Shënime në Blog

Frika, emocioni që kufizon hapësirat dhe mbyll horizontet

Frika, emocioni që kufizon hapësirat dhe mbyll horizontet

Studiuese në Harvard, Brown dhe Oxford, tashmë profesoreshë në Chicago, Martha Nussbaum është një prej zërave më autoritarë në fushën e filozofisë së të drejtës dhe etikës. Të përkthyera në të gjithë botën, veprat e saj përfaqësojnë një pikë referimi për studimin e dinjetetit njerëzor, për reflektimet e emocioneve në politikë dhe për studimet në përgjithësi. I shkruar të nesërmen e zgjedhjes së Trump në postin e presidentit, libri i fundit “Monarkia e frikës” e ruan ende aktualitetin e tij. Dhe tashmë që katërvjeçari republikan është përmbyllur, fjalët e Nussbaum na ndihmojnë për të kuptuar emocionet që kanë animuar politikën dhe shoqërinë, por edhe për të analizuar, edhe një herë tjetër, kohën pandemike që po jetojmë.

Në fillim të pandemisë, pati shumë demonstrime solidariteti. Por gjatë valës së dytë, paqëndrueshmëria e sakrificave ekonomike i dha hov zemërimit. Si e shpjegoni këtë zhvendosje të emocioneve?

Nuk besoj se kanë qenë faza kaq të ndryshme. Madje mendoj se që në fillim të dhembshurisë së përgjithshme, u alternua frika egoiste me zemërimin akuzues. Për shembull menjëherë iu hodh faji Kinës për përhapjen e virusit. Dhe kur frika më pas mori kontrollin e qenieve tona, nisëm të interesoheshim më shumë për familjet dhe për vaksinat, duke harruar personat më të largët. Frika është një emocion që kufizon hapësirat dhe mbyll horizontet. Është një emocion i vetëmbrojtjes dhe e detyron mendjen të përqendrohet te trupi tuaj dhe te njerëzit përreth jush. Kur më pas frikës i shtohet pretendimi për kontrollin e së panjohurës, shpesh krijohet inati. Është më qetësuese kur dëgjojmë se jemi sulmuar nga ndonjë vend i huaj, se sa të dëgjojmë se jemi në mëshirën e diçkaje që nuk e kuptojmë.

Si lind dhe si vdes dhembshuria?

Adam Smith thoshte se kur njerëzit marrin lajmin e një tërmeti në Kinë mbushen me dhembshuri, por nëse u thuhet menjëherë më pas se gishti i tyre i vogël do të pritet nesër, e gjithë vëmendja e tyre përqendrohet menjëherë te gishti. Dhembshuria varet nga mendimi nëse vuajtja e tjetrit është domethënëse dhe serioze, por varet edhe nga pozicioni që ka tjetri në rrethin e shqetësimeve për ne. Pjesa më e madhe e jona, në të shumtën e rasteve, e përkufizon rrethin e shqetësimeve në rreze shumë të ngushtë. Bëhet fjalë për një sjellje morale që mund ta ushtrojmë nëse mbajmë gjallë shembuj jetësorë të vuajtjeve të të tjerëve. Shpesh mediat raporojnë histori të njerëzve në zona të tjera që kanë vdekur nga Covid-19 vetëm për të mbajtur gjallë imagjinatën tonë, por gjithsesi mbetemi brenda kufijve shtetërorë. Janë të pakta historitë që na vijnë për viktimat e virusit në Indi për shembull. Ndoshta ekziston mendimi se të mbështesësh dhembshurinë në nivel global është shumë e vështirë.

Mendoni se mediat janë përgjegjëse për panikun, ose të paktën për një qasje jo të balancuar mbi atë se çfarë ka ndodhur?

Për të thënë të vërtetën mendoj se mediat kanë kryer një punë të paqme përsa i përket pasqyrimit të fakteve për publikun dhe për t’i ofruar një platformë shprehjeje edhe shkencës. Ajo për të cilën kemi nevojë nuk është frika, por një frikë e arsyetuar. Në Shtetet e Bashkuara problemi më i madh nuk është paniku, por indiferenca. Shumë mbështesin tezën se nuk ekziston pandemia, edhe pse njerëzit përreth tyre po humbasin jetën. Është kjo arsyeja thelbësore se përse statistikat tona shëndetësore janë kaq keq. Nëse në Illinois është menaxhuar më mirë situata se në shtetet fqinje, kjo ka ndodhur pikërisht falë masave të rrepta dhe goditjeve të pamëshirshme që jepte media. Kur një prej këshilltarëve tanë ka inaguruar një restorant në kundërshtim me masat kufizuese, u dënua ashpër me një gjobë të kripur. Ndoshta kjo do të frymëzojë një frikë të arsyeshme, nëse virusi vetë nuk do të arrijë ta bëjë. E pëlqej buletinin e orës 17:00 sepse prezanton të dhënat e virusit në një mënyrë të qartë dhe të qetë, duke provokuar një frikë të arsyeshme dhe duke paraqitur mendimet e ekspertëve më të rëndësishëm në mjekësi. Natyrisht më pas ka shumë media që shpërndajnë teori konspirative të çdo lloji, duke përfshirë edhe idenë se virusi është një shpikje. Vetë ish Presidenti Trump i mbështeste këto teori konspiracioni dhe ky ishte një problem i madh. Është e rëndësishme që frika të lidhet me të vërtetën.
Në librin tuaj “Monarkia e frikës” shkruani për strategji agresive të projektimit të frikës mbi tjetrin. Virusi është diçka krejtësisht e panjohur. Është një element taktik perfekt për këto strategji diskriminimi dhe konkurrence.
Megjithëse pati një tentativë të parë për t’ia hedhur gjithë fajin Kinës, nuk besoj se qytetarët me origjinë kineze pësuan dhunë apo diskriminime. Tani që po flasim për vaksinat, mungon një strategji e vërtetë globale, shtetet po marrin ç’të mundin dhe me shumë mundësi ky do të jetë një problem i madh për disa kohë. Në afatgjatë, duke qenë se me siguri do të kemi më shumë vaksina efikase, do të ketë mjaftueshëm për të gjithë. Por në këtë moment, vendet janë në konkurrencë mes tyre. Sa herë që diçka është në sasi të kufizuara, në mungesë të aleancave të qarta apo të traktateve të qëndrueshmërisë, nuk mund të presim gjë tjetër veçse konkurrencë.

