“Doni të dini se si nisi e gjitha? Nga një pyetje që më rrotullohej në kokë që kur isha vajzë dhe qëndroja vetëm në konviktin e universitetit. Pyesja veten: pse na pëlqejnë kaq shumë këngët e trishta, apo kryeveprat e vogla të muzikës klasike si Adagio e Albinoni-t?”
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Susan Cain ka bërë goxha rrugë: avokate e suksesshme e Wall Street, në vitin 2012 botoi fillimisht librin “Pushteti i të heshturve – Fuqia e introvertëve në një botë që nuk ndalon së foluri”. Në atë periudhë, libri nuk i përgjigjej shpirtit të kohës, sidomos në SHBA. Ama rezultoi të ishte një bestseller, duke i mundësuar që t’i përkushtohej plotësisht shkrimit të librave, duke e shtyrë atë të kërkojë përgjigjen e asaj pyetjeje për këngët e trishta, dhe shumë të tjera, në librin tjetër të sapo botuar "Dhurata e melankolisë". Rezultati ishte një qëmtim i gjithanshëm, nga muzika te arti, nga feja te psikologjia, se pse kultura jonë është kaq armiqësore ndaj asaj ndjenje që ajo e quan melankoli ëmbëlsisht të hidhur.
Fillimisht heshtja, karakteristikë e introvertëve, tani malinkolia. Ju jeni bërë zbuluese e ndjenjave që në këtë shoqërinë tonë të mbi-ndërlidhur dhe të zhurmshme janë jashtë mode. A e prisnit një vëmendje kaq të madhe?
Gjithmonë kam dashur të shkruaj, qëkur kam qenë fëmijë, dhe jam e lumtur për këtë sukses dhe ndikim pozitiv që mund të kem tek të tjerët, edhe pse për mua gjithë ky ekspozim nuk ka qenë gjithmonë i thjeshtë për t’u menaxhuar. Kur shkrova “Pushteti i të heshturve”, shumë njerëzve iu duk një temë e çuditshme. Po e shpjegoj me një shembull: shkova në televizion, për të folur tek Oprah Winfrey. Unë vetë isha nervoze, po kështu ishte edhe producenti i emisionit. Para disa ditësh, isha sërish tek Oprah për të folur mbi “Dhurata e melankolisë” dhe ndjeva një atmosferë krejt tjetër. Po edukohemi që të mos e fshehim dhimbjen.
Është një gjurmë që na ka mbetur nga pandemia?
Sigurisht që pandemia nxiti shpërthimin e një sëmundjeje sociale aq të gjerë, sa nuk mund të fshihej më. Mendoj se nuk jemi më të gatshëm të bëjmë sikur s’ndodh asgjë.
Ju kryeni një rrugëtim interesant: ringjallni teorinë e humorit të Hipokratit për të pohuar se kultura amerikane, me kaq shumë ndikim në nivel global, është një kulturë "kolerike dhe sanguine". (shënim: Hipokrati dallonte katër lloje temperamentesh njerëzore, të cilat ishin sanguine, flegmatike, kolerike dhe melankolike).
Shtetet e Bashkuara bazohen në pritshmërinë sociale të buzëqeshjes. Pyetjes “Si je?” duhet t’i përgjigjesh “Jashtëzakonisht mirë!”. Nuk mjafton të thuash vetëm “mirë”. Por muzika, poezia, letërsia, fetë tregojnë një histori tjetër: janë një përpjekje për të përshkruar gëzimin dhe dhimbjen që gjenden në thelb për përvojës njerëzore. I besoj kësaj historie tjetër, sepse tregon një të vërtetë më të thellë. Kjo do të thotë, se ka një formë më intime lumturie që në mënyrë paradoksale buron nga përqafimi i ndjenjave të dhimbjes dhe nostalgjisë.
Ju reflektoni mbi “dhembshurinë”, atë që ndoshta të gjithë ne e kemi harruar.
Eksperienca njerëzore nuk ndryshon. Ajo që transformohet është përgjigja jonë kulturore ndaj asaj që ndodh. Kështu që ndryshimi është plotësisht i mundshëm, madje po ndodh aktualisht.
Përtej një reflektimi mbi artet, libri është edhe një qëmtim ndërdisiplinor mbi melankolinë, nga feja te kërkimet psikologjike. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?
E kam të rëndësishme ta them që merrem me melankolinë dhe jo me depresionin, që është një gjendje klinike jashtë librit tim. Thënë kjo, mendoj se një prej zhvillimeve më interesante të psikologjisë janë studimet se si eksperienca e dhimbjes transmetohet nga një gjeneratë tek tjetra dhe se sa e rëndësishme është lidhja me paraardhësit, sidomos kur ka ndodhur një traumë. Por zbulimi im i vërtetë lidhet me fenë.
Rizbuluat fenë?
Nuk e kisha kuptuar se ajo që po bëja ishte një kërkim shpirtëror. Përgjigjet më të thella për pyetjet e mia i gjeta duke studiuar fetë, veçanërisht traditat mistike. Thelbi i misticizmit nënkupton që ne, si qenie njerëzore, jetojmë në gjendjen e dëshirës për bashkim me hyjnoren: sa më shumë zhytemi në këtë dëshirë, aq më shumë i afrohemi asaj që kërkojmë. E marrë në rrafshin laik, është dëshira për dashurinë dhe të vërtetën. Dhe cili është motori i kreativitetit, nëse nuk eshte kjo dëshirë? Për më tepër, në traditat mistike, po mendoj për Kabalën hebraike për shembull, ekziston ideja që gjithçka në botë është edhe e prishur edhe e bukur, duke u pajtuar me faktin se e keqja në botë ekziston njëkohësisht me gjithë këtë bukuri, pa e mohuar atë.
Është kjo arsyeja që nga të gjithë artistët, poetët dhe muzikantët që përmendni, është Leonard Cohen i preferuari juaj?
Pikërisht. Mendoj për Halleluja-n e tij dhe se si e shpreh këtë koncept. Por mendoj edhe për poezinë e Rumit, mistikut persian të viteve 1200. Tani e di se çfarë kërkoja në kohët kur e lexoja.
*Susan Cain është shkrimtare dhe lektore amerikane. Është autore e librit “Pushteti i të heshturve” ku trajton kulturën perëndimore që nënvlerëson aftësitë e njerëzve introvertë. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.