Fëmijët e llastuar në demokracinë e internetit
Nga Paul Krugman/ Disa vite më parë, mendoj se ka qenë 2015, kuptova në shumë pak kohë se sa e thjeshtë është të kthehesh në një njeri të urryer. Isha folësi i parë në një kongres në San Paolo të Brazilit dhe rrugës për të shkuar, fluturimi im pësoi një goxha vonesë. Duke pasur frikë se mos humbisja fjalimin tim për shkak të trafikut famëkeq të qytetit, organizatorët morën masa që dikush të më priste në aeroport dhe të më çonte me helikopter drejt e në tarracën e hotelit.
Në fund të konresit, kur pashë se një makinë po më priste me qëllim që të më shoqëronte pas në aeroport, mendova: “Si kështu? Duhet të shkoj me makinë?”. Zakonisht, në jetën e përditshme lëviz me metro. Por përtej çdo gjëje, mësimi që mora në atë moment meskiniteti ishte se privilegji të korrupton dhe është shumë e lehtë që brende teje të lindë mendimi se e ke fituar atë të drejtë. Sigurisht që, për të perifrazuar Lord Action, një privilegj i madh të korrupton po aq shumë, pjesërisht nga fakti se të privilegjuarit rrethohen nga njerëz që nuk do të guxonin kurrë të vinin në dukje sjelljen e keqe.
Prandaj nuk më trondit skena e vetëshkatërrimit të reputacionit të Elon Musk. A më bën kurioz? Po, kush nuk do të ishte? Megjithatë, kur një njeri jashtëzakonisht i pasur – i mësuar të ketë gjithmonë atë që dëshiron dhe të jetë po ashtu një ikonë e admiruar – e gjen veten duke humbur jo veç konsideratën që gëzon në opinionin publik, por edhe duke u bërë objekt i përgjithshëm talljeje, është e natyrshme që ai ta lëshojë veten në mënyrë të paarsyeshme dhe, duke e bërë këtë, rrezikon t’i bëjë gjërat edhe më keq.
Do të ishte shumë interesante të pyesnim veten se përse qeverisemi nga njerëz të këtillë, kur tashmë është e qartë se jetojmë në kohën e oligarkëve mendjemëdhenj. Siç vuri në dukje së fundmi Kevin Roose në Times, Musk ka ende shumë admirues në sektorin teknologjik. Admiruesit e tij nuk e konsiderojnë aspak si ndonjë djalosh të llastuar, por përkundrazi, si një njeri që kupton se ç’drejtim duhet të marrë bota – ideologji që shkrimtari John Ganz e përkufizon si arrogancë, kur njerëzit e rëndësishëm nuk duhet t'i japin llogari popullatës për veprimet e tyre dhe as nuk duhet të kritikohen për këtë. Ata që përkrahin këtë ideologji kanë natyrshëm fuqi të madhe, edhe nëse kjo fuqi nuk shtrihet ende në mbrojtjen e ndjekësve të Musk-ut nga rreziku i ofezave publike. Si është e mundur?
S'habit më fakti që përparimi teknologjik dhe rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto nuk arritën t’i jepnin jetë një shoqërie të lumtur dhe të drejtë. Për aq sa mbaj mend, pikëpamjet pesimiste për të ardhmen kanë qenë gurët e themelit të analizave serioze dhe kulturës popullore. Në çdo rast, qoftë kritikët e shkencave sociale si John Kenneth Galbraith, ashtu edhe shkrimtarët intelektualë si William Gibson, përgjithësisht i kanë imagjinuar prej kohësh distopitë koorporatiste që mbysin individualitetin, por jo shoqëritë e dominuara nga plutokratët egoistë, të cilët ngjallin zemërim duke shfaqur pasiguritë e tyre në publik.