Siç vini re ju, ta mendosh politikën si një çështje të thjeshtë institucionale është iluzion. Por kur politika i drejtohet emocioneve, kryesisht nxit dhe shfrytëzon ato negativet. Çfarë na thotë humbja e Trump për emocionet që qarkullojnë në politikën perëndimore?

Para së gjithash dua të ngre një premisë që e kam përsëritur mijëra herë: nuk ekziston një kundërshti e thjeshtë dhe e qartë mes emocioneve dhe arsyes. Emocionet mishërojnë njohjet, domethënë përpunimin e informacionit dhe të njohuritë rreth vlerave, të mirës apo të keqes së dikujt. Frika nënkupton mendimin për një rrezik të madh që na kërcënon, zemërimi nënkupton mendimin e padrejtësisë së dëmtimit të konsiderueshëm të asaj që na intereson dhe kështu me radhë. Nëse me “irracional” nënkuptohet “pa asnjë mendim”, emocionet nuk janë irracionale apo të kundërtat e arsyes. Nëse me “iracional” nënkuptohet “vendimmarrje e bazuar në mendime të papërshtatshme dhe të keqformuara”, në këtë mënyrë emocionet mund të konsiderohen iracionale. Por në këtë kuptim janë irracionale edhe shumë mendime. Një person që ende beson se Trump ka fituar zgjedhjet, për shembull, ka një bindje irracionale. Një tjetër kundërshti është ajo mes emocioneve negative dhe emocioneve pozitive. Nëse emocionet negative janë të dhimbshme, ne duhet të përfshijmë mes tyre edhe frikën e justifikuar dhe të pajustifikuar. Madje edhe dhembshurinë dhe vajtimet për një person të dashur, emocione këto themelore me të cilat shprehim dashurinë tonë. Por nëse me negative nënkuptohet “të dëmshëm për shoqërinë”, atëherë është histori tjetër. Nuk është e mundur të klasifikosh një emocion të tërë si negativ, është e nevojshme që duke folur për emocionet, të jemi më specifikë. Mendoj për shembull se shumë forma të neverisë janë gjithmonë negative për shoqërinë, ashtu siç besoj se është gjithmonë e dëmshme për shoqërinë zemërimi ndëshkues, që shkakton dhimbje në këmbim të dhimbjes së pësuar. Por nuk jemi të shumtë ne që e mendojmë kështu. Për t’u kthyer te pyetja, mendoj se politika merret me promovimin e shumë lloje emocionesh: dashuri, shpresë, frikë, inat dhe përçmim. Është e nevojshme të vihet në dyshim emocioni specifik dhe të pyesim veten nëse është i mirë apo i keq për shoqërinë. Edhe dashuria mund të jetë problematike nëse promovohet në një dimension të ngushtë dhe sektar.

Politika populiste mobilizon zemërimin kundër asaj që konsiderohet e huaj dhe e rrezikshme. Demonstrata të shumta globale, të tilla si ato të lëvizjes "Black Lives Matter" në Shtetet e Bashkuara, në vend të kësaj mobilizojnë zemërimin kundër forcave politike të fragmentarizuara. A mund të jetë zemërimi një emocion konstruktiv?

Shikoni, në këtë pikë është mirë të bëjmë disa dallime. Mendoj se pjesa më e madhe e formave të zemërimit janë destruktive dhe jo konstruktive, sepse kërkojnë t’i zgjidhnin problemet duke kërkuar hakmarrje dhe kjo nënkupton vetëm më shumë dhimbje. Siç thoshte Gandi “Sy për sy dhe bota bëhet e verbër”. Por ka një formë zemërimi që është i çliruar nga dëshira për hakmarrje. Është zemërimi që denoncon një nëpërkëmbje dhe shtyn për zgjidhje. Ky emocion e ruan indinjatën, por sheh përpara duke kërkuar zgjidhje në vend të dhimbjes hakmarrëse. Është kjo që e quaj “zemërim kalimtar”. Martin Luther King fliste për këtë kur thoshte se zemërimi i njerëzve në lëvizjen e tij duhet të “purifikohet” përpara se të jetë konstruktiv në pikëpamjen sociale.

*Martha Nussbaum është filozofe amerikane dhe lektore në University of Chicago. Përgjatë karrierës së saj ka kryer punime mbi filozofinë e lashtë greke dhe atë romale, filozofinë politike, ekzistencializmin, feminizmin, etikën duke përfshirë edhe të drejtat e kafshëve. Kjo intervistë për Carlo Crosato në revistën “L’Espresso” u përkthye nga Erjon Uka.