Shënime në Blog

Genjeshtra që shpiku racizmin

Genjeshtra që shpiku racizmin

Nga John Biewen/ Jam një gazetar, skenarist dokumentarësh dhe mësimdhënës, ndaj për shumë kohë racizmi më ka ngacmuar mendimin: Pse ekziston ende, nëse qartësisht është i gabuar? Nga lindi?

Shkenca është e qartë. Të gjithë jemi e njëjta racë. Jemi të ndërlidhur, trashëgimtarë të një paraardhësi në Afrikë. Disa njerëz e lanë Afrikën për vende më të ftohta e më të errëta, duke humbur kështu melaninën. Por gjenetikisht, jemi të gjithë të njëjtë në 99,9% të qenies sonë. Ka më shumë diversitet brenda grupeve të ashtuquajtura “grupe raciale” se sa mes grupeve të ndryshme raciale. Nuk ka gen që të jetë i bardhë, i zi, aziatik apo çfarëdo racë tjetër.

Po atëherë çfarë ndodhi? Si nisi racizmi?

Para së gjithash, duhet thënë se raca është një shpikje e kohëve të fundit, prej pak shekujsh. Para saj, njerëzit ndaheshin nga feja, tribuja apo gjuha. Por për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, vetë njerëzit nuk e kishin nocionin e racës.

Në Greqinë antike, për shembull, siç më tha historiania Nell Irvin Painter, grekët mendonin se ishin më të mirë se të tjerët, por jo për shkak të ndonjë ideje superioriteti të lindur. Thjesht mendonin se kishin zhvilluar një kulturë më të përparuar. Kështu pra, duke parë etiopianët, persianët apo keltët thanë: “Të gjithë janë gjysmë barbarë krahasuar me ne, kulturalisht nuk janë grekë”.

Dhe në botën antike kishte shumë skllavëri, por njerëzit skllavëronin ata që nuk dukeshin si vetja. A e dini se fjala angleze “slave” vjen nga “slav”? Sepse sllavët janë skllavëruar me shekuj nga të gjithë popujt, përfshi edhe perëndimorët në Europë. Skllavëria nuk ishte çështje race, sepse askush nuk kishte menduar ende për këtë.

Kush mendoi atëherë? Për këtë pyeta një tjetër historian shumë të njohur, Ibram X. Kendi. Duket e habitshme, por mu përgjigj me emër dhe me datë, sikur të bëhej fjalë për shpikjen e llambës.

Më tha se në kërkimin shterues, ka gjetur atë që sipas tij përfaqëson artikulimin e parë të ideve raciste. Dhe më tha emrin e fajtorit: Gomes Eanes de Zurara, një shkrimtar portugez. Shkroi një libër në vitin 1450 në të cilin, sipas Kendit, bëri diçka që askush para tij nuk e kishte bërë. Bashkoi gjithë popujt e Afrikës, një kontinent i gjerë dhe heterogjen, duke i përshkruar si një grup inferior dhe kafshëror. Për të nuk kishte rëndësi se në atë periudhë para-koloniale, disa prej kulturave më të sofistikuara në botë ishin në Afrikë.

E përse ky tipi e tha një gjë të tillë?

Për t’u përgjigjur duhet të ndjekim rrugën e parave. Para së gjithash, Zurara u punësua nga mbreti portugez për ta shkruar këtë libër (“Kronikë e zbulimit dhe pushtimit të Guineas”) dhe vetëm pak vite më parë, tregtarët e skllevërve të lidhur me koronën portugeze ishin pionerët e tregtisë së skllevërve në Atlantik. Ishin europianët e parë që lundruan direkt në Afrikën mbisahariane për të grabitur dhe për të skllavëruar afrikanët. Kështu, papritur lindi nevoja për të pasur një histori mbi inferioritetin e afrikanëve për të justifikuar këtë tregti të re: për ta justifikuar te njerëzit e tjerë, te Kisha dhe te vetja. Dhe me këtë shkrim, Zurara shpiku si të ziun edhe të bardhin, sepse në thelb krijoi konceptin e ngjyrës së lëkurës përmes këtij përshkrimi të afrikanëve: “i ziu nuk ka kuptim pa të bardhin”.

