Shënime në Blog

Giorgio Parisi: Mos më pyesni nëse Zoti ekziston, udhëtimet në Mars janë vetëm për turizëm

Giorgio Parisi: Mos më pyesni nëse Zoti ekziston, udhëtimet

Fituesi i Nobelit për fizikën këtë vit, profesor Giorgio Parisi, duket tipik si ai shkencëtari gjenial dhe i hutuar, që ka për borxh të hedhë bananen dhe të hajë lëkurën. Por kur hyn në bisedë me të, vë re një shpejtësi dhe saktësi kirurgjikale të përgjigjeve. Tufa e madhe e flokëve të errët bie në kontrast me maskën e bardhë që ia mbulon pjesën më të madhe të fytyrës.

Profesor Parisi, cili është kujtimi juaj i parë?
Perëndimi në Romë. Drita e fundit e ditës që hynte përmes dritares në shtëpinë tonë në Salaria dhe ndriçonte mobiljet dhe bufenë prej kristali. Pastaj mbaj mend zhvendosjen, edhe pse lëvizëm vetëm 500 metra tutje. Bëhet fjalë për vitin 1954 dhe isha gjashtë vjeç.

Po kujtimi i parë publik?
Marrja e pushtetit nga Hrushovi. Stalini kishte vdekur në vitin 1953, për dy vite pushteti u mor nga një trojkë, por Hrushovi i hoqi qafe dy të tjerët. Mbaj mend babain tim që komentonte këtë ngjarje, pastaj më kujtohen gazetat e vitit 1959 që flisnin për njëzetë vjetorin e sulmit mbi Poloninë: fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin ’68 ishit në Universitetin e Romës.
Bëja pjesë në lëvizjen studentore dhe nuk kam kujtime të mira. Nuk isha pjesë e asnjë grupimi, por merrja pjesë në asamble dhe votoja. Një ditë në “Sapienza” erdhi Giulio Caradonna (politikan italian) me rrahësit e tij me shkopinj. Nuk e dinim nëse do të sulmonin Fakultetin e Fizikës apo të Letërsisë. Unë isha te Fizika, për fat sulmuan Letërsinë.

Ju nuk morët pjesë në përleshje?
I pashë. Të zbrapsur nga Letërsia, fashistët mësynë Drejtësinë dhe nisën të hidhnin bankat nga dritaret e auditorëve. Oreste Scalzone mbeti i plagosur.

Në vitin 1973 ju ikët me studime në “Columbia” në SHBA. Si ishte?
Shumë ndryshe nga Italia. Më bënte çudi fakti që e majta ishte e vogël dhe ndarë. Ekzistonte Partia Komuniste dhe dy parti socialiste, të dyja trockiste, që urreheshin mes tyre. Përçarja ndodhi për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi një ishull në arkipelagun indonezian, Timorin Lindor.

Pse zgjodhët fizikën?
Doja të merresha me shkenca ekzakte. Prandaj nuk e mora biologjinë në konsideratë. Isha i pavendosur mes fizikës dhe matematikës. Por për mua, historia e matematikës përfundonte në vitet ‘800. Matematika e viteve ‘900 ishte tejet e komplikuar. Ndërsa fizika e viteve ‘900 ishte e jashtëzakonshme, ose të paktën e ngacmonte më shumë imagjinatën e një tetëmbëdhjetë vjeçari.

Kush ishte fizikani më i madh i shekullit?
Ndaloni një çast. Ajnshtajn, Feinman, Dirak. Kush mund ta thotë? Kush është më i madhi, Leopardi, Carducci, Foscolo apo Pascoli? Varet nga qasja. Por më i këndshmi sigurisht që ishte Feinman.

Pse?
Gjatë leksioneve luante muzikë me qyp. Bënte shaka. Shpikte histori. Histori të tipit që plaka i thotë policit: Nuk mund të ma vendosësh gjobën, si mund t’i kem kaluar 50 kilometra në orë, kur kam vetëm pesë minuta që jam nisur? Të gjithë e njihnin Ajnshtajnin për relativitetin, por Nobelin e fitoi për një kërkim që më dukej më i vogël: efektin fotoelektrik.

Çfarë është efekti fotoeletrik?
Parimi që shpjegon se përse kur ekspozoni kopertinën e një libri në dritë, ngjyrat zbehen. Ajnshtajni e mori Nobelin me këtë zbulim sepse iu desh të përballej me paragjykimet e gjithë botës së fizikës. Ekziston një letër e bukur në të cilën Planku jep një rekomandim për Ajnshtajnin duke dhënë siguri se është gjeni, pavarësisht marrëzive që shkroi për efektin fotoelektrik, rezultat i imagjinatës së tij të tepruar.

A jemi ende në kohë për ta shpëtuar Tokën nga ndryshimet klimatike?
Mund të ndërmerren shumë angazhime, vështirësia është t’i mbash. Çështja është t’i bëjmë politikisht të pranueshme masat e ashpra që duhen marrë dhe t’i ndajmë në mënyrë të barabartë në shoqëri.

