Shënime në Blog

Kujtime mashtruese

Kujtime mashtruese

Nga Erjon Uka/ Jam gjithmonë dyshues për vërtetësinë e librave autobiografikë apo librave me kujtime, por nuk i shmang nga lista e leximeve. Më së shumti për stilistikën e përdorur nga autorët, për një ndjesi afërsie që të japin dhe sensin njerëzor të rrëfimit, ama me koston e mungesës së të vërtetës së plotë. Dhe jo domosdoshmërish për mbulimin e qëllimshëm të saj, por në vetvete, qoftë edhe pa vetëdije, kujtimet janë mashtruese. Në pyetjen se ç’është historia, dikush u përgjigj se është rrëfimi i triumfuesve, pra i atyre që patën mundësinë ta shkruajnë atë. Kështu besoj deri diku, ndaj edhe pse mund të sugjeroj pesë apo dhjetë tituj për libra kujtimesh, nuk do ta bëja për të besuar realisht gjithë historinë që tregohet aty.

Roberto Bolano, shkrimtari kilian që jetoi në Barcelonë, për të cilin mund të flitet shumë por për mua mjafton të them se është autori i librit më voluminoz që kam lexuar ndonjëherë, romani “2666” me rreth 1100 faqe, të cilin ma dhuruan me pretendimin se mund ta lexoja dhe për fatin e keq të syve e të gjumit në krye të tre javëve nuk zhgënjeva askënd, në një artikull të viteve 1999-2000 ka shkruar pikërisht për këtë temë. Librat me kujtime i quan ndër më mashtruesit në botë, me nivel të lartë fshehjeje dhe me përpjekjen e pakursyer të autorëve për t’u përligjur. “Gënjeshtrat dhe librat me kujtime shkojnë përbukuri midis tyre”, shkruan në artikullin që është pjesë e përmbledhjes “Në parantezë”.

Dhe më tej, diku nga mesi i këtij shkrimi, përmend edhe librin e Pablo Nerudas, poetit bashkëkombas dhe fitues të çmimit Nobel, me titull “Rrëfehem që kam jetuar”. E quan haptasi “mjerane” përpjekjen e poetit Neruda për të shpalosur kujtimet e tij. Unë nuk i kam lexuar këto kujtime, por habinë për përbuzjen e pakursyer ndaj një vepre të një poeti si Neruda, nuk mund ta shmangia. Gjithsesi u harrua, deri pak ditë më parë, kur një artikull mbi romanin “Malva” të Hagar Peeters më bëri të kuptoj më shumë se ç’donte të thoshte konkretisht Bolano, duke më përforcuar edhe mendimin-paragjykim për autobiografitë.

Hagar Peeters është një shkrimtare holandeze, e cila ka hulumtuar në jetën e Pablo Nerudas dhe së fundi ka shkruar një roman historik. Ngjarja rrëfehet në vetën e parë, dhe ajo që tregon është Malva, vajza e mohuar e Nerudas që vuante nga hidrocefalia. Malva rrëfen martesën e prindërve, mamasë me origjinë holandeze Maryka Hagenarr dhe babait Pablo Neruda në vitin 1930 në Indonezi, ku poeti ishte konsull nderi. Malva lind në Madrid, në vitin 1934. Me shpërthimin e Luftës Civile në Spanjë në vitin 1936, së bashku me të ëmën nisen për në Holandë dhe për Nerudën është hera e fundit që i sheh. Duke i dhënë lajmin e lindjes së vajzës një prej të dashurave të tij, Neruda e përshkruan “si një vampire të vogël tre kilëshe, një qenie qesharake, një pikëpresje”. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, megjithëse kishte shumë ndikim në qarqet diplomatike dhe ishte personi që mundësoi shpëtimin e mbi 2,000 spanjollëve antifashistë, nuk lëvizi as gishtin për të larguar nga Holanda e pushtuar vajzën dhe bashkëshorten e tij.

E bukura është se për këtë histori, nuk ka asnjë rresht në librin “Rrëfehem që kam jetuar”. Neruda duket se ka dashur të kompensojë njërin skandal me një tjetër, siç është rrëfimi i përdhunimit të një vajze gjatë kohës së qëndrimit në Sri Lanka.

Ngjarja e dytë rizgjoi të parën, ku grupet feministe në Kili kërkojnë që t’i hiqet emri nga aeroporti i kryeqytetit Santiago, ndërsa grupime të tjera në Spanjë kërkojnë që e gjithë vepra letrare e Nerudës e përfshirë në tekstet shkollore të zhduket. “Inkuizicion” e quante këtë përpjekje Mario Vargas Llosa në një shkrim në gazetën “El Pais”, sipas së cilit me këto rregulla që kërkohen i bie të vendoset në diskutim pjesa më e madhe e letërsisë botërore. Por i tillë është debati që ndan apo bashkon njeriun shkrimtar dhe veprën e shkrimtarit. Nuk duket se do të gjejë ndonjëherë prehje dhe është nga ato diskutime që të bëjnë të jesh vetëm pro ose kundër. Të qenit neutral nuk shërben. Ky është tjetër debat.

Pablo Neruda poeti i dashurisë. Pablo Neruda poeti i të vobektëve, elaboruesi i parimeve të drejtësisë. Pablo Neruda, figurë frymëzuese e të majtës internacionale. Por edhe Neruda tradhtar, Neruda agresor, Neruda mohues i familjes. Cilin të zgjedhim? Dhe Hagar Peeters nuk përpiqet të dënojë Nerudën, madje politikisht e mbështet. Ama dëshira e saj ishte të vinte në vendin që i takon në histori vajzën Malva dhe bashkëshorten Maryka Hagenarr. Për të treguar, se edhe pas 70 vitesh mund të zbulohen ngjarje të harruara qëllimisht në një libër kujtimesh. Për të provuar se Bolano kishte të drejtë. Gënjeshtrat dhe librat me kujtime shkojnë përbukuri midis tyre.