Shënime në Blog

Çfarë nuk shkon me kulturën tonë

Çfarë nuk shkon me kulturën tonë

Nga Alan Watts/ Si shpjegohet që nuk arrijmë të përshtatemi me ambientin pa e shkatërruar atë? Si shpjegohet që suksesi ynë është dështim? Si shpjegohet që po ndërtojmë, me fjalë të tjera, një shoqëri gjigante teknologjike e cila duket se na lejon të realizojmë çdo dëshirë thjesht duke prekur një buton, por ndërkohë si nëpër përralla, kur dëshirat më të fund materializohen, janë si ari i zanave, aspak reale?

Pasuritë që krijojmë janë të përkohshme dhe për pasojë jemi të frustruar, tmerrësisht të frustruar. Mendojmë se gjëja e vetme që duhet bërë është të ecim përpara dhe të fitojmë gjithmonë e më shumë. Dhe si pasojë e kësaj, e gjithë bota jonë nisë t’i ngjajë dhomës së një fëmije të llastuar, që ka shumë lodra të cilat i janë mërzitur dhe i hedh tutje me të njëjtën shpejtësi me të cilën i merr, duke luajtur vetëm për ndonjë minutë.

Gjithashtu jemi përfshirë në një luftë të jashtëzakonshme mbi përmasat themelore të hapësirës dhe kohës, sepse duam t’i zhbëjmë limitet e tyre. Duam të marrim sa më shumë në sa më pak kohë. Duam t’i shndërrojmë ritmet dhe kapacitetet punëprodhuese në para, me të cilat sigurisht mund të blesh diçka, por nuk mund t’i hash, që pastaj të kthehemi me shpejtësi në shtëpi nga puna dhe më në fund të kemi kohë për jetën tonë të vërtetë dhe ta shijojmë atë.

Por a e dini se për pjesën më të madhe të njerëzve ai që duket qëllimi i vërtetë i jetës është të vrapojnë në shtëpi për të parë një riprodhim elektrikonik të jetës, që nuk mund të preket, nuk mund të nuhatet dhe nuk ka shije. Mund të mendohet se njerëzit kthehen në shtëpi për qëllimin e vërtetë të jetës. Në një kulturë të vërtetë materialiste, ata do të ktheheshin në shtëpi për të marrë pjesë në një banket gjigant, ose për të bërë dashuri apo të pëhumbeshin në muzikë dhe në vallëzim. Por asgjë e tillë nuk ndodh.
Në vend të kësaj, duket se qëllimi i vërtetë është përsiatja e thjeshtë pasive në një ekran: të gjithë janë të izoluar, duke parë këtë gjë. Dhe nuk ka më bashkësi të vërtetë me të tjerët. Ky izolim i njerëzve në botën e tyre private është në të vërtetë krijimi i një popullate pa tru.

Është pranuar në mënyrë të përsorur shfaqja e armiqësisë midis njerëzve në sport, diskutime apo në mbledhje publike dhe gjithmonë flitet për vrasje dhe keqtrajtime në televizione. Thuajse asnjëherë nuk shihen njerëz që e duan njëri-tjetrin, me të vërtetë, jo të shtirur. Dikush mund të dalë në përfundimin se supozimi që qëndron pas gjithë kësaj gjendjeje është se shprehja e dashurisë fizike është më e rrezikshme se shprehja fizike e urrejtjes.
Dhe mesa duket një kulturë e bazuar në këto supozime është thelbësisht e çmendur. Që i kushtohet, sigurisht në mënyrë të pavullnetshme, jo mbijetesës, por shkatërrimit të vërtetë të jetës.

*Alan Watts ishte filozof dhe shkrimtar anglez, i fokusuar në filozofinë orientale ku përfshiheshin budizmi Zen, taoizmi dhe induizmi. Së bashku me Carl Gustav Jung përpunoi disa nga tezat e reja të psikologjisë moderne. Ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare nga një atak kardiak, pas një turi të lodhshëm seminaresh. Kjo pjesë është transkript i një fjalimi dhe u përkthye nga Erjon Uka.

Ndalohet ribotimi pa lejen e editorit