Për shembull?
Nëse trefishohet çmimi i benzinës, do të konsumohej shumë më pak dhe planeti do të kishte përfitimet e tij. Por të pasurit do të vijojnë të shkojnë në pikën e karburantit për ta mbushur makinën plot, ndërsa të tjerët do të ecin në këmbë. Kështu nuk bën! Duhet të synojmë mjetet masive të transportit. Megjithatë, pavarësisht pandemisë dhe planit të rimëkëmbjës, nuk shoh metro të reja apo trena të rinj udhëtarësh.

Do të zhduket Toka?
Jo. Ne rrezikojmë të zhdukemi. Në të shkuarën ka ndodhur që temperaturat të shkojnë mbi katër gradë apo nën dhjetë gradë krahasuar me sot. Toka i ka përballuar pa shumë probleme këto luhatje, por specie të ndryshme janë zhdukur ama.

I druheni zhdukjes së species njerëzore?
I druhem mbijetesës së qytetërimit. I druhem shpërthimit të luftërave për resurset që po pakësohen çdo ditë e më shumë. Kujtoni faktin që jemi planet shumë i armatosur.

Në fakt, nuk flitet më për përhapjen bërthamore.
Bombat janë pakësuar, por ka ende sasi të mëdha të tyre që mund t’i vrasin disa herë të gjitha qeniet njerëzore.

Sot nuk ekzistojnë më dy blloqet kundërshtare.
Po. Por pa mendoni se çfarë do të ndodhte nëse do të niste një luftë bërthamore rajonale, për shembull midis Indisë dhe Pakistanit. Dyqind bomba atomike në Luginën e Indus do të shkaktonin qindra miliona vdekje dhe një dimër bërthamor që do të na prekte të gjithëve. Dhe atëherë kush na siguron se Kina dhe Rusia nuk do të ndërhyjnë në mbrojtje të Indisë dhe Amerika në mbrojtje të aleatëve të saj pakistanezë? Një luftë bërthamore do të ishte shumë e vështirë të ndalohej.

Kur lindi jeta në Tokë?
Për këtë ka një debat të madh. Toka është pesë miliardë vjeçare. Gjasat janë që kur është ftohur, të kenë lindur format e para njëqelizore të jetës.

Në ç’mënyrë? Ju e përjashtoni ndërhyrjen hyjnore?
Ndërhyrja hyjnore nuk është shpjegim shkencor. Shkenca nuk do të mundet kurrë ta provojë ekzistencën e Zotit dhe as ta përjashtojë atë. Shumë fe mbështesin idenë e një Zoti të palëvizsshëm që krijoi qiellin dhe tokën, krijoi shkëndijën fillestare, e pastaj i la gjërat të ndodhnin...

Po sipas jush si lindi jeta?
Nuk do ta dimë kurrë saktësisht, deri kur të mundemi të riprodhojmë kushtet identike në laborator. Në Tokë kishte substanca organike: aminoacide, vaj, yndyrna. Ndoshta një lloj yndyre ka sekretuar një pikëz me pak ujë brenda, duke shkaktuar një reaksion kimik. Por cili është ky reaksion dhe si ka ndodhur, është e vështirë të thuhet. Sigurisht, format e para të jetës shumëqelizore të vërtetuara, me pak fjalë kafshët e para, karavidhet e para, janë 570 milionë vjet më parë.



Pse karavidhet?
Sepse janë shembulli i një kafshe shumë të ndryshme nga njeriu. Kjo do të thotë se përparimi i jetës inteligjente ka qenë shumë i shpejtë.

A mund të ketë jetë në planetët e tjerë?
Sigurisht. I joni nuk ka asgjë të veçantë, ndoshta përveç Hënës. Asimovi argumentonte se Hëna, duke shkaktuar baticat, ka luajtur një rol të madh në lindjen e jetës në Tokë.

Asimovi i përket fantashkencës.
Po. Por fakti është se asnjë planet tjetër në sistemin diellor nuk ka një satelit aq të madh sa madhësia e Hënës. Megjithatë, mund të ekzistojnë miliarda e miliarda planetë të banueshëm. Por vështirë të thuhet nëse ato janë streha e formave inteligjente të jetës apo thjesht të krimbave.

A do të hyjmë ndonjëherë në kontakt me jashtëtokësorët?
Me teknologjitë aktuale dhe me ligjet fizike që njohim tani, është shumë e ndërlikuar. Ju mund të dërgoni diçka eksploruese, një lloj sonde, te ndonjë yll. Por do të ishte e vështirë për të marrë sinjale sepse do të duhej të prisnim kthimin e tyre. Do të duheshin njëqind mijë vjet. Pasardhësit tanë mund të mos e dinë pse dërguam një sondë te një yll.

