Shënime në Blog

Kam frikë të pranoj se nuk dua të punoj

Puna është ushtrimi i profesionit me një kohë të caktuar, ndërsa mundimi dikton ritmin e vetë. Nëse jemi me fat, puna shpërblehet me para, ndërsa shpërblimi i mundimit është shndërrimi. “Të shkruash një poezi”, thotë Hyde, “të rrisësh një fëmijë, të zhvillosh një formulë matematike, të shërohesh nga një nevrozë, të bësh një shpikje: këto janë mundime”. Kjo listë shpjegon problemin tim.
Kam frikë të pranoj se nuk dua të punoj

Nga Eula Biss/

Puna I

Dola me një kolege për të pirë diçka dhe pas kokteilit të dytë më tha se komentet e mia ishin fshirë nga raporti i kursit. I thashë se shpresoja të ishin fshirë me vija të trasha, siç bëhet në dokumentet e FBI-së. Jo, m’u përgjigj, nuk ka ndodhur kështu. Komentet e mia thjesht u fshinë. Në momentin që mësova se programi ishte strukturuar në atë mënyrë që të injoronte shqetësimet e mësueseve, për më tepër gra, ndjeva një zbrazëti. Një zbrazëti e tillë mbeti edhe aty ku unë kisha ekspozuar me detaje abuzimet e vogla që lejonte ajo strukturë: nënshtrimin e përditshëm, shfrytëzimin e ndonjëherë edhe detyrimet për të bërë gjëra që s’ishin të parashikuar. Duhej t’i fshija, më shpjegonte kolegia ime, sepse shqetësimet e mia mund të ishin pre e një gjykimi. Mesa duket, nëse nuk do të fshiheshin, në një mënyrë a në një tjetër, eprorëve do t’u duhej të jepnin llogari.

Gjithmonë më ka pëlqyer puna. Të paktën në fillim. Të shtyja një fshesë në dyshemenë e betonit në fermë, të përdorja arkën në stendën e perimeve, të mblidhja kuti me lakër pas një sere. Të lexoja me zë të lartë “Bartleby” për fëmijët e hutuar të një kampi veror apo të pozoja lakuriq përpara një klase studentësh arti. Ishte një punë e mirë dhe jo vetëm sepse më paguanin 10 dollarë në orë. Në atë koha vazhdoja kolegjin dhe më pëlqente të qëndroja e palëvizur e të mendoja. Për më tepër që unë vetë adhuroja t’i vizatoja nudot. E dija se të vizatoje duke u frymëzuar nga një trup ishte një goxha shërbim, prandaj më pëlqente të bëja një punë që e perceptoja si shërbim.

Ndonjëherë me mua punonte një tjetër model, një burrë që ishte pothuajse nëntëdhjetë vjeç. Gjatë verës, ai dhe gruaja e tij udhëtonin nëpër vende të ndryshme me makinën e tyre të kampingut dhe vizitonin muzetë, ku ai studionte mjeshtërit e mëdhenj. Jo për të mësuar të pikturonte apo të punonte skulptura, por të mësonte të pozonte. Ishte çekiçi i marangozit, më tha, ose gozhda. Ai kishte një koleksion polaroidi të pozave që kishte mësuar. Ja ku dukej një David i lashtë, një August i tharë, një Mendimtar i thinjur.

Pashë një lajmërim që ofronte 20 dollarë në orë për të qenë modelja e një artisti, dhe kështu shkova në një magazinë buzë lumi ku mora një ashensor mallrash deri në katin e fundit. Njeriu që më përshëndeti në ashensor ishte një fotograf që ua shiste punën e tij revistave. Më tregoi se i pëlqente të fotografonte gra lakuriq në varreza, mbi varre. Në atë moment doja të largohesha, por ndërkohë i kisha hequr rrobat. Më pyeti nëse mund të shtrihesha në tokë dhe të hapja këmbët. Si s’më shkoi në mend se kështu do të ndodhte? Me naivitet u habita kur zbulova se trupi im kishte përfunduar në një reportazh të pornografisë nekrofile. Tashmë e di se kështu funksionon puna: ndonjëherë kontrata rishihet kur je në punë e sipër, e zhveshur.

Puna II

E kam të vështirë ta pranoj edhe me veten time se nuk dua të punoj. Por pas një gote vere ia them Vojislavit, i cili më rreh shpatullat: është e pritshme që dua të heq dorë nga puna ime. Edhe ai do të donte ta linte të vetën.

