Shënime në Blog

E thua dot se çfarë profesioni ke?

Mesatarisht, një të diplomuari do t’i duhet që gjatë jetës të ndryshojë të paktën dymbëdhjetë herë vendin e punës dhe minimumi tre herë bazën e aftësive profesionale, sepse njohuritë e marra në moshën 20-vjeçare ka pak të ngjarë që të gjejnë përputhshmëri me tregun e dy dekadave më vonë.
E thua dot se çfarë profesioni ke?

Nga Erjon Uka/ I ulur përballë tryezës së shërbimit të klientit në bankë, duke dhënë gjeneralitetet, m’u desh t’i përgjigjesha një pyetjeje ndaj së cilës për fare pak sekonda hezitova, por mjaftueshëm për të menduar më pas. Në procedurën burokratike të përditësimit të të dhënave, ku përfshihej kontakti, adresa e email, adresa e banimit, me një buzëqeshje rutinore specialistja përballë më pyeti: Profesioni?

Edhe më parë në biseda krejt të zakonshme, kisha kuptuar se nuk isha i vetmi që kishte vështirësi në artikulimin me një fjalë kyçe të profesionit të tij. Forca punëtore që i përket të ashtuquajturave gjenerata “Y” dhe “Z” vuan nga kjo sindromë, për shkak të punëve e profesioneve të reja, aq sa ekziston batuta se prindërit e dinë se fëmijët e tyre punojnë shumë, por nuk janë në gjendje të kuptojnë saktësisht se çfarë bëjnë. Sigurisht që në tryezë me miq të vjetër a të tjerë të njohur, që mund të dëgjojnë deri në një minutë, mund të sqaroj se merrem me marrëdhëniet me publikun në një universitet, jap mësim më kohë të pjeshme në fushën e marketingut dixhital, shkruaj e përkthej në një blog personal prej disa vitesh, jap trajnime profesionale po në marketing dixhital, kur qëllon që dëshira ime përputhet me nevojat e botuesve mund të përkthej libra e kështu me radhë.

Po a mund të sintetizohet kjo në një fjalë? Më parë, në brezin e prindërve tanë, mund të thuhet se punët ndaheshin në dy kategori kryesore: në zanate dhe në profesione. Tek e para bënin pjesë këpucarët, hidraulikët, elektriçistët, shoferët, berberët, ndërsa te kategoria e dytë mjekët, inxhinierët, mësuesit e pedagogët, veterinerët, ekonomistët e të tjera të ngjashme. Gjithçka ishte më e kategorizuar, më e qartë, më e sintetizuar, më e ftohtë. E kjo për faktin se profesioni diktonte jetën, e jeta diktohej nga profesioni.

Kjo nuk është më kaq e vërtetë sot. Së pari prej profesioneve të reja që janë krijuar, të cilat edhe pse mund të jenë të njohura në mesin e të rinjve, nuk janë ende fort të kuptueshme dhe të asimilueshme nga pjesa tjetër e popullsisë. Së dyti, sepse të diktuar nga kostot e larta të jetesës dhe nga ritmet gjithmonë e të më të shpejta të jetës në qytet, nuk është i paktë numri i atyre që bëjnë më shumë se një punë. Së treti, ekonomia e centralizuar e Shqipërisë nuk njihte edhe shumë punë që po në të njëjtën periudhë kohe zhvilloheshin në vendet perëndimore, siç mund të ishin agjentët e pasurive të paluajtshme apo menaxherët e biznesit, prandaj sot ka më shumë vështirësi për kuptimin e trendeve të reja. E së katërti, sepse një basen shumë i madh punësh të reja nuk kërkojnë domosdoshmërisht përputhje të plotë me profilin e studimit. Nëse më parë këto ishin raste përjashtimore të imponuara edhe nga struktura arsimore (mjafton të kujtosh se që në arsimin e mesëm flitej për drejtim shkencor dhe drejtim shoqëror), tashmë çudi përbën e kundërta, pra sukses është të punosh në përputhje me profilin e studimit.

Siç shkruante Richard Sennett, në mungesë të strukturave organizative të stabilizuara, ndryshimi i punës bëhet gjithmonë e më i paparashikueshëm. Mesatarisht, një të diplomuari do t’i duhet që gjatë jetës të ndryshojë të paktën dymbëdhjetë herë vendin e punës dhe minimumi tre herë bazën e aftësive profesionale, sepse njohuritë e marra në moshën 20-vjeçare ka pak të ngjarë që të gjejnë përputhshmëri me tregun e dy dekadave më vonë.

Sot në radhët e atyre që paguhen më shumë, po renditen punë e profesione që nuk ekzistonin deri dhjetë vite më parë: ekspertët e blockchain, menaxherët e rrjeteve sociale dhe një gamë shumë më e gjerë profesionesh që lidhen me marketingun dixhital dhe krijimin e kontentit, inxhinierët e inteligjencës artificiale, influencuesit, fizikanët e telemjekësisë, shkencëtarët e të dhënave dhe ekspertët e big data etj., për të mos folur për ndryshimet radikale që kanë pësuar edhe profesionet ekzistuese.

Megjithë dëshirën e madhe të një humanisti si Edgar Morin, që flet vazhdimisht për nevojën e aftësive ndërdisiplinore të punonjësve, tregu po shkon gjithmonë e më shumë vertikalisht drejt profesionistëve të mbi-kualifikuar vetëm për një segment apo proces pune në një industri të caktuar.

Përtej pandemisë dhe atyre që janë thënë e po shihen në lidhje me punën fleksibël apo atë në distancë, krijimi i profesioneve të reja dhe oferta për punë do të diktohen nga dy faktorë të tjerë të rëndësishëm: zhvillimi dixhital dhe qëndrueshmëria ekologjike. Prandaj më shumë se për profesione solide, duket se ka më rëndësi industria ku jetësohet profesioni.

Po ti, çfarë profesioni ke?