Zurara tha se afrikanët e shitur si skllevër ishin paganë dhe kishin nevojën e shpëtimit fetar dhe civil. Vende të tjera europiane ndoqën shembullin portugez duke rrëmbyer njerëz në Afrikë bazuar në gënjeshtrën e inferioritetit të njerëzve afrikanë.

Prandaj duhet thënë se racizmi nuk lindi si keqkuptim, por si një gënjeshtër.

Ndërkohë, këtu në Shtetet e Bashkuara koloniale, njerëzit që e quanin veten të bardhë i miratuan këto ide raciste dhe i shndërruan ato në ligje, duke privuar të gjitha të drejtat e njeriut nga njerëzit që i quanin të zinj.

Mund ta imagjinoj se mund të jeni duke menduar: "Kjo është një histori e lashtë. Kujt i intereson? Gjërat kanë ndryshuar. A nuk mund ta kapërcejmë atë dhe të vazhdojmë?”. Për mua, mësimi i kësaj historie ka sjellë një ndryshim të vërtetë në mënyrën se si unë e kuptoj racizmin sot.

Raca nuk është diçka biologjike, por është një histori që disa kanë vendosur ta tregojnë. Njerëzit e kanë treguar këtë histori për të justifikuar shfrytëzimin e egër të qenieve njerëzore për qëllime fitimi. Këto fakte nuk i kam mësuar në shkollë, si pjesa më e madhe e jona mendoj. Duke mësuar këtë, bëhet e qartë se racizmi në thelb nuk është një problem i qëndrimeve apo i intolerancës individuale. Jo, është një mjet për të na përçarë dhe për të mbështetur sisteme ekonomike, politike dhe sociale që përfitojnë nga disa dhe udhëheqin disa të tjerë. Gjithashtu është një mënyrë për të bindur shumë të bardhë se mund të përfitojnë më shumë në një shoqëri të shtresëzuar dhe nga ruajtja e status quo-së: “Mund të ishte më keq, të paktën jam i bardhë!”.

Njerëz të fuqishëm punojnë çdo ditë duke përfituar dhe duke e përforcuar këtë armë të vjetër në korridoret e pushtetit. Nuk duhet të shqetësohemi nëse këta njerëz i besojnë ato që thonë apo nëse janë vërtetë racistë. Nuk bëhet fjalë për këtë, por vetëm për para dhe pushtet.

Dhe në fund, mësimi më i madh, e për këtë u drejtohem të bardhëve. Kur kuptojmë se të ngjashmit tanë e kanë shpikur vetë konceptin e racës për të pasur një avantazh, a nuk është është më e thjeshtë për ta kuptuar se ky është një problem që duhet ta zgjidhim ne? Është një problem i njeriut të bardhë. Turpërohem kur them se për shumë kohë kam menduar për racizmin si një luftë për njerëzit me ngjyrë. Jemi të gjithë brenda, jemi të gjithë të përfshirë, dhe nëse nuk i bashkohem luftës për të çmontuar një sistem që më jep në mënyrë të pamerituar një avantazh, jam bashkëpunëtor. Historia nuk është faji im apo faji juaj. Ajo që ndjej është një ndenjë më e madhe përgjegjësie për të bërë diçka.

E gjithë kjo ka ndryshuar mënyrën time të të menduarit dhe qasjes ndaj punës sime si krijues dhe mësimdhënës. Por përtej kësaj, çfarë do të thotë kjo? Çfarë do të thotë për secilin prej nesh? A do të thotë kjo se tani mbështesim udhëheqës që duan ta zgjidhin situatën? Në komunitetet tona, a i gjejmë njerëzit që punojnë për të transformuar institucionet e padrejta? Në punën time, a jam unë personi i bardhë që përpiqem të kuptoj se si të jem një bashkëpunëtor i vërtetë për kolegët e mi me ngjyrë? Kudo që paraqitemi, duhet ta bëjmë atë me përulësi, ndjeshmëri dhe me një gatishmëri për ta hequr këtë pushtet që nuk e kemi fituar.

Të gjithë mund të fitojmë nëse krijojmë një shoqëri që nuk bazohet në shfrytëzimin ose shtypjen e askujt. Duhet ta bëjmë dhe të kuptojmë se si të veprojmë. Sepse është gjëja e duhur për t’u bërë.

*Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.