Shënime në Blog

Lexuesit do të sigurojnë lirinë tonë

Lexuesit do të sigurojnë lirinë tonë

“Është një javë shumë e ngarkuar, në të vërtetë një muaj i çmendur ky”, tregon Jérôme Fenoglio, drejtor i gazetës franceze “Le Monde”. Aktualiteti francez i muajve të fundit në fakt është i tejmbushur: përveç pikut të pandemisë dhe masave kufizuese, i shtohen edhe atentatet islamike dhe reagimet në Lindjen e Mesme për deklaratat e Presidentit Macron, ligjin e ri mbi “sigurinë globale” apo dhunën ndaj Michel Zecler.

Shtëpia e re e grupit “Le Monde” që përfshin gazetat “Courrier International”, “La Vie”, “Telerama” është një strukturë imponuese më shumë se 22 mijë metra katrorë, me kapacitet për 1600 punonjës mes gazetarëve dhe personelit, 592 prej të cilëve i përkasin vetëm “Le Monde”.

Në mjediset e hapura të gazetës nuk ndihet aspak kriza. Gazetarët janë një resurs thelbësor, thotë drejtori. I punësuar në gazetë tridhjetë vite më parë si gazetar sportiv, Jérôme Fenoglio në vitin 2015 u bë drejtor i saj.

Sipas “Financial Times”, këtë vit mes marsit dhe qershorit, në Shtetet e Bashkuara rreth 38 mijë punonjës të sektorit të informacionit, nga gazetarët te stafi administrativ, kanë humbur vendin e punës ose kanë pësuar një reduktim të pagës. Industria e gazetave është në krizë prej 30 vitesh: rënie të shitjeve, rënie e të ardhurave publicitare, botues me humbje, strategji të dobëta dixhitale. Gazeta juaj duket se shkon kundër kësaj rryme. Pse “Le Monde” funksionon kaq mirë?
Në këtë periudhë ekzistojnë dy probleme të mëdha të shtypit: nga një anë kriza e publicitetit, që në pjesën më të madhe është thithur nga gjigantët amerikanë Google dhe Facebook dhe nga ana tjetër një problem klasik i shpërndarjes në pikat e shitjes, i rënduar më tej nga karantina dhe rënia e aktivitetit ekonomik. Pavarësisht këtyre vështirësive, gazetaria jonë po shkon shumë mirë. Kriza e pandemisë tregoi se sot jemi bërë një media e rëndësishme, me një faqe interneti shumë të vizituar. Në një periudhë kur ka shumë aktualitet, penalizohet publiciteti, por rritet nevoja e lexuesve për një gazetari cilësore, me informacione të besueshme. Bastet që vumë me guxim vite më parë, u konfirmuan. Kemi mbrojtur gjithmonë një gazetari të kompletuar dhe idenë se informacioni nuk mund të jepet falas. Ishim ndër të parët në Francë që përshtatëm formulën e abonimeve dixhitale dhe kjo na lejon të ndërtojmë një marrëdhënie besnikërie me lexuesit tanë, më pak të kushtueshme për ne dhe për të abonuarit tanë krahasuar me gazetat e printuara. Nga fillimi i vitit, kemi shtuar 100 mijë abonime të reja, gjë e pandodhur më parë.

Nuk keni shkurtuar numrin e gazetarëve dhe as nuk keni prekur pagat e tyre. A mund t’i kompensoni vërtetë humbjet nga të ardhurat publicitare vetëm me shtimin e abonimeve?
Po, rritja e abonimeve është shtuar në tre vitet e fundit dhe po kompenson plotësisht humbjet në sektorë të tjerë. Kjo na lejon të jemi shumë optimist për të ardhmen. Do ta mbyllim këtë vit me thuajse 500 mijë të abonuar, por jemi në gjysmën e rrugës për të arritur 1 milion brenda vitit 2025. Një milion të abonuar do të jetë një revolucion. Të ardhurat do të jenë më të stabilizuara dhe do të jemi më pak të ekspozuar ndaj rreziqeve të publicitetit. Nuk besoj dhe as nuk uroj që publiciteti të zhduket. Mbetet një burim i rëndësishëm, e mbroj sepse mendoj që për një gazetë është gjë e mirë të ketë të ardhura të ekuilibruara dhe të mos varet vetëm nga abonentët.

