmë se çfarë ndodh jashtë nesh, ose jashtë Amerikës së Veriut. Për shembull në Azi. Le të themi se nuk e ndajmë mungesën e lirisë së Kinës, por Pekini nuk është i vetmi. Japonia, për shembull, arriti rezultate më të mira se ne me Covidin: midis armëve të saj, përdori gjurmimin efektiv në kohë reale.

Kjo ndodh në kohën kur informacioni po qarkullon më shpejt se kurrë, kur do të duhej të ishte më e thjeshtë të njihje dhe të bashkëndaje me të tjerët.

Jetojmë në një ngopje teknologjike në të cilën premtimet e internetit nuk janë mbajtur. Sot informacionet janë të fragmentarizuara. Shumë marrin si të mirëqenë versionin e gabuar të së vërtetës dhe kjo po përkeqëson edhe reagimet karshi virusit, si inati i padrejtë ndaj mjekëve dhe infermierëve. Duhet të jetë shqetësimi kryesor për muajt e ardhshëm: një tërbim i kanalizuar në drejtimin e gabuar, si në një rreth vicioz, na bën më të eskpozuar ndaj teorive antishkencore. Në kohën që shkruaja “Notes from an Apocalypse” mendoja për lidhjen mes mendimit apokaliptik dhe teorive komplotiste: në të dyja rastet komunikimi i drejtohet qytetarëve që ndihen të pafuqishëm, të cilëve bota u duket shumë e ndërlikuar dhe është më e thjeshtë nëse përballohet me një intuitë të gabuar, me një shpjegim të lehtë. Nuk është një problem i së ardhmes. Që këtu nis kërcënimi ndaj demokracisë. Si rrjedhojë e këtij mekanizmi Trump mund të thotë se zgjedhjet u manipuluan dhe shumë njerëz ta besojnë.

Ju cituat Jacinda Ardern. A do të ishte e dobishme të kishim më shumë gra në role vendimmarrëse?

Vendet që duket se po e përballojnë më mirë virusin drejtohen nga gratë. Kjo nuk do të thotë se gratë kanë diçka unike që kolegët e tyre burra nuk mund ta kenë. Por qasja prej të forti, qoftë nëse bëhet fjalë për Trump në Amerikë apo Boris Johnon në Mbretërinë e Bashkuar, ka qenë dështim i këtij lloji maskilizmi sipas së cilit krizat përballohen nga liderë të fuqishëm dhe të hekurt, që arrijnë të fitojnë çdo gjë vetë. Një fantazi, një mentalitet që na bën keq edhe në burrave që nuk e shohim kështu, përveçse është një rrezik për të gjithë.

A do të ishte po ashtu e dobishme një pjesëmarrje e “gjeneratës së mesme”, pra e tuajës, e dyzetë vjeçarëve?

Po, dikush mund të trembet por e kemi këtë përgjegjësi. Me virusin të moshuarit po rrezikojnë shumë ndërsa më të rinjtë po humbasin shumë nga lëkundjet e sistemit arsimor. Edhe përpara Covidit, në “Notes from an Apocalypse” reflektoja mbi faktin se sa e gabuar është të ushtrosh presion të tepërt mbi ata që kanë lindur pas teje: Fraza si “Ju jeni e ardhmja, ju do të ndryshoni botën”, janë një mënyrë për të abdikuar nga përgjegjësitë. Ne tani po përballemi me kaosin që gjenerata paraardhëse na ka lënë, që te emergjenca klimatike apo pasojat e neoliberalizmit. Nuk mund të shkarkojmë problemet mbi më të rinjtë. Nuk duhet të shkaktojmë dëme të tjera.

Si e vlerësoni performancën e BE-së gjatë pandemisë? Ndiheni europian?

Personalisht po, por nuk e di sa bashkëndahet me të tjerët kjo përkatësi. Këtu në Irlandë asnjë nuk do ta lërë BE-në, por ndodh për shkak të përfitimeve ekonomike. Identiteti europian mbetet ende i vështirë për t’u përkufizuar.

*Mark O’Connell është shkrimtar irlandez, i cili me librin “To Be a Machine” ka fituar në vitin 2018 “Wellcome Book Prize” dhe në vitin 2019 “Rooney Prize for Irish Literature”. Është kontributor në gazetat “The New York Times Magazine”, “Slate” dhe “The Guardian”. Intervista, pjesë e serisë së intervistave mbi efektet e pandemisë në revistën “Sette” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.