Kärt besvär: Metoda suedeze që më ndihmoi të përballoja plakjen
Nga Margareta Magnusson/ Suedishtja ka një shprehje, që e adhuroj: kärt besvär. Përmbledh shumë prej gjërave të rëndësishme që bëjmë në jetë. Dhe sa më shumë njeriu plaket, aq më shumë duket sikur çdo gjë bëhet kärt besvär. Fjalët zbërthehen në kärt që do të thotë “i shtrenjtë, i çmuar apo i dashur”, dhe në besvär, që do të thotë “dhimbje ose pikëllim”, por mund të nënkuptojë edhe barrën apo diçka që shkakton bezdi.
Pagesa e faturave mujore mund të konsiderohet një kärt besvär: ato mbeten një detyrim i bezdisshëm, por njëkohësisht ndjeni mirënjohje që keni mundësitë për t’i paguar dhe ndiheni mirë kur i hiqni nga lista e detyrimeve. Apo një shembull më i sinqertë mund të jetë kujdesi ndaj një njeriu të dashur të sëmurë. Kujdesi për një të sëmurë mund të jetë barrë, por të jesh mjaftueshëm mirë për t'i rikthyer shëndetin dikujt është bekim, diçka për t'u çmuar dhe një gjë për të cilën i sëmuri do t’ju jetë gjithashtu mirënjohës, edhe nëse nuk jua thotë kurrë.
Tani jam pothuajse 90 vjeç. Sa më shumë plakem, gjithçka që bëj më duket si një lloj barre – thuajse çdo gjë tani, qoftë fizike apo mendore, për mua është e vështirë. Duket se nuk ka zgjidhje tjetër veçse çdo barrë, çdo shqetësim, çdo dhimbje, ta shoh si diçka që është gjithashtu e dashur, për të cilën duhet të gjej një mënyrë për ta çmuar.
Dy gjëra në të cilat unë zbatoj qasjen time kärt besvär janë kujtesa dhe rutina ditore së cilës i përmbahem, për të ruajtur arsyen dhe shëndetin po ashtu. Jam e sigurt se në ndonjë moment të caktuar na ndodh të gjithëve: mendojmë se po humbasim kujtesën, apo se po na ikën mendja. Ndonjëherë ndihemi sikur kemi shumë gjëra për t’u kujdesur, shumë gjëra për të bërë. Por ne mund të bëjmë më shumë – mbajeni vëth në vesh këtë, të paktën nëse s’kemi ndonjë sëmundje të tmerrme – mund të bëjmë më shumë nga ç’mendojmë. Ndonjëherë na duhet vetëm pak kohë dhe durim me veten.
Sa më shumë plakemi, aq më shumë kujtesa luan me ne. Por të kesh një kujtesë të mirë është e mrekullueshme, kështu që unë ende përpiqem ta kem një të tillë. Jo sepse dua të di përmendësh oraret e trenave, por sepse të kujtosh emrat e njerëzve është jo vetëm diçka e këndshme, por edhe e rëndësishme. Ndjej dhimbje sa herë gjendem duke u përpjekur të kujtoj një emër. Është gëzim më vete kur arrij papritur ta kujtoj.
E di që mbajtja mend e gjërave mund të bëhet gjithnjë e më e vështirë edhe në moshën 40-vjeçare. Shpesh, i kujtoj vetes këtë: Tani që jam më shumë se dyfishi i moshës 40 vjeç, pse do të ishte kaq e çuditshme që shkoj të marr diçka në kuzhinë dhe, kur jam atje, e kam harruar atë që do të merrja? Është pak e bezdisshme, por nëse i bëj hapat pas për t’u kthyer aty ku u nisa, shpejt do e kujtoj se çfarë më duhej. Është shumë bezdi të ecësh së prapthi, por jam mirënjohëse që arrij të kujtoj. Kjo është kärt besvär.
Dikur, një mik i mirë më tha se nuk duhet të ulesh asnjëherë për më shumë se 20 minuta pa ndërpreje. Kjo nuk funksionon nëse ju pëlqen të shkoni në kinema – përveçse kur ndiqni një festival filmi të shkurtër.
Diku kam lexuar se karrigia është shpikja jonë më e rrezikshme. Unë për vete preferoj të qëndroj në këmbë ose të lëviz sa më shumë që ma lejon trupi. Madje kam gjetur një mënyrë për ta kthyer në argëtim ushtrimin e përditshëm; rreth orës 9:00 çdo ditë ndjek një program të shkurtër dhe të lehtë gjimnastikor në televizion. Sigurisht që është kärt besvär: ndonjëherë nuk mund të besoj se trupi im i vjetër mund të lëvizë nga vendi dhe shpesh ndjej dhimbje. Megjithatë, jam shumë mirënjohëse që të paktën mund – në një farë mase – ta bëj këtë gjë.
Keni shumë kohë të lirë? E çuditshme, zakonet e reja të gjumit kur ju zgjoheni shumë përpara lindjes së diellit ju bëjnë të pyesni nëse arritët të flinit ndopak. Këto janë rreziqe të tjera të plakjes dhe sfida që mbeten një betejë e përditshme. Sa më i vjetër bëhet njeriu, aq më shumë duhet të gjejë mënyrën për ta bërë çdo rutinë një rutinë të dashur, edhe nëse ndonjëherë ajo në të vërtetë përfaqëson një dhimbje.
Çdo mëngjes më vjen gazeta, pastaj ndoshta rilexoj libra që i kisha harruar se i mbaja në rafte. Ndoshta imagjinoj pasione që do të zhvilloj në të ardhmen. E përdor shumë telefonin (fëmijët e mi mund t'jua tregojnë tamam...). Rrobat, çarçafët dhe peshqirët i laj rregullisht. Banesën time të vogël e mbaj sa më të rregullt. Jam shumë e lumtur që apartamenti im nuk është më i madh se kaq.
E di se asnjë prej këtyre aktiviteteve nuk është i jashtëzakonshëm. Ju po prisnit sekretet suedeze, e megjithatë sekretet e plakjes së mirë dhe të lumtur lidhen me gjetjen e mënyrave për t'i bërë rutinat të dashura për ju. Mund të mos kem mundësi të zgjedh se sa kohë do të më marrin për t’i kryer apo nëse do të jem gjallë pas disa javësh, por kam fuqinë të vendos se si t'i qasem aktiviteteve të mia të përditshme. Shumicën e ditëve - jo të gjitha ditët, por shumicën e ditëve - unë jam në gjendje ta shoh rutinën time, ta shoh jetën time të përditshme, si kärt besvär.
*Margareta Magnusson është shkrimtare suedeze. Pjesa e mësipërme është shkëputur nga libri “Arti suedez i plakjes”, përkthyer në shqip nga Erjon Uka.