Shënime në Blog

Darvini do të ishte krenar për koronavirusin

Darvini do të ishte krenar për koronavirusin

David Quammen/ Askush me gjykim të shëndoshë nuk mund të mohojë faktin se Covid-19 përfaqëson një tragjedi të madhe për njerëzimin, madje një tragjedi edhe në kuptimin që kishte ky term në Greqinë e lashtë, sipas përkufizimit të Aristotelit, me pasojat shkatërrimtare të lidhura me ndonjë mëkat krenarie të protagonistit. Ky protagonist tani nuk është as Edipi dhe as Agamemnoni, këtë herë jemi ne ai protagonisti mendjemadh që mori përsipër shkatërrimin. Veprimi dhe shkatërrimi i pandemisë janë rezultat i fatit të keq, natyrisht, dhe i një bote të rrezikshme, sigurisht, por edhe i mungesës katastrofike të parashikimit, vullnetit të përbashkët dhe udhëheqjes njerëzore.

Por për momentin le të shkojmë përtej këtij bilanci mangësish njerëzore dhe ta shqyrtojmë të gjithë ngjarjen nga këndvështrimi i virusit. Ta masim duke përdorur logjikën e ftohtë të evolucionit: karriera e SARS-CoV-2 deri në këto çaste, në termat darvinianë, është një histori e madhe suksesi. Ky koronavirus tashmë famëkeq dikur ishte një krijesë e parëndësishme që qëndronte qetësisht brenda strehuesit të tij natyror: disa grupe kafshësh, ndoshta lakuriqë nate, në shpella dhe në zona të tjera në pyjet e Kinës jugore. Ekzistenca e kësaj strofke të gjallë, të quajtur edhe “rezervë virale” logjikisht është e nevojshme kur ndonjë virus çfarëdo shfaqet papritur në formën e infeksionit njerëzor. Pse? Sepse gjithçka e ka prejardhjen nga diçka dhe konkretisht viruset vijnë nga krijesa qelizore si kafshë, bimë apo kërpudha.

Një virus është në gjendje ta shumojë vetveten, të funksionojë sikur të ishte i gjallë dhe të ketë jetëgjatësi me kalimin e kohës vetëm duke u strehuar në qelizat e një krijese më komplekse, si një lloj paraziti gjenetik.

Përgjithësisht, raporti mes virusit dhe rezervës së tij virale përfaqëson një përshtatje të lashtë evolutive. Virusi reziston duke mbajtur një profil të ulët, duke mos shkaktuar probleme, duke mos u përhapur në mënyrë shpërthyese dhe në këmbim të kësaj sjellje ai fiton siguri afatgjatë. Horizontet e tij janë modeste: një popullsi relativisht e vogël, një përhapje e kufizuar gjeografike.

Por ky raport mes organizmit pritës dhe organizmit të mikpritur nuk është pa dyshim i qëndrueshëm dhe as nuk përfaqëson fundin e historisë. Nëse ndonjë krijesë çfarëdo hyn në konktakt me organizmin mikpritës duke e sulmuar ose thjesht duke ndarë të njëjtën shpellë me të, virusi shtyhet të dalë nga zona e tij e rehatisë dhe përshtatet në një situatë të re: potencialisht një organizëm i ri mikpritës. E gjithë ngjarja duket si një tufë minjsh që hidhen nga një anije e cila sapo ka zbritur në një ishull të largët. Virusi mund të lulëzojë në këtë habitat të ri, ose të dështojë dhe të vdesë. Nëse lulëzon, atëherë mund të vendoset jo vetëm tek individi i parë, por në tërë popullsinë e re.

Mund të zbulojë se është në gjendje të depërtojë në disa prej qelizave të organizmit të ri pritës, duke shumuar veten me bollëk dhe duke u transmetuar nga ai individ tek të tjerët. Kjo gjë quhet "kërcim speciesh". Nëse ky kërcim sjell sëmundje në një apo në dy duzina, kemi të bëjmë me një vatër. Nëse përhapet në një vend të tërë, është epidemi. Nëse përhapet kudo, quhet pandemi.