Sipas një raporti të “Reuters Institute for the Study of Journalism” mbi pasojat e pandemisë në sektorin e informacionit, mediat në të gjithë botën u përshtatën me punën në distancë. Pandemia duhet të përshpejtojë transformimin në “redaksi hibride”. Si e vlerësoni këtë transformim të mundshëm?
Mendoj se në të ardhmen do të ketë disi më shumë gazetarë apo punonjës të “Le Monde” që do të vendosin të punojnë në distancë, një apo dy ditë në javë. Por gjithmonë do të ketë nëvojë për një godinë qendrore. Jemi të lumtur që e kemi këtu selinë tonë, sepse jeta kolektive është një dimension shumë i rëndësishëm në aktivitetin e një redaksie. Do të ketë përshtatje të vogla: disa prej aktiviteteve që bëhen në seli, si redaktimi, mund të kryhen në mënyrë më fleksibël.

Sipas Financial Times, në Shtetet e Bashkuara katër gazetat e mëdha (New York Times, Washington Post, Wall Street Journal, Financial Times) kanë secila nga 1 milion të abonuar. Mendoni se kjo krizë do t’i japë një goditje fatale gazetave më të vogla, duke i dhënë më shumë lexueshmëri gazetave të mëdha?
Nuk besoj se është kaq dramatike situata në Francë, ka më pak gazeta lokale se në SHBA dhe do të kenë më shumë mjete në dispozicion për të mbijetuar sepse mund të shpresojmë që kultura e leximit dhe e shtypit do të mbeten të forta. Për mendimin tim, një adaptim i mirë dixhital, do t’u japë mundësinë shumë prej këtyre gazetave të vogla të mbijetojnë. Me siguri do të ketë edhe redaksi të vogla të cilat publikojnë në print që do ta ndjejnë, nga ana tjetër pjesa e teknologjisë dixhitale lejon edhe krijimin e diversitetit të titujve që nuk janë të lidhur domosdoshmërish me gazetën e printuar.

Në një intervistë të vitit 2017 mbi të ardhmen e gazetave, Jeff Bezos, që ka blerë “Washington Post”, deklaroi se do ta menaxhojë gazetën si Amazonin sipas tre parimeve: përqëndrimin te klienti, të qenit inovativ dhe eksperimental dhe të ketë vizion afatgjatë. Si e vlerësoni këtë model?
Ajo që më tremb nga komentet e Bezos është se flet nga pikëpamja kapitaliste mbi një produkt që e trajton si cilindo tjetër, por që në fakt është informacion. Fatmirësisht aksionerët tanë nuk janë sjellë kështu. Kanë besuar te ne dhe na kanë lejuar të formësojmë ofertën tonë editoriale. Mendoj se informacioni është shumë specifik, duhet t’u besosh gazetarëve për të gjetur një model biznesi që u lejon atyre të jetojnë me punën që bëjnë dhe ta kthejnë në fitimprurëse, për të investuar më pas sërish në këtë aktivitet të kushtueshëm. Sigurisht për të transformuar gazetarinë duhet të mendojmë për lexuesin, për inovacionin dhe për ta kënaqur atë, e për këtë kemi menduar shumë kohë përpara se ta thoshte Jeff Bezos. Falë teknologjisë dixhitale, kemi mësuar se lexuesit i kanë qejf artikujt e gjatë. Të ndërtosh një gazetë do të thotë të mbrosh një vizion mbi botën, duke e bashkëndarë me lexuesit e tu, por edhe të dish si t’i shkundësh në mënyrë që të mos përgjumen kurrë, duke u treguar atyre gjëra që nuk do të donin t’i shihnin. Nuk duhet ndërtuar një produkt i kalibruar vetëm bazuar te shijet e lexuesit. Nëse mendohet kështu, je i humbur. Duhet ta drejtojmë shikimin tonë dhe atë të lexuesit lart!

“Guardian” për shumë kohë është financuar nga një fondacion për të garantuar pavarësinë financiare dhe editoriale, për të ruajtur lirinë gazetareske dhe vlerat liberale të gazetës. U kthye në një shoqëri aksionere në vitin 2008, në të cilët në ardhurat investohen sërish në gazetari dhe nuk u shpërndahen aksionerëve. Si e vlerësoni këtë model?
Është një model i shkëlqyer, po e mendojmë në “Le Monde” me aksionerët tanë Xavier Niel dhe Matthieu Pigasse që të shndërrohemi në një fondacion. Kjo do të na lejonte të operonim në mënyrë edhe më të pavarur nga paqartësitë ekonomike dhe të mundëmi të sigurojmë një pavarësi më të madhe mes redaksisë dhe kapitalit.

