Shënime në Blog

Sulmi në Kongres, një fantazmë mbi të ardhmen

Sulmi në Kongres, një fantazmë mbi të ardhmen

Nga Yascha Mounk/ Siç vërente Aristoteli te “Poeteka”, përfundimi i një drame duhet të jetë befasues, por në të njëjtën kohë edhe i pashmangshëm. Nëse është kështu atëherë, katër vitet e presidencës së Donald Trump arritën në përfundimin e tyre më të përshtatshëm.

Kapitoli është ndërtesa më mbresëlënëse në Uashington. Turistët që vijnë për herë të parë në qytet, e ngatërrojnë shpesh atë me Shtëpinë e Bardhë. Dhe megjithëse demokracia amerikane ka njohur ditë të trazuara, deputetët dhe senatorët e vendit për dy shekuj kanë qenë gjithmonë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre në sallat e saj madhështore. Hera e fundit që armiqtë e demokracisë arritën të sulmojnë ndërtesën e Parlamentit Amerikan ishte në 1814, kur trupat britanike marshuan nëpër rrugët e Uashingtonit.

Kjo na ndihmon të kuptojmë se përse ngjarjet e së mërkurës, ndryshe nga historitë e tjera të hidhura nga katër vitet e kaluara, do të mbahen mend për dekada. Për herë të parë në kujtesën e gjallë, një kryengritje popullore prishi diskutimet e përfaqësuesve të zgjedhur lirisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe personi përgjegjës për mobilizimin e kësaj turme të zemëruar dhe nxitjen e tyre për të vepruar nuk ishte një terrorist fanatik apo kreu i një sekti të çuditshëm fetar: ai ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Pasi humbi zgjedhjet me 7 milion vota, Trump ka filluar të shpikë gjithnjë e më shumë teori konspirative ekstreme në lidhje me pretendimet për mashtrim zgjedhor. Për t'i dhënë përpjekjes së tij të dëshpëruar mundësinë e përmbysjes së rezultatit të ardhur nga zgjedhje të lira, ai nxiti mbështetësit të mësynin në Uashington. Duke i folur turmës të mërkurën në mëngjes tha: “Të marshojmë në Kapitol. Vendi nuk do të rimerret me dobësi. Duhet të tregoni forcë!”.

Duke marrë zemër nga këto fjalë të zjarrta - dhe nga butësia e dënueshme e policisë - domostruesit zhdukën barrierat e dobëta që supozohej se mbronin zemrën rrahëse të demokracisë amerikane. Deputetët dhe senatorët u detyruan të ndalonin punën dhe të iknin për të ruajtur veten. Qindra mbështetës të Trump hynë në ndërtesë dhe filluan ta plaçkitnin. Në Dhomën e Përfaqësuesve, rojet e armatosura u përpoqën me dëshpërim të ndalonin hyrjen e një rryme demonstruesish në sallë. Disa qindra metra larg, barrierat e fundit turma i kishte marrë përpara. Një burrë pa këmishë, i veshur me një kapelë leshi gjigante me brirë të rremë, u ngjit në podiumin e Senatit, duke treguar muskujt në shenjë triumfi.

Në fund, kryengritja më surreale nga kohët e “Diktatori i Shtetit të Lirë të Banans” të Ëoody Allen u zgjidh dhe si Dhoma ashtu edhe Senati votuan me një mazhorancë të qartë për të certifikuar vullnetin e votimeve. Por megjithëse pas katër vitesh në të cilat Trump ka sulmuar në mijëra mënyra institucionet demokratike amerikane, këto imazhe kanë aftësinë për të na habitur dhe tronditur njëkohësisht.

Nga ana tjetër, për këdo që studion populizmin autoritar, këto ngjarje duken po aq të pashmangshme. Që kur hyri për herë të parë në politikë, Trump gjithmonë ka lënë të kuptojë se ai dhe vetëm ai, e përfaqëson realisht popullin amerikan. Kjo bindje e ka kundërvënë me thuajse çdo institucion demokratik që kufizonte ushtrimin e tij tekanjoz të pushtetit. Sipas mendimit të Trump, as gjyqtarët dhe as përfaqësuesit e zgjedhur nuk kishin të drejtë të prishnin vullnetin e popullit amerikan (siç e interpretonte mendja e tij narciste).

Ky besim themelbësor ndihmon gjithashtu për të shpjeguar pse Trump ishte i paaftë për të pranuar rezultatin e votimit si të ligjshëm. Për sa kohë ai kujton se është zëri i vërtetë i njerëzve, çdo zgjedhje që provon të kundërtën nuk mund të jetë as e lirë dhe as e ndershme. Për këdo që e pranon premisën e tij populiste si të vlefshme, teoritë abuzive të konspiracionit mbi votat e vjedhura janë shpjegimi më logjik për një fakt që nuk mund të ishte ndryshe.

Është gjithçka e pakëndshme dhe e turpshme. Por në mes të kaq shumë shëmtie, nuk duhet të harrojmë se demokracia amerikane, në katër vitet e fundit, ka kaluar një provë të vështirë, e cila në vendet e tjera ka pasur një rezultat tragjikisht të tmerrshëm. Institucionet amerikane janë dëmtuar rëndë. Edhe në skenarin më optimist, do të duhen dekada që ata të rifitojnë besimin dhe prestigjin që gëzonin. Imazhet e 6 janarit do të na ndjekin për shumë vite.

Por në shumë vende të tjera, nga Europa në Azi, nga Afrika në Amerikën e Jugut, populistët autoritarë kanë arritur të marrin kontrollin e plotë të sistemit politik. Dhe shumë të tjerë po presin pas skene duke shpresuar të zbatojnë të njëjtat metoda.

Fitorja për populistët nuk është e pashmangshme. Por pasi isha dëshmitar i dëmit të tmerrshëm që një yll televiziv i “reality show” mund t'i shkaktojë demokracisë më të vjetër në botë, askush nuk do të habitej nëse ata fitonin edhe në vendet e tjera. Konflikti epokal midis demokracisë dhe populizmit sapo ka filluar.

*Yascha Mounk është politolog gjermano-amerikan, aktualisht profesor në “Johns Hopkins University’s School of Advanced International Studies” si edhe kontribues në disa media si “New York Times”, “Foreign Affairs”, “The Atlantic” dhe “Slate”. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.