Shënime në Blog

Krizat shtetërore zgjidhen si ato personale

Marie, gruaja ime, është psikologe klinike e specializuar në trajtimin e pacientëve që përjetojnë momente krizash. Duke dëgjuar rrëfimet për rastet e ndryshme dhe studimin e atyre faktorëve që të lejojnë të kuptosh nëse pacienti ka dalë apo jo nga një moment veçanërisht i vështirë, kam vënë re se faktorë të tillë hynë në lojë edhe në çastet e krizave të shteteve.
Krizat shtetërore zgjidhen si ato personale

Nga Jared Diamond/ Në vitin 1961 kur nisi të ndërtohej Muri i Berlinit, jetoja në Gjermani. Isha në Kili pak vite përpara grushtit ushtarak të shtetit në vitin 1973. Nisa të punoja në Indonezi disa vite pas genocidit të vitit 1965. Kushdo që jeton për një kohë të gjatë në një shtet, ka goxha shanse të jetojë një “krizë” politike.

Në shkrimet e mia të fundit kam propozuar që t’i shohim krizat kombëtare nga një perspektivë e re në vend të metodave të konsoliduara të studimit dhe tregimit të tyre. Pra, duke u nisur nga një përballje personale që të gjithë ne jemi detyruar të durojmë, si për shembull një divorc, humbjen e një personi të dashur apo vështirësitë e shëndetit dhe të punës. Të gjitha këto kriza ngrenë probleme të cilat mund t’i përballojmë ose t’i injorojmë.

Marie, gruaja ime, është psikologe klinike e specializuar në trajtimin e pacientëve që përjetojnë momente krizash. Duke dëgjuar rrëfimet për rastet e ndryshme dhe studimin e atyre faktorëve që të lejojnë të kuptosh nëse pacienti ka dalë apo jo nga një moment veçanërisht i vështirë, kam vënë re se faktorë të tillë hynë në lojë edhe në çastet e krizave të shteteve.

Para së gjithash është e nevojshme të njihet momenti i vështirësisë dhe të pranohet përgjegjësia vetjake. Vetëndërgjegjësimi për fajin është një hap i domosdoshëm në procesin e zgjidhjes së një krize personale. E njëjta vlen edhe për shtetet. Gjermania pas Luftës së Parë Botërore e mohoi përgjegjësinë e saj në për shkatërrimin dhe ky ishte një ndër faktorët që sollën Luftën e Dytë Botërore.

Për më tepër, për të zgjidhur një krizë, është thelbësore të jemi të ndershëm me veten, duke mësuar të dallojmë atë që funksionon në jetën tonë dhe atë që na krijon probleme, në mënyrë që të mund të kërkojmë ndihmë, per shembull edhe një miku.

Në të njëjtën mënyrë edhe shtetet duhet të jenë të ndershme, mbi të gjitha kur kalohet nga kriza kombëtare në krizë globale. Sot e gjithë bota përjeton rrezikun e armëve bërthamore, problemet që lidhen me administrimin e paqëndrueshëm të burimeve dhe shfrytëzimin e pyjeve. Pastaj, sigurisht është edhe ndryshimi klimatik që e kërcënon me thatësira Tokën, burime më të pakta ushqimore dhe kushte ekstreme klimatike. Pastaj ka pabarazi të thella, pasojat e të cilave kanë qenë veçanërisht të dukshme me pandeminë e Covid-19.

Cilët faktorë duhet të shohim për të kuptuar se si t'i trajtojmë këto probleme? Janë të paktë shembujt historikë të zgjidhjeve të problemeve kryesore globale, sigurisht asnjëra aq serioze për njerëzimin sa ndryshimet klimatike dhe menaxhimi i burimeve.

Ka pasur shembuj të bashkëpunimit ndërkombëtar për të eleminuar disa sëmundje serioze, siç është lija, e cila u çrrënjos në vitet 1980, dhe kohët e fundit lufta kundër Covid ka detyruar botën të bashkëpunojë. Ky duhet të kthehet në model, veçanërisht sot kur të rinjtë në mbarë po bëjnë çmos që zëri i tyre të dëgjohet në mbrojtje të mjedisit.

Më në fund shumica e amerikanëve e njohin rëndësinë e rrezikut të ndryshimit të klimës, madje kompanitë e mëdha janë të vetëdijshme për rreziqet me të cilat përballemi.

Nuk e dimë nëse do të jemi në gjendje ta zgjidhim këtë krizë në kohë. Unë jam i kujdesshëm në optimizmin tim dhe mendoj se do të jemi në gjendje ta gjejmë forcën për t’i zgjidhur problemet tona të mëdha botërore, duke filluar nga përvoja jonë personale dhe mbi të gjitha nga historia, duke mësuar se si kombet në të kaluarën i kanë kapërcyer krizat, ndonjëherë të tmerrshme, me të cilat janë detyruar të përballen.

*Jared Diamond është gjeograf, historian dhe shkrimtar amerikan. Është i njohur për punën e tij në shumë fusha si antropologjia, ekologjia dhe biologjia evolucionare, ndërsa “Prospect” dhe “Foreign Policy” e kanë konsideruar në vitin 2005 si një prej 100 intelektualët më me influencë në botë. Ky artikull u përkthye nga Erjon Uka.