Shënime në Blog

Dyshimi është më i nevojshëm nga ç’keni menduar

Të mësosh të dyshosh do të thotë të pranosh brishtësinë dhe rastësinë e gjendjes njerëzore, elementë që nuk na bëjnë të vetë-mjaftueshëm. Për këtë është shpikur demokracia si mënyra më e mirë e qeverisjes. Pikërisht sepse demokracia na detyron të marrim në konsideratë mendimet e të tjerëve dhe t’i dëgjojmë të tjerët.
Dyshimi është më i nevojshëm nga ç’keni menduar

Nga Victoria Camps/ Jetojmë në kohët e ekstremizmave, kundërshtive dhe përballjeve në çdo sektor e në çdo fushë, veçanërisht në atë politike. Një zakon që skenarët mediatikë e fuqizojnë sipas dëshirës dhe me tone të rritura falë lehtësisë me të cilën rrjetet sociale të japin mundësinë për të marrë në shënjestër çdo njeri, sjellja e të cilit ose thjesht prania, shkakton bezdi. Gjykimi, ndjeshmëria, sjellja e moderuar apo reflektimi janë koncepte që përdoren vetëm hera-herës e apelojnë për një jetesë më paqësore sesa ajo në të cilën dikush ngatërrohet në diskutime të vazhdueshme; por sjellja e moderuar nuk tërheq vëmendje dhe nuk përbën lajm.

Në një klimë si kjo, dyshimi si përgjigje ndaj asaj që shqetëson dhe mahnit, në vend të një shpërthimi impulsiv, do të ishte një mënyrë më e shëndetshme për të reaguar. Merrni kohën tuaj, mendoni përsëri dhe lërini të kalojnë disa ditë para se të jepni përgjigje të zemëruara.

John Carlin aludonte për këtë në një prej artikujve të tij: “Jam i lumtur që kam marrë pushimet nga Twitter-i në fillim të muajit. Nuk pata tundimin të shpreh mendimin tim mbi tre lajme: mbi këshilltarin bashkiak madrilen të Podemos-it dhe barcaletës së tij mbi hebrenjtë; mbi çmimin Nobel për shkencën dhe vajtimin e tij mbi dobësitë biologjike të grave; mbi aktivisten e bardhë amerikane që e konsideronte veten me ngjyrë.” (Çmenduria e Twitter-it, El Pais 2014).

Kuptohet vetë se lajmet në fjalë e humbën interesin me po atë shpejtësi që ishin shndërruar në temat më të diskutuara për disa ditë. Asnjë nga tre lajmet nuk meritonte interes të vërtetë, por rrjetet sociale janë të zjarrta dhe ishte e nevojshme të merreshin parasysh reagimet e ndryshme në secilin zinxhir mediatik, që kishte një dozë serioziteti.

Me këto kufizime është logjike që ne nuk mund të veprojmë në mënyrën e duhur: dialog, sjellje të mira, dëgjim, durim dhe arsyetim; preferojnë dyshimin ndaj reagimeve të brendshme. Kjo është ajo që unë përpiqem të pohoj: ta trajtoj dyshimin jo si një paaftësi, sepse nganjëherë mund të bëhet i tillë, por si një ushtrim për të reflektuar; mësoni të merrni parasysh të mirat dhe të këqijat, veçanërisht kur nervat tuaja qëndrojnë në fije të perit. Për shembull, një nga vlerat e përçuara disa vjet më parë nga lëvizja spanjolle “indignados” ishte toni i sjellshëm dhe aspak i trazuar me të cilin disa njerëz protestuan për t'u ankuar për gjithçka dhe për të treguar neverinë e tyre ndaj ushtrimit të pushtetit.

Në të njëjtën mënyrë, në Katalonjë separatistët janë krenarë për faktin se një pretendim aq ekstrem sa pavarësia shpesh përkthehet në ngjarje lozonjare, në të cilat të gjithë qeshin dhe bashkojnë duart me gjeste përzemërsie.

