Shënime në Blog

E arrijmë dot qëndrueshmërinë?

Pandemia, katastrofat natyrore, madje edhe lufta rrëqethëse e Putinit, na mësuan se duhet të zhvillojmë qëndrueshmërinë, se angazhimet tona duhet të finalizohen duke stabilizuar një formë përshtatjeje, fleksibiliteti dhe empatie të jetuari. Ne duhet të mësojmë të ruajmë standardet dhe marrëdhëniet ekzistenciale, edhe duke kaluar nëpër vuajtje të papërshkrueshme.
E arrijmë dot qëndrueshmërinë?

“Kjo luftë e mallkuar e mbërtheu planetin tamam në çastin kur dukej se më në fund po merrte rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Por në vend të revolucionit të tretë industrial, të epokës dixhitale, ne tani detyrohemi të flasim për luftën e tretë botërore: megjithatë duhet të bëjmë të pamundurën për të zgjidhur ndryshimin e klimës që shkakton dëme të pakthyeshme.”

Mantra e Jeremy Rifkin, ekonomist, sociolog dhe aktivist, është “mos u dorëzo kurrë”. Libri i tij i fundit, “Koha e qëndrueshmërisë” është përmbledhja e një udhëtimi të gjatë përmes kauzave të duhura: Rifkin e filloi në vitin 1967 me marshimet për Vietnamin, atëherë flamurtar i Vullnetarëve në Shërbimin e Amerikës (lëvizja antiraciste e krijuar nga John Kennedy), dhe së fundi pikë referimi për lëvizjet mjedisore të të gjithë botës.

"Në epokën e qëndrueshmërisë - shpjegon nga zyra e tij në Washington - ne do të duhet të zhvillojmë antitrupa për të mbijetuar në Tokën që ndryshon, në vend se të presim që Toka të përshtatet me ne. Dhe ndërkohë, të luajmë vendit që ky ndryshim të marrë fund. Fundi i racës njerëzore nuk do të ishte zhdukja e parë masive në qindra miliona vitet e jetës së planetit. Do të ishte e gjashta, për të qenë të saktë."

Duke shmangur skenarët tragjikë, cili është mesazhi juaj?
Veprojmë në kohën kur progresi dhe eficenca duhen arritur me çdo çmim. Çdo gjë që ne bëjmë, finalizohet me rezultatin më të mirë a thua se gjithçka është e mundur pa u shqetësuar për kontekstin. Derisa pandemia, katastrofat natyrore, madje edhe lufta rrëqethëse e Putinit, na mësuan se duhet të zhvillojmë qëndrueshmërinë, se angazhimet tona duhet të finalizohen duke stabilizuar një formë përshtatjeje, fleksibiliteti dhe empatie të jetuari. Ne duhet të mësojmë të ruajmë standardet dhe marrëdhëniet ekzistenciale, edhe duke kaluar nëpër vuajtje të papërshkrueshme. Dhe ndërkohë, të punojmë për të siguruar që fatkeqësitë të mos ndodhin më. Kjo është qëndrueshmëri”.

Jo gjithmonë është e mundur.
Ndonjëherë po, sa i përket ndryshimit klimatik që shkakton fenomene gjithnjë e më shkatërruese: është vepër e njeriut dhe njeriu duhet të luftojë për ta ndaluar. Kjo është fryma e librit tim: të rrënjos vetëdijen, por edhe dijen, që askush të mos kapet i papërgatitur përballë “rinatyralizimit” të planetit, me pak fjalë, hakmarrjes së natyrës. Por kjo e imja nuk është thjesht një tjetër ese mbi mbrojtjen e natyrës.

Çfarë është tjetër?
Le të marrim implikimet e Covid. Kriza e çipave që përdoren te telefonat, makinat, lavatriçet apo kompjuterët: pa ato, që prodhohen në Kinë, bota nuk ecën përpara, por duke qenë se Perëndimi u rikuperua më herët nga pandemia dhe Kina ishte ende në karantinë teksa ishte e pushtuar nga një kërkesë shumë e lartë, e gjithë makina e prodhimit botëror u shkatërrua. Dhe çmimet u çmendën. Mësimi është: sado mund të kenë kursyer nga çmimet më të lira në Kinë, çfarë ua shtiu në mendje kompanive perëndimore për t'u mbështetur tërësisht në prodhimin kinez?

Profesor, në çfarë mendimesh ju fusin përmbytjet e javëve të fundit, nga Pakistani në Italinë qendrore?
Italia është një vend që e dashuroj, por nga pikëpamja hidrologjike është një tokë delikate sepse ka hapësira të ngushta mes detit, malit dhe fushave. Aty përforcohen problemet e zakonshme që po ndodhin në gjithë botën. Le të marrim konsumin e dherave. Pjesa e sipërme, pjesa "e ecshme", kufizohet dhe degradohet gjithnjë e më shumë nga kultivimi intensiv, neglizhenca, thatësira. Nuk ka më hapësirë ​​që toka "e gjallë", ajo pjesë që qëndron në brendësi dhe është e pasur me lëndë ushqyese dhe përbërës aktivë, të japë kontributin e saj në ekuilibrin natyror. Toka e zhveshur ka nevojë për kujdes, si çdo gjë e gjallë fundja. Unë e quaj biofili.

Një vetëdije e re?
Të vihet jeta në qendër të veprimeve tona. Ekonomia nuk duhet konceptuar më vetëm për të kërkuar fitim, por për të shpëtuar vetë thelbin njerëzor. Ky ndryshim që kërkon një rishikim të rregullave të mësimdhënies dhe formimit intelektual për t'i ngulitur ato në modelin e ri arsimor midis qenieve njerëzore dhe mjedisit që i rrethon. Është e vetmja mënyrë për të garantuar të drejtën e patjetërsueshme të çdo qenieje për një jetë dinjitoze.

*Jeremy Rifkin është ekonomist, teoricien, shkrimtar dhe aktivist amerikan. Autor i 22 librave mbi ndikimin e ndryshimeve shkencore dhe teknologjike në ekonomi, në forcën punëtore dhe në mjedis. Librat e tij të fundit janë “The Green New Deal”, “The Zero Marginal Cost Society”, apo “The Empathic Civilization”. Kjo intervistë u përkthye nga Erjon Uka.