Pra, sfida e vërtetë nuk është hapësira? A janë udhëtimet në Mars të projektuara nga Elon Musk një mënyrë për të rritur aksionet e tij në bursë?
Të shkosh në Mars është turizëm, ose në rastin më të mirë një aventurë e bukur. Por e ardhmja e njerëzimit nuk është në Mars. Është në Tokë. Këtu jemi të mbrojtur nga çdo gjë, sepse duke dalë nga atmosfera do të ekspozoheshim ndaj rrezeve kozmike të cilat në afatgjatë janë shumë të dëmshme, do të nevojitej armaturë prej plumbi me trashësi dhjetë centimetra për t’i përballuar. Unë nuk besoj se do të shpëtojmë duke shkuar në Mars: do të ishim më pak të vetë-mjaftueshëm, me më pak dritë, me më pak nxehtësi. As mendoj se shërbën si zgjidhje për t’u furnizuar. Më e lehtë është të nxirren metale nga Hëna. Sfida e vërtetë është një tjetër.

Cila?
Të mos e shfrytëzojmë më Tokën, por të krijojmë një botë në të cilën gjithçka është e rinovueshme. Sigurisht që është rrugëtim shumë i vështirë, sepse duhet ta kryejmë në kohë, më shpejt se sa të na mbarojnë burimet. Alternativa tjetër do të ishte të ktheheshim në epokën e gurit kur burimet shfrytëzoheshin shumë më pak. Por kjo s’më duket zgjidhja më e mirë.

Si mund të bëhet çdo gjë e rinovueshme?
Mund të provohen metoda të reja për të gjetur burimet e nevojshme, për shembull nxjerrja e metaleve nga deta. Por kjo gjë kërkon sasi shumë të mëdha energjie, e një mënyrë për ta prodhuar është përmes kultivimit të algave në vaska të mëdha.

Keni fituar Nobelin për kërkimet mbi sistemet komplekse. Çfarë është një sistem kompleks?
Mendoni për shumë kuba, të gjithë të njëjtë. Nëse keni një kuti dhe i hidhni në mënyrë të çrregullt, do të hynë pak. Nëse i fusni me rregull, do të hynë më shumë. Por nëse kubat kanë përmasa të ndryshme, do të mbeten hapësira boshe mes njëri-tjetrit. Në këtë moment lind një kompleksitet, që zgjidhet duke i vendosur kubat në mënyrën e duhur. Ky është një sistem kompleks. Dhe nuk ka zgjidhje perfekte, nuk ka përgjigje të saktë; ose ndoshta po, por ndoshta ka shumë përgjigje pothuajse të sakta, shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Gjetja e mënyrës më të mirë për të zgjidhur problemin në mënyrë empirike është pothuajse e pamundur. Për këtë na duhet fizika.

Na jepni një shembull. Jo me kubat, një tjetër.
Pothuajse çdo gjë që ekziston është krijuar me të njëjtët elementë: karbon, oksigjen, hidrogjen, azot. Përshkrimi i një gote me ujë është i thjeshtë: njëqind mililitra, 4 gradë, prania e kripës... Teoria e qenit është tashmë më komplekse se ajo e ujit. Pra, përshkrimi i një qenie njerëzore është jashtëzakonisht kompleks. I mbani mend majmunët e Borgesit?

Ata të cilave shkrimtari argjentinas donte t'u besonte makinat e shkrimit?
Ata. Majmunët e Borgesit do të godasin taste të rastësishëm, e megjithatë në shumësinë e kombinimeve, mund të dilte një tekst me kuptim të plotë. Sigurisht, një kritik nuk do të kishte shumë për të thënë në një copë letre të shtypur nga një majmun; ndërsa një kanto e Komedisë Hyjnore është pafundësisht më komplekse. Megjithatë bëhet me të njëjtat shkronja. Është rikombinim i së njëjtës gjë. Ashtu si gjallesat.

Në këtë moment të intervistës, një rreze nga dielli që perëndon hyn përmes dritares dhe ndriçon mobiljet antike të “Accademia dei Lincei”, president i së cilës është Giorgio Parisi, prej një kohë të gjatë. Profesor, a besoni në Zot?
Pse kjo pyetje u bëhet gjithmonë fizikanëve dhe kurrë futbollistëve apo balerinëve?

Unë ua bëj të gjithëve, edhe futbollistëve dhe balerinëve.
Unë si fizikan, krahasuar me një futbollist apo një balerin, nuk kam ndonjë aftësi apo ndonjë përvojë të veçantë për të thënë se çfarë është hyjnia. Besimi ose mungesa e besimit janë çështje personale, të cilat duhen respektuar gjithmonë.

Dhe meqë ra fjala, jeni edhe balerin.
E vërtetë. Kam nisur me kërcime grupe nga muzika moderne. Pastaj zbulova kërcimet greke.

Sirtakit?
Jo! Sirtaki është diçka e sajuar. E kam fjalën për kërcimet etnike, ato të vërtetat. Si syrtos. Pastaj zbulova salsën afrikano-jugore...

*Giorgio Parisi është fizikan dhe akademik italian, fitues i çmimit Nobel në Fizikë në vitin 2021 për studimin e sistemeve komplekse. Është gjithashtu anëtar i “National Academy of Sciences” në SHBA. Kjo intervistë për “Sette” nga Aldo Cazzullo, u përkthye në shqip nga Erjon Uka.