Imagjinoni sërish atë tufë minjsh që zbret nga anija në ishullin ku më parë minjtë nuk ekzistonin. Kafshët e vogla zbulojnë me kënaqësi të madhe se ishulli banohet nga krijesa endemike zogjsh, naive dhe të sigurta që kanë zakonin t’i vendosin vezët e tyre në tokë. Minjtë i hanë ato vezë. Së shpejti ishulli do të humbasë gjithë zogjtë, por do të ketë minj me bollëk. Me kalimin e kohës, minjtë gjithashtu fitojnë aftësinë për të nxjerrë hardhucat nga strofkat e tyre midis shkëmbinjve dhe trungjeve duke i ngrënë. Zhvillojnë aftësi për t’u ngjitur në pemë dhe të hanë vezë nga foletë e zogjve. Në këtë pikë ai mund të quhet lehtësisht "Ishulli i minjve". Për minjtë, kjo është një histori suksesi evolucionar.

Nëse ishulli në fjalëështë një qenie njerëzore e sapopushtuar nga një virus me prejardhje nga ndonjë kafshë jo-njerëzore, le ta quajmë atë virus një zoonozë dhe infeksionin që shkaktohet një sëmundje zoonotike. Më shumë se 60% e sëmundjeve infektive njerëzore, përfshi edhe Covid-19, janë pjesë e kësaj kategorie të zoonozave të suksesshme. Disa sëmundje zoonotike shkaktohen nga bakteret (si bacili që i përket murtajës bubonike) apo lloje të tjerë patogjenësh, por gjithsesi në pjesën më të madhe janë virale.

Virusët nuk kanë asgjë kundër nesh. Nuk kanë as qëllime dhe as projekte. Ndjekin të njëjtat imperative të thjeshta darviniane që ndjekin edhe minjtë apo çdo krijesë tjetër e përbërë nga gjenome: të përhapen sa më shumë të munden numerikisht, gjeografikisht dhe në kohë. Instikti i tyre primar është të bëjnë atë që Zoti urdhëronte qeniet njerëzore të sapokrijuara në Gjenezën 1:28 “Jini të frytshëm dhe shumohuni, mbusheni Tokën, nënshtrojeni atë”.

Për një virus të panjohur, i cili reziston brenda rezervës së tij virale (një lakuriq nate apo një majmun në ndonjë rajon të humbur të Azisë apo të Afrikës, apo ndoshta edhe një mi në juglindje të Shteteve të Bashkuara), sulmi ndaj qenieve njerëzore është një mundësi për të kryer urdhëresën qiellore. Jo të gjithë virusët e suksesshëm do të jenë në gjendje të “nënshtrojnë” planetin, por disa së paku do t'i afrohen nënshtrimit të njerëzve.

Pandemia e Sidës u shkaktua kështu. Një virus i shimpazeve, sot i njohur si SIVcpz, kaloi nga një shimpaze në një qenie njerëzore, ndoshta nga kontakti i gjakut gjatë një dueli vdekjeprurës, dhe më pas mori dhenë mes njerëzve. Evidencat molekurale të zhvilluara nga dy grupe shkencëtarësh na tregojnë se kjo gjë me shumë mundësi ka ndodhur një shekull më parë, një një cep juglindor të Kamerunit në Afrikën qendrorë, dhe virusit iu deshën disa dekada për t’u bërë i transmetueshëm mes njerëzve. E quajmë “H.I.V.-1 grupi M”: është përgjegjës për 71 milionë infeksionet njerëzore të njohura deri sot.

