Sulmi ndaj globalizimit është një gabim!
“Puna ime si ekonomist është të studioj rreziqet dhe të paralajmëroj qeveritarët dhe popujt për pasojat e tyre. I takon opinionit publik ta verifikojë nëse kjo pastaj duket si një pesimizëm i tepruar. Nuk më duket se kam gabuar shumë herë.”
Nouriel Roubini, guruja i “New York University” mori famë botërore për parashikimin e krizës financiare të vitit 2008 pas skandalit të huave e falimentimit të “Lehman Brothers” në Amerikë dhe që gradualisht u shtri në gjithë botën, ndërthurur në mënyrë djallëzore në Europë (fillimisht në Greqi e pastaj në Itali) me problemin e borxheve sovrane.
Qysh atëherë jetojmë në një gjendje “permacrisis”, pra të një krize të vazhdueshme, pjesa e fundit e së cilës është inflacioni shkaktuar nga kriza energjitike, e cila në vetvete është shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Profesor, lufta në Ukrainë përfaqëson nënën e të gjitha krizave, dhe i ngjason pandemisë. Në sa fronte të tjera duhet t’i hapim sytë?
Faktorë të tjerë si pasiguria dhe destabilizimi global janë ende të pazgjidhur, duke filluar nga borxhi publik dhe privat i cili ka arritur në 420% të PBB-së botërore. Në vitet 1970 ishte mesatarisht 100% në vendet e industrializuara. Megjithatë, ne u përballëm me dy kriza të njëpasnjëshme të naftës - në 1973 pas Luftës së Kipurit dhe në 1979 me kthimin e Khomeinit në Teheran - në përgjithësi me pasoja të arsyeshme. Ndërsa sot borxhet kanë hyrë në një spirale të pandalshme rritëse.
Nga çfarë ushqehet?
Ka luajtur një rol të madh teprica e financave në dëm të ekonomisë reale. Ashtu si periudha e gjatë në të cilën normat e interesit mbetën në zero, po ashtu hyrja në borxh ishte pothuajse një detyrim dhe tregjet dukeshin si të varur nga droga. Ngjante sikur humbi ndjesia e parasë: kini parasysh kriptovalutat, bitcoin dhe të tjerat, të cilat nuk janë as asete, as letra me vlerë, por thjesht një mashtrim, “shit-money”. Është e pabesueshme se sa njerëz kanë rënë në këtë kurth toksik që e ka ndotur më tej kornizën financiare globale tashmë të paqëndrueshme.
E pastaj erdhi inflacioni, me tanket e Putinit...
Jo vetëm kaq. Që në rimëkëmbjen zemërake nga pandemia, le të themi në vitin 2021, ishin shfaqur pengesa në zinxhirin e furnizimit dhe mungesa e prodhimit, mbi të gjitha sepse Kina u rihap me vonesë, gjë që solli rritjen e çmimeve. Më pas filloi sulmi brutal kundër Ukrainës, i cili përveçse i tronditi të gjithë, shkaktoi një rritje të mëtejshme të energjisë, ushqimit dhe plehruesve bujqësorë. Dhe përveç përjashtimit të Rusisë nga çdo rrymë zhvillimi për kushedi sa vite, ajo ka rindezur tensionet me Kinën, e akuzuar për paqartësi, pikërisht në kohën kur po tentohej të shërohej si paciente. Kështu, teksa ajo që tani është bërë një “proxy war”, një luftë NATO-Rusi dhe një luftë e dytë e ftohtë me Kinën ka nisur, i gjithë Perëndimi po përjeton një periudhë stagflacioni: inflacion i lartë, rritje e ulët, frikë e madhe. Kjo është përzierja më e keqe, jo vetëm për ekonominë. Pasoja tjetër është fundi i globalizimit, të paktën i një globalizimi i shëndetshëm dhe pozitiv.
Pse është diçka e keqe të vëmë në dyshim globalizimin?
Është e vërtetë që mund të ketë pasur disa pasoja margjinale, por gjatë dekadave globalizimi ka nxjerrë miliarda njerëz nga uria në Kinë apo Indi, sepse ka hapur tregtinë, tregjet e punës dhe për shkak se e kundërta e tij, pra fragmentimi i botës që megjithëse mund të mbetet e ndërlidhur, çon në proteksionizëm dhe izolim. Janë të njëjtat fenomene që e bëjnë Europën e bashkuar dhe kohezive më të fortë se shumë shtete të mbyllura dhe grindavece. Sillni ndër mend katastrofën Brexit.
Mes rreziqeve më të mëdha, qartësisht nuk harroni edhe ndryshimin klimatik. A janë ndalur apo jo investimet në këtë sektor, qoftë edhe vetëm nga frika e të ngelurit në të ftohtë?
Duhet bërë një dallim: praktika e investimeve të improvizuara është përhapur mes kompanive për të fituar mirënjohjen e opinionit publik duke u mburrur me titullin e përputhshmërisë dhe pastrimin e ndërgjegjes, i ashtuquajturi “green-washing”. Ose më së shumti me “green-wishing”, investime me mirëbesim, por të bazuara vetëm në një shpresë të thjeshtë se do të bëjnë diçka për mjedisin.
Duhet nisur prej diku...
Ka shumë variabla. Për shembull, ndonjëherë kërkimi për metalet e nevojshme për tranzicionin mjedisor, siç është litiumi për bateritë e makinave elektrike, realizohet duke shpenzuar sasi të çmendura energjie.
A mund ta mbyllim me disa fjalë optimizmi? Është e vështirë të gjesh të tilla në librin tuaj...
Duket një paradoks: e njëjta inteligjencë artificiale që unë e përfshij ndër kërcënimet sepse shkatërron punët përmes robotëve dhe automatizimit, anasjelltas mund të na ndihmojë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Sepse na çliron nga angazhimet stresuese, por mbi të gjitha sepse mund të garantojë një kapërcim cilësor dhe sasior në rritjen e përgjithshme të ekonomive, pra më shumë vende pune, më të mirëpaguara dhe më prestigjioze, më shumë zhvillim industrial, përmirësim të kujdesit social dhe shëndetësor. Me kusht që të përdoret dhe të qeveriset me... inteligjencë (njerëzore)”.
*Nouriel Roubini është ekonomist amerikan. Është profesor në New York University, dhe gjithashtu drejtues i kompanisë së konsulencës “Roubini Macro Associates LLC”. Ka punuar si këshilltar nën administratën e Bill Clinton dhe Barack Obama, ndërsa së fundi ka botuar librin “Katastrofa”. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.