Sulmi ndaj trurit
Truri është një mekanizëm kompleks, i habitshëm e në disa aspekte edhe tronditës. Përshtatet me ngjarje epokale dhe katastrofike siç janë lufta, pandemia, apo kriza klimatike që merr përpara shtëpi dhe jetë njerëzish. U paraprin ndryshimeve dhe parashikon se si ndikojnë këto fakte përkohësisht apo afatgjatë mbi sjelljen tonë.
Neuroshkencëtare e njohur botërisht, Kia Nobre drejton “Oxford Centre for Human Brain Activity” në Britaninë e Madhe, qendra prestigjioze dedikuar aktiviteteve cerebrale, teksa sapo është nderuar në Amsterdam me çmimin “C.L. de Carvalho” për shkencat njohëse.
Çfarë ndikimi psikologjik kanë ngjarjet katastrofike?
Godasin trupin dhe mendjen, janë fenomene shumë komplekse dhe lëvizin shumë faktorë të ndryshëm. Covid-19 është shumë i ndryshëm nga lufta në Ukrainë, mbi të gjitha për ne që nuk luftojmë. Është sëmundje që prek trupin me ndikim direkt në tru. Falë një numri shumë të lartë studimesh mbi pacientë të ndryshëm, tashmë e dime se ka një gamë të gjerë simptomash psikologjike dhe psikiatrike që lidhen me virusin: stres, shqetësim, humbje e njerëzve të afërt. Ndërsa lufta, për ata që nuk luftojnë direkt, prodhon efekte jo të drejtpërdrejta: stres, frikë dhe ankth, me pasoja në shëndetin mendor dhe në trup. Ndërsa për ata që luftojnë, dëmet janë të tjera: lëndime traumatike të trurit, lëndime fizike traumatike dhe shqetësime shumë të rënda nga stresi i pas traumës.
Sipas vlerësimeve të bëra nga revista mjeko-shkencore “The Lancet”, si pasojë e pandemisë, janë regjistruar 53 milionë raste depresioni më shumë dhe 76 milionë më shumë raste ankthi. A është një përllogaritje që po bie tani?
Jam shumë e lumtur që kjo temë po merr vëmendje, sepse në të shkuarën do të ishte tejkaluar ose do të banalizohej. Nuk është e lehtë të thuhet nëse po ulet kjo tendencë. Me gjasë ka shumë njerëz që s’janë në gjendje të dallojnë simptomat, prandaj mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm në këtë pikë. Është e vërtetë se llogariten pasojat psikiatrike dhe psikologjike shumë të rënda të Covid-19 mbi ata që e kanë kaluar, por në çdo rast duhet të marrim në konsideratë edhe ata që nuk janë infektuar por kanë vuajtur nga vetmia, privimet, nga humbja e shoqërizimit, nga ankthi. Por ka edhe një element tjetër që deri tani është injoruar: të ashtuquajturit “efekte njohëse”. Nëse për shkak të Covid krijohen edhe probleme cerebrale, ato ndikojnë edhe në funksionet më bazike që na mundësojnë ndërveprimin e përditshëm, si edhe në aftësinë për t’u përqëndruar, e cila është thelbësore për të marrë informacione, për të mësuar e për të mbajtur mend. Disa flasin për “mjegull cerebrale”, një efekt që ende s’është studiuar, s’është njohur dhe nuk ka të dhëna statistikore, megjithëse është i rëndësishëm. Mjaft të mendojmë për fëmijët dhe për shkollën.
Ju jeni një neuroshkencëtare e njohur botërisht. Cila është qasja e kësaj disipline në analizat e reagimeve përshtatëse të trurit?
