Shënime në Blog

Gjithmonë të lidhur në internet, absurde si të pish cigare në avion

Gjithmonë të lidhur në internet, absurde si të pish cigare

Nga Alex Vicente/ Nëntë sekonda: ja ku është reduktuar kapaciteti ynë i përqëndrimit. Kjo është teza e Bruno Patinos në esenë e tij “La civilisation du poisson rouge: Petit traité sur le marché de l'attention”, në të cilin na përball me rrezikun alarmant të mungesës së përqëndrimit, një plagë e shoqërisë moderne që është shkaktuar nga gjigantët e internetit me përhapjen e vazhdueshme të link-eve, imazheve, pëlqimeve, retweet-ve dhe stimujve të tjerë për sistemin tonë nervor. “Modeli komercial i platformave bazohet mbi publicitetin dhe efikasiteti i tij varet nga koha që përdoruesi i dedikon. Rrjetet janë kthyer në gjahtare të kohës sonë”, thotë Patino në një bisedë telefonike. Peshqit e kuq, të cilëve u referohet titulli i tij, kanë një kujtesë të limituar në tetë sekonda. Sipas Patinos, kujtesa e të lindurve në epokën dixhitale i tejkalon ato vetëm me një sekondë: nga sekonda e dhjetë truri i tyre shpërqendrohet dhe fillon të kërkojë “një sinjal të ri, një stimul të ri, një rekomandim tjetër”.

Patino, me baba bolivian dhe mama franceze, është rritur në një familje bilinguale ku nuk ka pasur televizor. Kjo nuk e ka ndaluar këtë menaxher të njohur, i cili në muajin qershor u nominua president i rrjetit franko-gjerman të artit, që të ketë një prej kurrikulumeve më brilante në panoramën mediatike të vendit të tij. Drejtor editorial i “Arte” nga vitit 2015, Patino ka udhëhequr tranzicionin dixhital të “Le Monde” në dhjetëvjeçarin e fundit, përpara se të drejtonte stacionin radiofonik “France Culture” dhe të emërohej drejtues i programeve dhe zhvillimit dixhital të televizionit publik francez. Pasi provoi në vetën e parë efektet e këtij transformimi, Patino shqyrton pasojat e humbjes së vëmendjes që ai i konsideron "patologjike" në një nivel individual. "Miliona njerëz, përfshirë veten, tani nuk janë në gjendje të shkëputen nga ekrani i celularit për 24 orë. Jemi bërë të varur, është pothuajse një drogë”, shpjegon Patino.

Në nivel kolektiv, mendon se është edhe më keq. Ka sjellë polarizimin e debatit social dhe një sferë publike të dominuar tërësisht nga emocionet. Është shumë i largët ai rrjet egalitar në të cilin shumë shpresonin në vitet ’90, ajo “anarki pozitive” në të cilën vetë Patino besonte verbërisht. “Ka ardhur momenti i keqardhjeve”, pranon në fillim të librit të tij. Kur humbi utopia dixhitale? “Në momentin në të cilin ekonomia u ftua të ishte pjesë e festër. Është shumë e thjeshtë...”, përgjigjet autori, i cili citon edhe fjalinë e dobishme të Bill Clinton – “It’s the economy, stupid” – në epigrafin e esesë së tij. “Jemi bashkërisht përgjegjës për atë që po na ndodh, sepse vullnetarisht u futëm në këtë akuarium. Por përgjegjësia e Facebook dhe gjigandëve të tjerë është edhe më e madhe, sepse po përdorin mjete që manipulojnë emocionet tona”, thekson Patino.

Gjithsesi, eseisti beson se ka një fije shpresë. “Rezistenca është ende e mundur, edhe pse vetërregullimi dhe autodisiplina nuk do të jenë më të mjaftueshme. Duhet të krijojmë çaste dhe vende të lira nga lidhjet e internetit”, paralajmëron autori, që evokon për “një mobilizim shoqëror dhe politik” që do të sjellë një legjislacion specifik. “Në të ardhmen nuk do jetë e pranueshme të qëndroni në celular gjatë një mbledhjeje, një dreke familjare ose në kinema. Të qenit gjithë kohën online do të na duket po aq absurde sa pirja e duhanit në avion”, parashikon Patino. Autori thotë se çdo inovacion teknologjik është ndjekur nga një kuadër rregullator pak a shumë rigoroz. “Pas shpikjes së shtypit na u deshën mes 50 dhe 60 vite që të formohej përgjegjshmëria editoriale dhe t’i vihej fre botimit të broshurave shpifëse, të ngjashme me lajmet e rreme sot. Na u deshën 25 vite për të rregulluar radion dhe 15 vite për të rregulluar televizionin”, kujton. Në rastin e internetit, ai parashikon se problemi do të zgjidhet “pas rreth dhjetë vitesh, pesë për t’u ndërgjegjësuar për problemin dhe pesë të tjerë për të vepruar”.

Patino mori drejtimin e “Arte” në zgjerimin e tij të plotë. Mes viteve 2011 dhe 2019, publiku i këtij rrjeti, që deri pak kohë më parë shihej vetëm si elitar dhe krejt minoritar, u rrit nga 1,5 në 2,6 milionë telespektatorë. Ka mbrëmje në të cilat tejkalon 10% të shikimeve totale falë një kombinimi të dokumentarëve të prodhuar nga vetë televizioni, filmave premierë dhe serive cilësore televizive si “Borgen” ose “Top of the Lake”, që ofrojnë një alternative ose një model të kundërt me Netflix. Në vitin 2021, “Arte” do të transmetojë “Intouchables”, që transferon serinë “In Therapy” në kontekstin e pasojave psikologjike të atentateve terroriste të vitit 2015 në Paris. “Ekziston një kërkesë e fshehtë për cilësi, për mediat që merren me inteligjencën e spektatorit pa hequr dorë nga arritja e një audiencës masive”, thotë Patino.

Një tjetër çelës strategjik do të jetë zgjerimi dixhital, që në rastin e “Arte” është i dukshëm. Mes 2018 dhe 2019, trafiku në web, ku shumë prodhime mund të shihen një javë përpara transmetimit premierë në televizion dhe disa javë pas transmetimit, është rritur me më shumë se 70%, mbi të gjitha nga përdoruesit mes 15 dhe 34 vjeç. “Pozita editoriale duhet të mbetet e njëjtë, por duhet të bëhet gjithnjë e më evropiane për sa i përket identitetit dhe shpërndarjes”, thotë presidenti i një rrjeti që përveç se transmeton në frëngjisht dhe në gjermanisht, ofron një pjesë të vogël të programacionit online në anglisht, italisht, polonisht dhe spanjisht. Ideja e Patinos është që ta bëjë gjithmonë e më pak minoritare.

*Bruno Patino është gazetar, publicist dhe drejtues mediash francez. Alex Vicente është gazetar i “El Pais”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.