Demokratët i përçan mosbesimi dhe këtë e vërteton me një lojë tavoline
Nga Ivan Krastev/ “Është më qejf po të jesh nazist”, më tha djali im, një katërmbëdhjetë vjeçar me dashurinë më të madhe për lirinë, që pjesën më të madhe të verës e kaloi duke luajtur me miqtë e tij “Secret Hitler”, një lojë shumë të njohur tavoline, e cila u krijua për herë të parë në vitin 2016.
Në “Secret Hitler”, lojtarët ndahen në mënyrë rastësore në dy skuadra: demokratët, që përfaqësojnë mazhorancën, dhe nazistët. Në fillim, nazistët zbulojnë në mënyrë reciproke identitetet e tyre (vetëm Hitleri nuk e di se cilët janë mbështetësit e tij), ndërsa demokratët as nuk ia kanë idenë se cilët janë demokratë dhe cilët nazistë.
Skuadra naziste mund të fitojë nëse arrin të miratojë gjashtë ligje, ose ta bëjë Hitlerin kancelar. Ajo demokratike, triumfon nëse miraton pesë ligje, ose nëse arrin ta vrasë Hitlerin. Në qendër të lojës ka një temë thelbësore: nëse demokratët do të mësonin të besonin te njëri-tjetri, do t’i kishin gjithmonë votat për të fituar. Por s’është e lehtë, herë sepse nazistët thonë çfarëdolloj gjëje vetëm për t’u hequr si demokratë, e herë sepse një demokrat s’ka zgjidhje tjetër veçse të mbështesë një ligj fashist.
Në “Secret Hitler”, fati i demokracisë nuk është në duar të zgjedhësve: varet nga kapaciteti i elitave demokratike dhe besimit të miqve për t’u çjerrë maskën armiqve. Pyetja që shtron loja është e qartë: a vlen e njëjta gjë edhe në jetën reale?
Në një libër të publikuar së fundi “Democracy erodes from the top”, politologu amerikan Larry Bartels argumenton se ideja e përhapur sipas së cilës vala populiste po shkatërron demokracitë europiane, është krejtësisht e gabuar. Studiuesi tregon se mbështetja e publikut për politikat dhe idetë e ekstremit të djathtë, nuk ka ndryshuar edhe aq shumë në njëzetë vitet e fundit, nuk ka prova se opinioni publik është zhvendosur djathtas. Bratels thotë se demokracia dobësohet nga lart. Arsyet e vërteta se përse ekstremi i djathtë ngjitet në pushtet, janë politikat e gabuara të koalicioneve ose ndryshimet institucionale.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të ishte dakord me të. Shumica mbresëlënëse e fituar nga koalicioni i saj i djathtë në zgjedhjet e vjeshtës së kaluar nuk ishte pasojë e një ndryshimi rrënjësor të preferencave të votuesve, por e paaftësisë së liderëve të së majtës italiane për të bashkëpunuar dhe besuar te njëri-tjetri. E njëjta gjë edhe në Poloni. Në zgjedhjet e 15 tetorit mund të jenë partitë e moderuara ato që do të humbasin, dhe jo ato ekstremiste që do të fitojnë.
Njerëzit mund ta tolerojnë qeverisjen autoritare, por nëse do të mund të zgjidhnin, nuk do ta votonin. Zgjedhjet e fundit evropiane dëshmuan se Bartels kishte të drejtë: Demokratët suedezë të ekstremit të djathtë nuk arritën të fitonin zgjedhjet dhe në Spanjë, partia “Vox” arriti një rezultat shumë më të keq se sondazhet. Në vendin tim të lindjes, Bullgari, partia nacionaliste “Rilindja” mund t’ua ketë nxjerrë shumë netë gjumin demokratëve, por rezultatet e saj faktike kanë qenë më modeste nga sa i frikësoheshin kundërshtarët.
Politologu Bartels dhe krijuesit e “Secret Hitler” pajtohen mbi faktin se sfida më e madhe për partitë e moderuara nuk është se sa i fortë është orientimi fashist i shoqërisë, por shkalla e "konfuzionit liberal" dhe mungesa e arsyes politike. Por mos u ngatërroni këtu: Të bësh zgjedhjet e duhura nuk është e njëjta gjë si të kesh parimet e duhura. Loja gjithashtu lë të kuptohet se një Hitler i ri mund të jetë ndryshe nga ai i së kaluarës. Teksa personazhi historik ishte një revolucionar i ashpër, i dehur nga pushteti, loja e tavolinës tregon se një diktator i ri mund të jetë më i gatshëm të mbështesë politikat demokratike (për të marrë votat e nevojshme për t'u zgjedhur kancelar). Jo gjithmonë arrijmë ta dallojmë se cili është fashist, përpara se ai të vijë në pushtet.
Evropa do të përballet me disa zgjedhje të rëndësishme në muajt e ardhshëm. Sllovakët do të shkojnë në zgjedhje më 30 shtator dhe ka një shans real që politika e vendit të marrë të njëjtin drejtim joliberal si Hungaria nën kryeministrin Viktor Orbán. Në tetor, konsultimet në Poloni mund të jenë vendimtare për të ardhmen e Evropës. Partia në pushtet, “Ligj dhe Drejtësi” (PIS), e sheh mandatin e tretë si një mundësi për ta mbërthyer në “kafaz” sistemin: synon të vendosë kontroll mbi gjykatat, median dhe institucionet e tjera, në mënyrë që t’ia mbyllë gojën opozitës.
Kur e pyeta djalin tim përse është më argëtuese të jesh nazist, nuk hezitoi: nazistët bëjnë lojë ekipi, ndërsa demokratët janë armiqtë më të këqinj të vetes dhe paralizohen nga mosbesimi. Ka të drejtë: nuk është argëtuese të injorosh cilët janë aleatët e tu, por ajo që na mëson shembulli hungarez, është se nëse demokratët humbasin në “Secret Hitler”, nuk u mbetet më asnjë lojë për të fituar.
*Ivan Krastev është politolog, drejtor i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.