Heshtja e Europës
Nga Edgar Morin/ Në mendjet e qeveritarëve dhe të të qeverisurve, shumë shpesh kanë mbretëruar gabimi dhe iluzioni. Një dekadë përhumbjeje është ajo mes viteve 1930 – 1940, ku mbizotëroi pamundësia për të besuar pushtimin e Francës dhe një luftë të dytë botërore. Në vazhdën e zhvillimit ekonomik në vitet “e lavdishme tridhjetë” drejt një shoqërie konsumi, ishte e paimagjinueshme të besohej se themelet e qytetërimit tonë do të lëkundeshin dhe se zhvillimi tekniko-ekonomik do të çonte jo vetëm në mungesën e zhvillimit etiko-politik, por edhe në kriza gjigante planetare.
Në të njëjtën kohë u injorua dhe u fsheh degradimi i biosferës që përfshin antroposferën, fakt i njohur që nga viti 1970 prej pionierëve shkencorë të ekologjisë. Dhe vetëdija ekologjike, inekzistente për gjysmë shekulli, mbetet ende e pamjaftueshme. Siguria e politikanëve dhe e ekonomistëve, sipas të cilëve neoliberalizmi do të ishte prodhues i rritjes së vazhdueshme, ishte një iluzion. Pandemia globale, që shkaktoi një krizë të madhe dhe shumëdimensionale planetare, u keqkuptua, duke pasur parasysh mbizotërimin e një mendimi mekanik, linear dhe të paaftë për të konceptuar kompleksitetin e fenomeneve. Teksa ne gëzohemi që kemi hyrë në shoqërinë e dijes, jemi zhytur në një verbëri që është edhe më e madhe për aq kohë sa besojmë se zotërojmë mjetet e duhura të dijes.
Kjo verbëri na bën të injorojmë se në vitin 1945 nisi një epokë e re kërcënimesh me vdekje për njerëzimin, kërcënim që është rritur gjithmonë e më shumë nga përhapja e armëve bërthamore, sofistikimi i tyre dhe nga mundësia e përdorimit që në rastin e parë të përshkallëzimit dhe amplifikimit të luftës në Ukrainë. Kemi hyrë në krizën e njerëzimit pa iu qasur Njerëzimit; ama nuk e shohim të gjithën, më së shumti shohim disa fragmente të problemit të madh.
Dhe pikërisht në këto kushte u krye agresioni i Ukrainës nga Rusia. Jo vetëm që riprodhohen tmerret dhe krimet e luftërave të mëparshme, si ato të Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm mungon ndërgjegjësimi për të papriturën, të paparashikueshmen, gabimin, iluzionin që na bëjnë lojëra të pavetëdijshme gjatë historisë, por shfaqen edhe tmerre të reja, gabime të reja, iluzione të reja, surpriza të reja, të papritura të reja.
Them se tani mund të kuptohet qëllimi im për të përshkruar të gjitha luftërat që kam njohur. Sepse çdo luftë sjell kriminalitet, pak a shumë sipas natyrës së luftëtarëve; çdo luftë mishëron manikeizmin, propagandën e njëanshme, histerinë luftarake, spiunazhin, gënjeshtrat, përsosjen e armëve gjithnjë e më vdekjeprurëse, gabimet dhe iluzionet, ngjarjet dhe befasitë e papritura... Dhe më duket thelbësore që këto konsiderata të jenë të pranishme në vështrimin tonë për luftën aktuale: Lufta e Ukrainës nuk i shpëton logjikës së asnjë lufte të zhvilluar mes kundërshtarëve të ashpër dhe me vendosmëri.
Kështu që tani duhet të njohim, në të njëjtën kohë, atë që paraqitet e thjeshtë (pushtimi rus i Ukrainës, kundërshtia midis demokracisë perëndimore dhe despotizmit rus) dhe çfarë është komplekse (konteksti historik dhe gjeopolitik).
Është për t'u habitur që në një situatë kaq të rrezikshme, rreziku i së cilës po rritet vazhdimisht, në vendet më të ekspozuara ngrihen aq pak zëra në favor të paqes, mbi të gjitha në Europë. Është e habitshme të shohësh kaq pak vetëdije dhe kaq pak vullnet në Europë, mbi të gjitha në përfytyrimin dhe promovimin e një politike paqeje. Të flasësh për armëpushim, për negociata, denoncohet si një kapitullim poshtërues nga ana e luftëtarëve, të cilët inkurajojnë luftën që duan me çdo kusht ta shmangin në shtëpinë e tyre. Kohët e fundit janë ngritur disa zëra, përfshirë atë të Andrea Riccardi-t, themelues i komunitetit të Sant'Egidio. Por këto zëra mbyten nga zëri në lulëzim i mbështetësve rusë dhe amerikanë të "deri në fund" (ku është fundi?).
Urgjenca është e madhe: kjo luftë nxit një krizë të konsiderueshme e cila përkeqëson dhe do të rëndojë më shumë të gjitha krizat e tjera të mëdha që ka vuajtur njerëzimi si kriza ekologjike, kriza ekonomike, ajo e qytetërimeve, kriza e mendimit. Në vitin 2017 kishte tetëdhjetë milionë njerëz në prag të zisë së bukës. Pas pandemisë, dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë, dhe aktualisht treqind e dyzet e pesë milionë. Sa më shumë rëndohet lufta, aq më e vështirë dhe më urgjente është paqja. Le të shmangim një luftë botërore. Do të ishte më e keqe se ajo e mëparshmja.
*Edgar Morin është filozof dhe sociolog francez, i lindur në Paris më 1921. Vepra e tij voluminoze përbëhet kryesisht nga analiza e fenomeneve kulturore në marrëdhënie me mjetet e komunikimit masiv dhe nga epistemologjia e shkencave humane, që ka kulmuar me veprën “Metoda”. Së fundi ka botaur librin “Nga lufta në luftë”, prej nga është shkëputur pjesa e mësipërme, përkthyer në shqip nga Erjon Uka.