SARS-CoV-2 ka bërë diçka të ngjashme, edhe pse suksesi i tij erdhi në një kohë shumë më të shkurtër. Nuk është virusi infektiv njerëzor më i suksesshëm në planet: ky nder u takon të tjerëve, ndoshta virusit Epstein-Barr, një lloj virusi herpes po aq ngjitës, i cili është strehuar thuajse në 90% të njerëzve, ku tek disa ka shkaktuar pasoja ndërsa te shumica tjetër ka qëndruar i fshehur. Por SARS-CoV-2 nisi fuqishëm.

Tani, për qëllime ilustrimi, le të imagjinojmë një skenar tjetër, që përfshin një virus tjetër. Në pyjet malore të Ruandës jeton një tip lakuriqi nate i vogël, rhinolophus hilli, i familjes rhinolophid. Ky lakuriq nate ekziston, porështëparë rrallë dhe klasifikohet si specie nëzhdukje. Le të themi që një koronavirus e përdor këtë lakuriq nate si rezervë virale. Ne e quajmë këtë virus RhRW19 (një shkurtim kodi për ata që përdoren nga biologët), sepse u identifikua brenda specieve rhinolophus hilli (Rh) në Ruandë (RW) në 2019 (19).

Virusi është hipotetik, por i mundshëm, duke ditur se shumë llojerhinolophid-esh në botë shërbejnë si “mikpritës” të koronaviruseve. RhRW19 është në rrezik zhdukeje, sepse ky lloj i veçantë lakuriqi nate është streha e tij e vetme. Anija e shpëtimit po fut ujë nga të gjitha anët dhe pothuajse po fundoset.

Por në këtë moment, një fshatar ruandez, që ka nevojë për pleh, hyn në shpellë dhe merr disa lopata prej plehut të lakuriqëve të natës. Plehu vjen nga rhinolophus hilli dhe përmban virusin. Duke gërrmuar dhe duke marrë frymë, fshatari infektohet me RhRW19. Ai ia kalon vëllait dhe i vëllai e dërgon në një klinikë provinciale ku ai punon si infermier. Virusi qarkullon për javë me radhë midis punonjësve të klinikës dhe kontakteve të tyre, duke sëmurur dikë dhe duke vrarë vetëm një person, ndërsa përzgjedhja natyrore përmirëson aftësinë e tij për t’u shumuar brenda qelizave respiratore njerëzore dhe për t’u transmetuar midis tyre.

Një mjek vizitues infektohet dhe e mbart virusin në Kigali, në kryeqytetin e Ruandës. Së shpejti virusi arrin në aeroport, në rrugët e frymëmarrjes të njerëzve që nuk ndiejnë ende simptoma dhe po hipin në fluturime për në Kinshasa, Doha dhe Londër. Tani mund t'i japim këtij virusi të zgjeruar një emër tjetër: SARS-CoV-3. Është një histori suksesi që nuk ka ndodhur ende, ama mund të ndodhë realisht. Evolucioni nuk është krijuar për të kënaqur homo sapiens-in.

SARS-CoV-2 ka bërë një kapërcim të madh në karrierë duke dalë nga rezervat e tij virale te qeniet njerëzore. Ka realizuar tashmë dy prej tre imperativeve darviniane: është shumuar në numër dhe është përhapur gjeografikisht. Vetëm imperativi i tretë mbetet një sfidë për t’u fituar: të shtrihet në kohë. A do të çlirohemi ndonjëherë përfundimisht, tani që ky është një virus njerëzor? Me siguri që jo. A do të arrijmë ndonjëherë t’i lëmë pas vuajtjet e kësaj emergjence? Po. Viruset janë të afta të evoluojnë, me shpejtësi dhe në mënyrë efikase. Por ne njerëzit, ndonjëherë, jemi më të aftë!

*David Quammen është gazetar shkencor dhe shkrimtar amerikan, autor i 15 librave. Artikujt e tij janë botuar në “National Geographic”, “New York Times”, “New Yorker” etj., ndërsa në vitin 2013 shkroi librin e suksesshëm “Spillover” ku me të dhëna shkencore parashikonte brenda dekadës shpërthimin e një epidemie globale. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.