“Kam ende shumë punë për të bërë,” i them, “edhe pa punën time. Do të merresha më të shkruarin, me punë kërkimore, me punë që lidhen me shtëpinë dhe kopshtin, si edhe me punën e përkujdesjes ndaj një fëmije. Puna më pengon në punën time, prandaj dua të punoj më pak që të kem më shumë kohë për të punuar.”

Këtu ndjej se kam nevojë për një fjalë tjetër.

Puna, shkruan Lewis Hyde është e ndryshme nga mundimi. Puna është ushtrimi i profesionit me një kohë të caktuar, ndërsa mundimi dikton ritmin e vetë. Nëse jemi me fat, puna shpërblehet me para, ndërsa shpërblimi i mundimit është shndërrimi. “Të shkruash një poezi”, thotë Hyde, “të rrisësh një fëmijë, të zhvillosh një formulë matematike, të shërohesh nga një nevrozë, të bësh një shpikje: këto janë mundime”. Kjo listë shpjegon problemin tim. Dua t’ia dedikoj jetën mundimit, jo punës.

Ose edhe e kundërta. Kuptimi i mundimit dhe i punës përmbyset në “Work: The last 1.000 years” nga Andrea Komlosy. Të dyja fjalët vijnë nga latinishtja, shkruan autorja, që i ka dhënë çdo gjuhe indoeuropiane dy terma për të përcaktuar punën. Në latinisht “labor” nënkuptonte lodhje të rëndë dhe folja “laborare” vinte nga sklleverit që mbanin ngarkesa. “Opus”, që u bë në anglisht “work” ishte kreativitet dhe produktivitet. Ishte një aktivitet përmbushës, një burim kënaqësie që jepte një kuptim vetërealizimi.

Tanimë në shumë gjuhë ka goxha ngatërresë kuptueshmërie mes termave që tregojnë një lodhje të rëndë dhe një aktivitet të kënaqshëm. Në anglishten e përditshme, një “laborer” është një punëtor dhe “labor” është puna, përveçse kur flitet për lindjen e një fëmije (sepse në atë rast është një mundim). Në gjermanishten bashkëkohore, “werk” nuk është më një eufemizëm për seksin, por “werk” mund të nënkuptojë dhimbjen dhe për një grua që po kalon mestruacionet mund të thuhet: “Sie hat ihre Werke”: ajo ka “punët” e saj. Komlosy vëren se gama e termave që nënkuptonin punën ishte më e gjerë përpara se të bëhej sinonim i punësimit me pagesë në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

"Pjesa më e madhe e asaj që në të kaluarën supozohej se ishte puna, është përjashtuar nga kategoria sepse fokusohet gjithnjë e më shumë në punësimin me pagesë."

Po t’i referohemi kuptimit që jep Hyde, shumë detyra kërkojnë si mundim, ashtu edhe punë. Lodhja në mësimdhënie, që unë e adhuroj për aftësinë e saj transformuese, shoqërohet nga një punë e përditshme zyre, që është më e lodhshme se puna e mësimdhënies. Burokracitë arrijnë ta kthejnë lodhjen në punë dhe siç e kam vërejtur në takimin me prindër kur mësuesja e kopshtit të J-së përmendi kompanitë që kanë ofruar materialet e kursit, një mësues mund të privohet nga lodhja dhe të mbetet në punë.

Mendoj se kjo është ajo që donte të thoshte Marksi kur foli për tjetërsimin e punëtorëve. Ajo fjali nuk pati shumë rëndësi për mua kur njëzet vjet më parë lexova “Kapitalin”, por tani ka goxha kuptim.

*Eula Biss është shkrimtare dhe kërkuese amerikane, autore e katër librave dhe fituese e disa çmimeve si “Carl Sandburg Literary Award”, “Pushcart Prize” apo “National Book Critics Circle Award”. Pjesa e mësipërme është shkëputur nga libri “Të jesh dhe të kesh në fund të kapitalizmit”, në të cilin reflekton mbi eksperiencën në kapitalizëm, se si ka transformuar jetën e përditshme të njerëzve dhe se si sistemi i vlerave kapitaliste përshkon dhe ndikon plotësisht në të gjitha marrëdhëniet që kemi me qeniet e tjera njerëzore dhe me objektet. Përkthyer nga Erjon Uka.