Kur shfaqet, dashamirësia vlerësohet maksimalisht, megjithatë ky është një përjashtim, jo ??rregulli, prandaj është befasuese. E tregojnë studiot televizive, cicërimat në Twitter, fushatat elektorale, seancat parlamentare dhe deklaratat mediatike. Gazetave u pëlqen të ushqejnë përballjen, sepse një informacion që nuk gjeneron konflikt, nuk tërheq vëmendjen e të tjerëve. Lëvizjet e tipit të të “indinjuarve”, në parim të qeta, kanë rezultuar më pas në organizime dhe kompromise politike që nuk i shmangen ekstremizmit, as në të djathtë dhe as në të majtë.

Franca, Mbretëria e Bashkuara, Holanda, Danimarka, vende këto historikisht që janë marrë për shembull për hapjen dhe tolerancën, janë të pafuqishme përballë ngritjes së partive raciste që dalëngadalë po marrin hov në panoramën politike. Dhe pa pasur nevojë të shkohet në gjendjen ekstreme të racizmit, ka tendenca populiste në Greqi, në Itali, në Spanjë dhe në Shtetet e Bashkuara. Populizmi bëhet mënyra aktuale e rënies në demagogji, ajo që për grekët e lashtë ishte shenja e dukshme e përkeqësimit të demokracisë.

Besoj se ka qenë Bertrand Russell që e ka thënë se filozofia është gjithmonë një ushtrim skepticizmi. Të mësosh të dyshosh nënkupton të distancohesh nga ajo që na është dhënë, të kundërshtosh të zakonshmen dhe paragjykimet dhe të vësh në diskutim atë që konsiderohet e padiskutueshme.

Jo thjesht për t’u mjaftuar me refuzimin, sepse përndryshe do të kishim një përballje, por për ta shqyrtuar, analizuar, për të arsyetuar e për të vendosur se ç’duhet bërë. Kjo do të duhej të ishte sjellja që nevojitet për përdorimin e lirisë: siç thotë më mirë nga të gjithë John Stuart Mill, nuk është i lirë ai që mjaftohet me ndjekjen e rrymës së shumicës, por ai që përpara se ta ndjekë, pyet vetën nëse është një rrymë interesante.

Sipas Alexis de Tocqueville, tirania e shumicës është një prej rreziqeve të demokracisë, një kërcënim ndaj asaj lirie vetjake që e mbrojmë me aq forcë përballë "tapës" që fuqitë publike përpiqen të na vendosin.

Mendimi është dikotomik: lëvizim mes së mirës dhe së keqes, mes ligjit dhe antiligjshmërisë, mes së bukurës dhe së shëmtuarës, mes asaj që është e jona dhe asaj që është e tjetërkujt. Dikotomitë pa nuanca janë abstraksione, forma të papërpunuara, të padobishme dhe që e reduktojnë klasifikimin e realitetit dhe shqyrtimin e kompleksiteteve. Është më e lehtë të marrësh anën e “po” ose “jo”, sepse nuk ke nevojë të japësh një arsye për ta bërë këtë. O jam separatist, o jam për bashkim. O jam i djathtë, o jam i majtë. O i pranoj, o nuk i pranoj refugjatët. Nuancat nënkuptojnë një përpjekje më shumë. Dyshimi sjell shqetësime dhe jep “bezdi”. Është si fara që pështyj kur ha një mollë, një shqetësim me të cilin duhet të merrem nëse dua ta vazhdoj ta ha në qetësi.

Shkrimet e filozofëve janë të mbushura me qëndrime dyshuese dhe skeptike. Montaigne është mjeshtri i madh i kësaj teme, por jo i vetmi. Ai është ushqyer nga skepticizmi i filozofëve grekë. Jetoi në një shekull ndryshimesh të mëdha, një periudhë shqetësuese, që krijoi kushtet për dyshim. Për këtë arsye nuk shkroi teori të mëdha, por “ese”, vizionet e tij të veçanta për realitetetet që përplasen me tonat dhe që të marra në konsideratë por jo të refuzuara menjëherë, kanë gjithmonë veçorinë për të na mësuar diçka.