Një pjesë e mirë e studimeve që janë zhvilluar në laboratorin tim përpiqen të theksojnë se truri nuk është një organ reaktiv. Në libra dhe në mendjen e pjesës dërrmuese të njerëzve të shkolluar është krijuar bindja se në bazë ekzistojnë ndjenjat, pastaj në tru përzihen elementë të ndryshëm, e në fund krijohet forma e një përfaqësimi mendor. Sipas këtij koncepti, ndërgjegja dhe kujtesa janë produkti final i një procesi që lëviz nga jashtë-brenda. Por kjo është gjysmë e vërtetë. Në fakt, truri ynë është i pasur me eksperienca dhe i përdor në mënyrën e duhur për të parashikuar se çfarë mund të ndodhë, si mund të vazhdojë më tej, krijon zonat shqisore që mbledhin informacione të përshtatshme për të udhëhequr sjelljen tonë. Kur e gjitha kjo funksionon për së mbari, rezultati është i jashtëzakonshëm: nuk është truri që merr të dhëna nga bota e jashtme, por bashkon eksperienca dhe informacione shqisore nga jashtë për të krijuar perceptime dhe kujtime, për të marrë vendime dhe këtë e bën në mënyrë dinamike duke i paraprirë momenteve, gjërave. Është një proces shumë proaktiv, i habitshëm, që të befason.
A ndryshojnë reagimet sipas moshës apo gjinisë?
Sigurisht, patjetër që po. Ndryshojnë sipas moshës, seksit, arsimimit. Janë faktorë të një ekuacioni kompleks: askush nuk e kupton ende se si formësohen elasticiteti, faktorët mbrojtës dhe cenueshmëria. Disa nga këta elementë nuk janë biologjikë dhe fiziologjikë, por kulturorë ose varen nga ekspozimi ndaj teknologjisë. Edhe nëse gjejmë dallime midis burrave dhe grave, fëmijëve dhe të rriturve, këto nuk duhet t'i atribuohen faktorëve fiziologjikë ose biologjikë, por duhet të studiohen brenda kornizës së përgjithshme të të dhënave eksperimentale, gjenetike, fiziologjike. Ka ngjarje katastrofike që prodhojnë efekte shumë akute dhe të rënda përsa i përket stresit, por mënyra se si ne i trajtojmë ndryshon ndjeshëm nga njëri te tjetri. Në rastin e luftës, disa do të vuajnë nga stresi pas traumatik dhe nuk do të jenë kurrë në gjendje ta kapërcejnë atë, të tjerët do të jenë më elastikë dhe do të përpiqen të kuptojnë mekanizmat që ndihmojnë trurin dhe mendjen t’i kapërcejnë pasojat në afatgjatë.
Covid-19, lufta në Ukrainë, kriza klimatike. Cila është ngjarja më e rëndë?
Do t’i vija të tre në një nivel të njëjtë, por kanë implikime të ndryshme. Ama mendoj se ndryshimet klimatike janë ngjarja më e rëndë: një krizë e vazhdueshme. Pikërisht për këtë arsye priremi ta përballojmë gradualisht, duke e shtyrë zgjidhjen. Në vend se të sillemi kështu, duhet ta konsiderojmë si krizë të rëndë dhe akute. Sigurisht duhet ta kishim bërë ca kohë më parë.
Ç’mund të bëjë psikiatria dhe neuroshkenca?
Nuk do të flisja vetëm për psikiatri, por për familjen e disiplinave që merren me kuptimin dhe trajtimin e mendjes njerëzore, pra psikiatri, neurologji dhe psikologji eksperimentale. Pikë së pari, duhet të reshtim së stigmatizuari problemet e shëndetit mendor. Psikiatria dhe psikologjia mendoj se po kërkojnë ta bëjnë këtë gjë dhe më në fund po fillon të njihen implikimet mbi shëndetin mendor që shkakton kovidi, luftërat dhe ndryshimet klimatike.
Si mund të ndikojë politika?
Një hap i mirë do të ishte vënia në dispozicion e më shumë parave të shpenzuara për shëndetin mendor. Për shembull sot, në Mbretërinë e Bashkuar po investohen shumë resurse në neuroshkencë dhe në shëndet mendor. Në të kaluarën, pavarësisht peshës së madhe të këtyre faktorëve në cilësinë e jetës, investimet kanë qenë të papërfillshme në krahasim me sëmundjet kardiovaskulare apo kancerin. Ka ende shumë rrugë për të bërë, por ne po ecim në drejtimin e duhur.
*Kia Nobre është neuroshkencëtare braziliane, pjesë e Universitetit të Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo është anëtare e “Academia Europaea” dhe e shumë instituteve dhe shoqatave anglo-saksone. Ndër të tjera, është nderuar me çmimet “MRC Suffrage Science Award” dhe “Broadbent Prize from the European Society of Cognitive Psychology”. Intervista për Emanuele Coen u përkthye nga Erjon Uka.