Shënime në Blog

Disa ndryshime të vogla zakonesh, por revolucionare

A jemi të ndërgjegjshëm se çdo ditë, me veprime të vogla, po ndryshojmë zakonet tona? Jacques Attali shkruan për këto revolucione të përditshme, me dyshimin nëse kjo gjë me të vërtetë do të na bëjë më të lirë.

Disa ndryshime të vogla zakonesh, por revolucionare

Nga Jacques Attali/ A jemi në gjendje të kuptojmë se çfarë po ndryshon te zakonet tona të vogla dhe të shohim në to se kush jemi ose kush po bëhemi? A dimë të lexojmë, në ndryshime të padukshme sjelljeje, mutacionet kryesore në rropullitë e shoqërive tona?

Për shembull, a e dimë se shumë të rinj, thuajse kudo në botë, nuk i dëgjojnë më stacionet në radio? Ata dëgjojnë podcasts apo këngë që i përzgjedhin vetë. Ata nuk shohin më televizor (përveçse për ndeshjet sportive). Ata shohin kur u teket për të parë video, klipe, programe apo filma në platforma të ndryshme. Secili prej tyre ka kontroll shumë më të mirë në media të ndryshme.

Komunikimi me të tjerët gjithashtu kontrollohet shumë më mirë sesa dikur: Shumë, sidomos të rinjtë, nuk i përgjigjen më telefonit nëse nuk lajmërohen paraprakisht se do të marrin një telefonatë. Ata nuk i dëgjojnë më mesazhet e sekretarisë telefonike, e në këmbim nuk lënë më asnjë të tillë; kur dëshirojnë, preferojnë të lexojnë mesazhe të shkruara, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për të caktuar një takim për të biseduar me njëri-tjetrin; pra, po rritet moda për mesazhe të panumërta me shkrim (SMS, WhatsApp, Telegram) ose video (Skype, Zoom, Teams).

Kjo mund të duket si anekdotë, por nuk është aspak. Ndoshta do të thotë që një pjesë e të rinjve e kanë kuptuar se koha është vlera supreme dhe se një nga betejat më të mëdha sot është të zgjedhim me kë duam ta ndajmë dhe kur duam ta ndajmë kohën. Ky është një paralajmërim për një shoqëri ku ne nuk do t’ia lejojmë më vetes të pushtohemi nga të tjerët; ku do të mbajmë kontrollin e kohës sonë sa më shumë që të mundemi; ku do t’i rezistojmë përshpejtimit të kohës dhe informacionit; ku do ta marrim kohën në kontroll; ku do të përgjigjemi kur të duam; ku do të zgjedhim ritmin me të cilin dëshirojmë të jetojmë; ku nuk do të presim më me padurim tjetrin. Dhe, anasjelltas, një shoqëri ku ne nuk pushtojmë më kohën e të tjerëve.

Ky është madje një nga përkufizimet më të bukura të dashurisë: Të duash dikë do të thotë të jesh i lumtur që të pushtohesh nga ai ose ajo.

Sidoqoftë, ka ende shumë njerëz me të cilët nuk mund të refuzojmë të shkëmbehemi: ata që kanë fuqi hierarkike mbi ne, të vetmet thirrje ndaj të cilave ne jemi të detyruar të përgjigjemi. Dikush madje mund të thotë se përkufizimi i një lideri, do të ishte ai që mund të pushtojë kohën e të tjerëve: udhëheqës ekonomikë, udhëheqës administrativë, udhëheqës politikë, drejtues policie. Por edhe udhëheqës të tjerë, thirrjet e të cilëve kohët e fundit kemi mësuar t'i dëgjojmë me sinjalin e parë: kujdestarët.

Beteja e madhe është ulja e këtyre kufizimeve, zvogëlimi i numrit të shefave ndaj të cilëve ne jemi të detyruar t'u bindemi. Në punë, gjithnjë e më shumë njerëz po refuzojnë tjetërsimin bazuar në shpronësimin e produktit të kohës së dikujt dhe në të drejtën e një shefi për të vendosur orare. Puna në distancë e favorizon këtë çlirim të kohës, duke e bërë më të lehtë të mos i përgjigjesh shefit në moment. Për më tepër, një numër më i madh i të rinjve, sapo u jepet mundësia, po refuzojnë të bëhen pjesë e një kompanie. Ata preferojnë më shumë të punojnë të pavarur dhe të marrin përsipër rrezikun e dështimit, sesa të detyrohen ta shpenzojnë kohën e tyre me tekat e një hierarkie.

Në mënyrë të ngjashme, në dashuri, ose në atë që zë vendin e dashurisë, gjithnjë e më shumë njerëz refuzojnë ta lejojnë personin tjetër të kontrollojë kohën e tyre. Madje është një nga dimensionet kryesore të luftës feministe për të mos lejuar që burrat të zotërojnë kohën grave, po aq sa edhe trupat e tyre.

Dhe ky nuk është fundi i historisë. Dëshira për të kontrolluar kohën tonë së shpejti do të marrë përmasa edhe më të mëdha. Kudo.

A do të jetë gjithmonë çliruese? A po krijojmë vërtet një shoqëri me njerëz të lirë sepse janë zotër të kohës së tyre? Apo, përkundrazi, një shoqëri e egoistëve të pavarur, të vetmuarish të padisiplinuar?

Apo edhe më tej: a mund ta imagjinojmë me të vërtetë krijimin e një shoqërie nëse nuk jemi dakord t'u japim të tjerëve akses në një pjesë të kohës sonë? Nëse refuzojmë atë që është thelbësore për jetën, pra bisedën?

*Jacques Attali është ekonomist, aktivist, politolog dhe shkrimtar francez. Ka shërbyer si këshilltar i Presidentit François Mitterrand për dhjetë vite, si edhe ka qenë drejtuesi i parë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ka drejtuar reformimin e arsimit të lartë në Francë, ndërsa në vitin 2008-2010 ka drejtuar komitetin për rigjallërimin e ekonomisë franceze gjatë presidencës së Nicolas Sarkozy. Revista “Foreign Policy” e ka konsideruar si një prej 100 mendimtarëve më të mirë në botë. Ky artikull u përkthye nga Erjon Uka.