Shënime në Blog

La vita è Bella

Ata që në fillim të shekullit të njëzetë, u shpjeguan fëmijëve të tyre se shekulli i ardhshëm do të ishte i tëri madhështor (gjë që kishte të ngjarë) i çuan, me mosveprimin e tyre, në shekullin më të keq në historinë njerëzore, sepse nuk kishin arritur të parashikojnë grackat e kësaj kohe. Edhe sot, optimizmi i hareshëm dhe pesimizmi dorëzues janë po ashtu të papranueshëm. Por ka një mënyrë të tretë, më realiste, më edukative dhe më të dobishme.
La vita è Bella

Nga Jacques Attali/ Në “La vita è Bella”, shfaqur në vitin 1997, Roberto Benigni tregon historinë e një burri i cili kërkon që djali i tij, që është mbyllur së bashku me të në një kamp përqëndrimi, të besojë se çdo gjë që ata përjetojnë është thjesht një lojë, ndaj dhe duhet të qeshin. Në fund të filmit, fëmija mbijeton.

Nën të njëjtin titull në frëngjisht (në anglisht me titullin “It’s a wonderful life”) Franck Capra tregoi në vitin 1946 se përse një burrë në zgrip të falimentimit, interpretuar nga James Stewart, do të kishte gabuar nëse do të vetëvritej, sepse nëse do të zhdukej, fati i familjes së tij dhe njerëzve të dashur do të ishte i frikshëm; ndërkaq nëse do t’i rezistonte dëshpërimit, do t’i kishte të gjitha mjetet në dorë, falë personave që kishte ndihmuar, për të shmangur falimentin dhe t’i bënte të gjithë të lumtur.

Këta dy filma kanë më shumë të përbashkëta sesa thjesht titulli në frëngjisht “La vie est belle”; Kanë të njëjtin efekt dramatik: të bësh çdo gjë për t’i përgatitur në më të mirën e mënyrave fëmijët e tu. Në njërin film, duke fshehur më të keqen prej tyre. Në tjetrin, duke kuptuar skenarin më të keq, që mjafton për t’u revoltuar dhe për të dhënë një përgjigje efektive ndaj fatkeqësisë në altruizëm.

Sot, ashtu si çdo gjeneratë paraardhëse, përballemi me të njëjtin problem: çfarë u themi fëmijëve dhe adoleshentëve rreth botës që i pret? A duhet t’u themi që më e keqja mund të ndodhë, se klima do të përkeqësohet në mënyrë të pakthyeshme, se biodiversiteti do të zhduket, se miliarda njerëz do të emigrojnë, se do të krijohen armë të tmerrshme, se komunitetet do të kthehen kundër njëri-tjetrit, e asgjë s’mund të bëjmë për ta parandaluar këtë, siç beson James Stewart? Apo, përkundrazi, do t'ua fshehim të gjitha rreziqet, për t'i bërë të mendojnë se gjithçka është në rregull, se shenjat e fatkeqësisë që fëmijët shohin përmes mediave janë vetëm incidente të parëndësishme, siç Roberto Benigni do ta bënte të besonte të birin?

Të gjithë brezat në të kaluarën janë përballur me këtë dilemë. Dhe ata që, në fillim të shekullit të njëzetë, u shpjeguan fëmijëve të tyre se shekulli i ardhshëm do të ishte i tëri madhështor (gjë që kishte të ngjarë) i çuan, me mosveprimin e tyre, në shekullin më të keq në historinë njerëzore, sepse nuk kishin arritur të parashikojnë grackat e kësaj kohe.

Edhe sot, optimizmi i hareshëm dhe pesimizmi dorëzues janë po ashtu të papranueshëm. Por ka një mënyrë të tretë, më realiste, më edukative dhe më të dobishme.

Për t’ua shpjeguar këtë fëmijëve, duhet të nisim duke thënë qartë se nuk po përballemi me një furtunë që asgjë s’mund ta ndalojë. Ne po përballemi me një sfidë të madhe që është ende brenda mundësive tona për t’iu përgjigjur. Për këtë duhet të marrim shembullin e futbollit apo të një sporti tjetër në ekip për t’u thënë se nuk jemi spektatorë që mund të mjaftohemi duke qenë optimistë apo pesimistë për lojën e skuadrës që mbështesim. Ne jemi lojtarët e lojës së jetës. Dhe një lojtar optimist, ashtu sikundër edhe një lojtar pesimist, është i sigurt se do të humbasë për vetë mendimin e thjeshtë se fati i lojës nuk varet nga ai. Për të pasur një shans për ta fituar, duhet të kuptoni që loja nuk ka përfunduar paraprakisht, të studioni pikat e forta dhe të dobëta të ekipit tuaj dhe të ekipit kundërshtar. Pastaj, luani sa më mirë që mundeni.

Ngjashmërisht, në botën reale, nuk duhet të jesh pesimist apo optimist. Duhet ta njohësh realitetin dhe të vendosësh se çfarë të bësh për ta orientuar sa më mirë. Prandaj, nuk duhet t'u fshehim asgjë adoleshentëve për ndryshimet klimatike, natyrën, padrejtësitë, dhunën dhe aftësinë e qenieve njerëzore për të bërë keq. Por pa i dëshpëruar duke u krijuar besimin se ndeshja tashmë është e humbur, se fatkeqësitë janë të pakthyeshme. Duke u treguar atyre në çdo hap të rrugës se çfarë duhet bërë, në mënyrë që të rriturit sot, dhe ata vetë më vonë, të mund të ndryshojnë rrjedhën e historisë. Dhe ky është rasti sot: tendencat janë katastrofike, por ende aspak të pakthyeshme. Ka shumë gjëra që ende janë të mundura. Shumë të tjera duhen imagjinuar, shpikur apo bashkuar për të kthyer rrjedhën e historisë. Dhe për t'u përshtatur sa më mirë me të.

Përballë kësaj diagnoze, disa nga këta të rinj do të dalin në përfundimin se është e nevojshme të bëhen inxhinierë, të kërkojnë zgjidhje teknologjike; të tjerë do të mendojnë se është e nevojshme të bëhen politikanë, të drejtojnë siç duhet rrjedhën e vendimeve të cilat i shohin të pamjaftueshme; Së fundi, të tjerët do të arrijnë në përfundimin se është e nevojshme të jesh aktiv në shoqata, ndoshta radikale, për të rritur ndërgjegjësimin. Të gjitha këto qëndrime janë të pranueshme. Qëndrim i papranueshëm është vetëm ai i spektatorit që i vetëkënaqur qëndron përballë bukurisë së botës, apo pranon paralizimin nga stuhitë e historisë.

Ashtu si në filmin e Benigni-t, do të bëjmë gjëra më të mira nëse besojmë se një fund i lumtur është ende i mundur. Ashtu si në filmin e Capra-s, suksesi do të jetë i yni nëse krijojmë kushtet për të vepruar të gjithë bashkë.

*Jacques Attali është ekonomist, aktivist, politolog dhe shkrimtar francez. Ka shërbyer si këshilltar i Presidentit François Mitterrand për dhjetë vite, si edhe ka qenë drejtuesi i parë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ka drejtuar reformimin e arsimit të lartë në Francë, ndërsa në vitin 2008-2010 ka drejtuar komitetin për rigjallërimin e ekonomisë franceze gjatë presidencës së Nicolas Sarkozy. Revista “Foreign Policy” e ka konsideruar si një prej 100 mendimtarëve më të mirë në botë. Ky artikull u përkthye nga Erjon Uka.