Një projektligj për “sigurinë globale” i hartuar nga dy deputetë të LRM me mbështetjen e qeverisë, është kthyer në objekt kritikash. Shumë po flasin për rreziqet e censurës, të parashikuara në nenin 24, që kërkon fshehjen e fytyrës të policëve dhe xhandarëve për të shmanguar përdorimin keqdashës të tyre. Ministri i Brendshëm ka thënë se gazetarët do të duhet të prezantohen tek autoritetet përpara se të mbulojnë raportimin e një manifestimi. Për këtë qëllim, ju keni shkruar: “Cilësia e informacionit nuk do të përmirësohet kurrë nëse kushti i saj parësor, liria, do të jetë e kufizuar”. A është e rrezikuar sot në Francë liria e shtypit?
Shpresoj të mos jetë e kërcënuar dhe që të gjithë ta kujtojnë se është një shtyllë thelbësore e demokracisë sonë. Ajo që kam vënë re pas zgjedhjes së Emmanuel Macron, ndryshe sa ka ndodhur me paraardhësit e tij, edhe ata ndaj të cilëve kemi qenë shumë kritikë, është se zgjedhja e tij u shndërrua në një kombinim mes sulmeve verbale, procedimeve ligjore ndaj gazetarëve apo burimeve të tyre, legjislacione të panevojshme ose të rrezikshme dhe veprime të tepërta që mund të rrezikojnë lirinë e shtypit. Do të ishte një gabim i rëndë nga ana e shtetit të ndërhyjë në prodhimin e informacionit, në profesionin e gazetarisë. Do të ishte një dëm i madh sepse do të rriste më tej mosbesimin e opinionit publik. Fjalët e Ministrit të Brendshëm Gerald Darmanin janë ekstremisht të rrezikshme. Të regjistrosh gazetarët në një procedurë zyrtare është njësoj me deskretitimin e punës së tyre. Me qeverinë Macron ka pasur edhe një ligj mbi lajmet e rreme që nuk ishte aspak bindës, nuk i takon shtetit të vendosë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme. Shteti duhet t’i lërë të punojnë gazetarët dhe nëse ndonjëherë ka probleme, u takon gazetarëve t’i zgjidhin. Nuk bëhet fjalë vetëm për të mbrojtur një profesion, por edhe për të mbrojtur kapacitetet e të gjithë qytetarëve për të denoncuar, për të dhënë alarmin, për të furnizuar me prova keqfunksionimin. Asnjë qeveri demokratike nuk duhet t’i lejojë vetes të kufizojë këto liri.

Joe Biden ka fituar zgjedhjet, por diferenca në voa mes tij dhe Donald Trump nuk ishte ajo e pritshmja. Cilat janë sipas jush sfidat me të cilat presidenti do të duhet të përballet?
Surpriza e madhe e këtyre zgjedhjeve është se të dy kandidatët kërkuan një sasi të madhe votash, duke qenë se secili prej tyre, me një pjesëmarrje rekord, ka arritur rezultatin më të mirë në historinë amerikane. Biden ka marrë më shumë vota mes presidentëve të zgjedhur, por Trump ka marrë po ashtu më shumë vota se çdo kandidat tjetër. Është tronditëse të shohësh se Trump ka marrë 10 milionë vota më shumë se herën e parë dhe më shumë vota se Barack Obama. Besoj se Biden duhet të kuptojë se përse Trump ka marrë kaq shumë vota. Duhet të rifitojë gjthë ata njerëz që janë të gatshëm për t’u besuar gënjeshtrave. Ka një problem që prek të gjitha demokracitë tona. Duhet të jemi në gjendje të adresojmë problemet nga rrënjet e tmerrshme të asaj që ka ushqyer pakënaqësinë e popullsisë së bardhë dhe e cila, në mendimin tim lidhet kryesisht me problemet e degradimit shoqëror. Në Shtetet e Bashkuara ekziston një problem i homogjenitetit shoqëror: jetëgjatësia është në rënie, veçanërisht për popullatën më të ekspozuar ndaj varfërisë, ndërsa pasuria po përqendrohet gjithnjë e më shumë.

*Jérôme Fenoglio është gazetar francez, aktualisht drejtor editorial i “Le Monde”. Intervista e dhënë për “L’Espresso” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.