Pra çfarë ndodhi? Në një pjesë të saj, përgjigja natyrisht që duhet kërkuar në përqëndrimin e pasurisë në majë të shoqërisë. Edhe përpara flluskës së Twitter-it, të shumtë ishin ata që e krahasonin Elon Musk-un me Howard Hughes-in në vitet e perëndimit të tij. Gjithsesi pasuria e tij, edhe pse e kontekstualizuar me dollarët e sotëm, është thuajse e papërfillshme me atë të Musk-ut, pavarësisht rënies së fundit të aksioneve të kompanisë Tesla. Sipas vlerësimeve që kemi në dispozicion, sot pasuria totale e 0,00001% të popullsisë më të pasur është rreth dhjetë herë më e lartë se ajo e përpara dyzetë viteve. Pasuria e pamatë e super-elitës moderne, natyrisht që sot përkthehet po ashtu në një fuqi të jashtëzakonshme, përfshirë edhe luksin për të vepruar në mënyrë fëminore.
Përtej kësaj, shumë prej supermiliarderëve – që një herë e një kohë fshihen sa kishin mundësi nga shtresat e tjera sociale – sot janë kthyer mirëfilltazi në personazhe të famshëm. Arketipi i njeriut novator që pasurohet duke ndryshuar botën nuk është i ri, daton që në kohën e Thomas Edison-it. Pasuritë e mëdha në fushën e IT-së e kthyen këtë fabul në një kult të mirëfilltë, që me Steve Jobs-in dhe tani me ndjekësit e tij që vërehen ngado. Në të vërtetë, kulti i sipërmarrësit gjenial ka pasur një ndikim shumë të madh në dështimin e kriptovalutave. Sam Bankman-Fried i FTX nuk po shiste një produkt të prekshëm dhe, me sa mund të thuhet, këtë nuk e bëjnë as ish-rivalët e tij që nuk kanë falimentuar ende. Pas gjithë kësaj kohe, askush nuk e ka kuptuar se si mund të përdoren kriptovalutat në jetën reale, përveçse për të pastruar paratë e pista. Në fakt, ajo që Bankman-Fried po shiste ishte një imazh, ai i një vizionari me flokët kaçube dhe veshjet e pahijshme, i cili parashikon të ardhmen ashtu siç asnjë individ i zakonshëm nuk do të arrinte ta bënte.
Elon Musk nuk i përket tamam kësaj kategorie. Kompanitë e tij prodhojnë automobile që vërtetë qarkullojnë dhe raketa që vërtetë fluturojnë. Por e sigurt është që shitjet e tij, dhe mbi të gjitha vlera që kanë në treg kompanitë e tij, varen shumë nga forca e markës së tij personale, që mesa duket ai nuk e shmang dot ta çojë për dreq ditë pas dite. Në fund, Musk dhe Bankman-Fried mund ta gjejnë veten të detyruar të bëjnë punë komunitare të nevojshme, duke njollosur kështu legjendën e sipërmarrësit gjenial që ka bërë kaq shumë dëme.
Për momentin, palaçollëqet e Musk-ut në Twitter po shkatërrojnë atë që rezultoi të ishte një burim i vlefshëm, një vend ku disa prej nesh shpenzonin kohë për të marrë informacione nga njerëz që dinin se për çfarë po flisnin. Tani, fundi i lumtur duket gjithnjë e më i pamundur. Meqë ra fjala: nëse ky artikulli im bllokohet nga Twitter - ose nëse faqja ime thjesht ç’aktivizohet për abuzim – artikujt e mi, së bashku me mendimet e një numri gjithnjë e më në rritje të mërgimtarëve nga Twitter, i gjeni në Mastodon.
*Paul Krugman është ekonomist amerikan, i nderuar me çmimin Nobel për punën e tij në lidhje me Teogrinë e Tregtisë së Re dhe Gjeografinë e Re Ekonomike. Është autor i 27 librave dhe kontribues i rregullt në “New York Times”. Ky artikull u përkthye nga Erjon Uka.