Shënime në Blog

Çfarë i thotë gjuha e pushtetit dashurisë

Ndër boshllëqet shoqërore, mungesa e zotërimit të gjuhëve është ndër ato me pasojat më problematike, sepse të kesh më pak mjete për të kuptuar botën do të thotë gjithashtu të mos jesh në gjendje të bësh diçka për ta ndryshuar atë.

Çfarë i thotë gjuha e pushtetit dashurisë

Nga Michela Murgia/ "Kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime". Me këtë frazë, Ludwig Wittgenstein në vitet 1920 gozhdoi çdo qëndrim spekulativ ndaj relativizmit kulturor, pa marrë parasysh sa i zhvilluar mund të ishte ai, duke deklaruar se edhe mendja më e mprehtë në fund të fundit mund të dijë vetëm atë së cilës ia njeh emrin. Sidoqoftë ka shumë gjuhë, për fat të mirë, dhe në kontekstin e rritjes së kompleksitetit në të cilin jetojmë, ne kemi mundësinë të jemi të shkolluar në më shumë mënyra sesa mund të ishin parashikuar në fillim të shekullit të kaluar.

Ardhja e shkencës kompjuterike dhe internetit, e kodeve dhe mjeteve të reja të komunikimit dixhital, globalizimit të imagjinatës që më parë ishte e kufizuar gjeografikisht dhe ardhja e hibridizimit të vazhdueshëm gjuhësor janë vetëm disa nga ndryshimet që kanë zgjeruar konceptin e gjuhës siç e imagjinonte Wittgenstein, por ky kompleksitet - i cili na erdhi i plotë disa dekada më parë - nuk është i lehtë për t’u përftuar dhe në fakt shumë njerëz nuk kanë sukses.

Ndër boshllëqet shoqërore që çdo bashkësi demokratike duhet të përpiqet të plotësojë, mungesa e zotërimit të gjuhëve është ndër ato me pasojat më problematike, sepse të kesh më pak mjete për të kuptuar botën do të thotë gjithashtu të mos jesh në gjendje të bësh diçka për ta ndryshuar atë.

Nëse jeni pjesë e një grupi shoqëror që gëzon më pak të drejta, kjo formë e re e analfabetizmit e ushqen padrejtësinë që përjetoni. Ndërsa prisnim që politika dhe sistemet kulturore institucionale të merrnin sfidën e tejkalimit të hendekut më të rëndësishëm mbi të cilin rrezikohet stabiliteti shoqëror i së ardhmes, osmoza midis gjuhëve dhe imagjinatës së largët për fat të mirë vazhdon vetvetiu, shpesh në mënyra befasuese.

Një nga kanalet më të ndjekura përmes së cilit mund të vërehet ky ndikim përfaqësohet nga mundësitë ndërkulturore të ofruara prej platformave të filmave dhe serialeve televizivë “on demand”. Në Netflix, Amazon, Disney dhe në dhjetëra hapësira më të vogla është e mundur të shihni produkte argëtimi që asnjë program tradicional nuk do t'i ofronte spontanisht për një audiencë gjeneraliste perëndimore. Një shembull janë seritë televizive nga Azia Lindore, në veçanti ato të bashkëprodhuara në Korenë e Jugut, të pranishme me dhjetëra prodhime në platforma të ndryshme.

Përhapja e kulturës koreano-jugore në Perëndim daton që nga vitet '90 dhe në radhët e të apasionuarve ishte një fenomen i njohur aq shumë sa që u përcaktua si “Hallyu” (fjalë për fjalë do të thotë "vala koreane"), e shprehur mbi të gjitha përmes dramave televizive dhe muzikës pop; megjithatë, pavarësisht nga emri, përpara ardhjes së platformave video, Hallyu ishte një fenomen i rezervuar për një grup të vogël që dinin se ku ta kërkonin atë, ndërsa sot çdo trembëdhjetë vjeçar nga shtëpia ne provincën italiane mund të “ngecë” rastësisht në një dramë koreane në Netflix dhe ta shohë pa ndonjë ndërmjetësim tjetër përveç titrave.

Nëse kjo ndodh, mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar kufijtë e gjuhës në një kuptim post-Wittgensteinian, veçanërisht atë emocional. Në fakt, dramat aziatike shpesh janë histori dashurie, por tregohen në një mënyrë që do të ishte pak romantike në Perëndim: si marrëdhënie të fuqisë ekonomike.

Një shembull i mirë fillestar nga i cili mund të kuptojmë janë katër versionet e serialeve (japoneze, kineze, tajvaneze dhe koreane) të mangës historike "Hana Yori Dango", një lloj kryqëzimi midis "Muzgu" dhe "E bukura dhe bisha", ku elementi monstruoz nuk përfaqësohet nga një vampir apo protagonist i kafshëve, por nga trashëgimtari prepotent i një dinastie plutokratësh familja e të cilëve nuk është aspak e lumtur që ai shkon me një vajzë të thjeshtë e cili përfundoi rastësisht në shkollën e tij të mesme. “Prano dashurinë e tij, do të mbrojë”, i thonë mikeshat vajzës në kor, dhe nëse do të ishte “Pretty Woman”, dashuria do të mjaftonte.

Por në Azi vajza përgjigjet: “Sa më shumë mbrojtje të marr, aq më shumë guximi im zvogëlohet. Kjo mbrojtje prish reciprocitetin dhe nuk dua një lidhje në lartësi”. Gjuha e pushtetit, nëse kuptohet në këndvështrimin e dhunës që përfaqëson, i shpëton ndjenjat nga iluzioni i të qenit të vetëmjaftueshme dhe nëse kjo kuptohet që trembëdhjetë vjeç duke parë një dramë Tajvaneze, mbase kufijtë e botës sonë ekonomike dhe sentimentale mund të jenë më të gjera.

*Michela Murgia është një shkrimtare, dramaturge dhe opinioniste televizive italiane. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.