Shënime në Blog

Kontrollorët, mësimet e një bojkoti

Kontrollorët, mësimet e një bojkoti

Nga Erjon Uka/ Shumë ngarje prodhohen. Disa reale, disa stisen, të tjera paramendohen, disa anashkalohen. Ndonjëherë duket se nuk ka as kohë për t’i kuptuar e për t’i diskutuar, aq sa edhe tre ditët e çudisë e kanë të vështirë të zgjasin. Por kjo grevë, protestë, bojkot a grusht shteti qoftë i punonjësve të Albcontrol më mësoi, përforcoi apo rikujtoi disa gjëra.

Në fillim, më konfirmoi se shpejtësia e politizimit të çdo ngjarjeje është më e lartë se shpejtësia e përhapjes së lajmit dhe shumë herë më e shpejtë se koha që duhet jo thjesht për të lexuar, por mbi të gjitha për të kuptuar realisht se çfarë ka ndodhur. Do të ishte një gjysmë e keqe nëse kjo tendencë do të paraqitej komike, por fatkeqësisht duket se është djallëzore. Në të gjitha iniciativat publike e sociale, politika ka aftësinë që të bëhet njësh. Akuzat që shkëmbehen dhe pozicionimet e shpejta pro dhe kundër, kanë të njëjtin efekt që ka nxehtësia mbi një topth sheqeri: I shkrijnë, i dekurajojnë kauzat publike përpara se ato të formësohen.

Kuptova se niveli i shqetësimit që një protestë a kryengritje sjell për klasën drejtuese, është në përpjestim të drejtë me dëmin që ajo shkakton në afatshkurtër, kryesisht në imazh. Bllokimi i punës nga kontrollorët shkaktoi pezullimin e atyre pak fluturimeve që kryhen në këtë kohë pandemie nga Rinasi. Dikush thotë se po vinin edhe vaksinat, e janë kthyer. Mundet. Pikërisht madhësia e problemit është çelësi për zgjidhjen e tij brenda pak ditësh. Ndërkohë që jemi dëshmitarë të përmuajshëm të protestave të minatorëve dhe naftëtarëve, të cilët kanë bojkotuar edhe punën e kanë marshuar deri në Tiranë: Por asgjë nuk ndryshon nga ndalimi për dy javë i gërrmimeve në minierë dhe asnjë imazh ndërkombëtar nuk cënohet nga protesta e tyre. Zhvillohet protestat e taksistëve, por njerëzit mund të marrin autobusë; protestojnë stafet e linjave urbane, por pasagjerët mund t’i hipin biçikletave; protestojnë pronarët e bareve e restoranteve, por po u mbyllën vetes së tyre i shkaktojnë dëm; revoltohen tregtarët, por janë qindra mijëra dhe organizimin në bllok e kanë të pamundur.

Gjithashtu perceptimi qytetar në lidhje me çështje ekonomike dhe financiare, e sidomos kur bëhet fjalë për suksesin dhe përfitimin e “tjetrit” mbetet tejet i manipulueshëm dhe destruktiv. Mjaftuan të tregoheshin disa shifra në lidhje me pagat e punonjësve të Albcontrol, që rrjeti të shpërthente dhe të bënte krahasimet mes pagave disa dhjetëra mijëra lekë dhe milionave të përfituara nga bojkotuesit e aeroportit. Por nga ana tjetër, mirëqenia konfirmohet edhe një herë si një tregues shumë relativ: sapo dikush arrin një nivel të caktuar, e quan si diçka të siguruar e të merituar, ndaj synon për më tepër. Nëse cënohet sado pak kjo pjesë, megjithëse niveli mund të mbetet sërish i lartë krahasuar me të tjerët, shtohet niveli i pakënaqësisë. Sigurisht që shumë prej nesh harrojnë se krahasohemi me të tjerët, por krahasohemi edhe me veten.

Ndërkohë struktura shtetërore tregon një aftësi ciklike për t’u kapur gafil dhe pothuajse asnjëherë nuk ka një plan strategjik të paramenduar. Shpëtimi, për aq sa mund të quhet i tillë, ka ardhur ngahera prej improvizimeve. Pikërisht kjo vihet re në sektorët strategjikë dhe ata që lidhen ngushtësisht me sigurinë kombëtare. Të rënit pre e “stresit” dhe e “lodhjes” së disa punonjësve nuk mund të fusë në kolaps transportin ajror në të vetmin aeroport të vendit. Pra, ose ka pasur sinjale dhe janë injoruar duke e lënë situatën në rënie të lirë, ose asgjë nuk është kuptuar. Se cila është më e rëndë, në kontekstin e një sektori të rëndësisë së veçantë, e kam të vështirë ta përcaktoj. Por situatë pas situate përgjatë viteve, vështirë të gjesh raste të ekzistencës së “planeve B”.

Sa i justifikueshëm, i drejtë apo sa anti-ligjor ishte vendimi i punonjësve të Albcontrol do të kuptohet së shpejti. Është një procedurë. Problemi në lidhje me rinisjen e fluturimeve, shpejt do të zgjidhet, pavarësisht formës që do të ndiqet. Por jam i bindur se edhe pas këtij rasti, nuk do të mësojmë asgjë. Si ajo shprehja e shumëcituar: historia na mëson se nuk mësojmë asgjë nga historia.

tiranapost.al