Realitete prozaike, jo detyrimisht trashendentale, për të tërhequr vëmendjen mbi diçka që ka rëndësi. Shekulli XVI e gjeneroi këtë formë mendimi. Në Spanjë Francisco Sanchez u bashkua me lëvizjen skeptike së cilës i dha rëndësi në veprën e tij më të njohur “Quod nihil scitur”.

Kjo pikëpamje skeptike dhe e dyshimtë do të kontribuonte në lindjen e individualizmit modern. Nga njëra anë, autoriteti fetar pyetet për t'i dhënë vlerë gjykimit individual, gjë që e bëri Luterin të shkëputet nga Kisha Katolike. Nga ana tjetër, ne zbuluam Amerikën dhe atë që atëherë quhej "diversitet kulturor". Paradoksalisht, afirmimi i individit si perspektiva nga e cila duhet menduar dhe arsyetuar, lind me zbulimin e të ndryshmit, zakonet e të cilit janë shqetësuese dhe duken irracionale. Montesquieu do ta thoshte qartë vetëm me një pyetje: "Si mund të jesh persian?"

Të mësosh të dyshosh do të thotë të pranosh brishtësinë dhe rastësinë e gjendjes njerëzore, elementë që nuk na bëjnë të vetë-mjaftueshëm. Për këtë është shpikur demokracia si mënyra më e mirë e qeverisjes. Pikërisht sepse demokracia na detyron të marrim në konsideratë mendimet e të tjerëve dhe t’i dëgjojmë të tjerët.

Sidoqoftë, nevojat e të tjerëve nuk duhet të parandalojnë afirmimin e individualitetit të dikujt, pjekurinë që konsiston në të qenit autonom dhe të mendosh për veten dhe jo gjithmonë të kërkosh strehimin dhe sigurinë që ofron grupi.

Liria individuale ka qenë një prej arritjeve më të mëdha të modernizmit. Të dish se si ta shfrytëzosh atë në mënyrë që të mos dëmtojë jetën e përbashkët dhe të përpiqesh ta përdorësh atë për të shkuar kundër rrymës, është detyrë etike. Një etikë që aspiron të bëhet globale duhet ta shikojë sjelljen e moderuar si një cilësi bazë, sepse njohuritë janë të kufizuara dhe askush nuk është zot i vetëm i arsyes.

Me dyshimin, zakoni e do të ndodhë diçka e ngjashme me tolerancën. Është e drejtë të tolerosh atë që s’na pëlqen dhe që na bezdis, por jo gjithçka mund të jetë e tolerueshme. Është e drejtë të dyshosh dhe të vlerësosh pozicionime të ndryshme, por deri në një farë pike. Nuk mund të dyshojmë për gjithçka dhe as t’ia nisim nga zero në çdo moment. Ekziston një thelb i së “vërtetës”, kundërshtimi i së cilit nënkupton mohimin e rezultateve të arritura nga njerëzimi gjatë shekujve.

Jo gjithçka është bërë gabim dhe duhet patjetër të korrigjohet. Edhe pse mund të duken bosh, fjalët e mëdha na japin rregullat e sjelljes, ato na shtyjnë të arsyetojmë dhe të shpjegojmë pse realiteti është etikisht i pamjaftueshëm dhe nuk përshtatet me to. Kundër dogmave dhe paragjykimeve, është e nevojshme të trajtohen vlerat e Iluminizmit të cilat mund të jenë universale thjesht e vetëm për faktin sepse janë abstrakte.

Tani, që ato të bëhen praktike, ato duhet të interpretohen dhe kjo nënkupton futjen e një forme tjetër dyshimi: relativizmit. Vetëm fundamentalizmat përdorin vlera absolute, të papajtueshme me vlera të tjera po aq të rëndësishme. Camus e tha shumë qartë: “Drejtësia absolute mohon lirinë”.

*Victoria Camps është filozofe spanjolle dhe profesoreshë e etikës. Aktualisht, ajo është Profesore Emeritus e Universitetit të Barcelonës. Pjesa e mësipërme është shkëputur nga libri “Elozhe dyshimit”, përkthyer në shqip nga Erjon Uka.