Shënime në Blog

Biologjia është forma më e lartë e kulturës

Biologjia duhet të kthehet në debatin publik në mënyrë të barabartë me filozofinë dhe me shkencat politike, e kjo duhet të kuptohet herët a vonë. Mendoni për Covid apo për ndryshimet klimatike, janë tragjedi biologjike. Asgjë në këtë botë nuk është vetëm një konstrukt social dhe kulturor, natyra është e para dhe ajo bën ligjin edhe kur ne e harrojmë atë.
Biologjia është forma më e lartë e kulturës

Më i madhi i etologëve të gjallë: Frans de Waal. Është kontrovers, polemizues, gjenial. Ta takosh, është një mënyrë për të vendosur në diskutim shumë prej sigurive vetjake. Me librin “Bonoboja dhe ateisti” në vitin 2013 futi në diskutime gjysmën e botës mbi lidhjen që ekziston mes ateizmit dhe biologjisë, ndërsa tani, me siguri aspak i lodhur nga zënkat dhe dëshira për të habitur, provokon sërish me librin e sapobotuar “Të ndryshëm”, me zbulime në botën e kafshëve me qëllim për të ndriçuar diçka për njerëzimin: problemi, ndryshe nga sa flitet zakonisht, nuk është të thuhet se gjinia nuk ekziston, porse ekziston e nuk duhet diskriminuar.

Teza që përshkon gjithë librin mund t’u duket kontroverse atyre që nuk vijnë nga bota shkencore, por nga ajo kulturore, nga arti, moda, letërsia apo dizajni, të gjitha universe ku merret si i mirëqenë fakti se gjinia është një sajesë shoqërore e madje e rrezikshme, ndaj zgjidhja është neutraliteti gjinor, gjë që de Waal nga perspektiva e tij natyraliste nuk e kapërdin dot.

Profesor, libër aktual dhe i ndërlikuar. T’ia nisim nga një pyetje e nevojshme: ndryshimi mes seksit dhe gjinisë...
Shumë e rëndësishme! Për shumë nga brezi im ka qenë herezi thjesht diskutimi i kësaj teme, askush nuk e kuptonte tamam se për çfarë po flisnim deri njëzetë vite më parë. Janë “objekte” shumë të ndryshme, seksi është një tipar që ka të bëjë me anatominë dhe si të thuash, për funksionimin bazë të makinerisë së gjallë, diçka që nuk është aspak e lidhur me tipare dytësore që nuk janë në vetë strukturën e kësaj jete, për organet gjenitale por edhe për çdo gjë tjetër që rrjedh nga fakti i të pasurit diçka dhe të mos pasurit të diçkaje tjetër. Ndërsa gjinia lidhet me shprehitë, me sjelljet, me performancën, zgjidhjen e konflikteve apo me familjen, me komunitetin dhe me eksperiencat erotike, me pasardhësit apo me lidershipin. Le të themi që seksi është një gjendje përshkrimi ontologjik, edhe pse në natyrë mund të ekzistojnë raste të pafundme ambigue, ndërsa gjinia është atmosfera që përcjell ai trup i gjallë dhe që e bën ekzistent dhe po aq njësi etologjike, pra me një sjellje të caktuar. Por në të dyja rastet ndikon biologjia, nuk është aspak e vërtetë që gjinia është thjesht kulturore apo që mund të zgjidhet apo të kryhet pa marrë parasysh biologjinë përshkruese. Këto janë marrëzi parashkencore, edhe pse filozofia është e mbushur me këto pseudo-debate.

Pra natyra ende përdoret për të përkufizuar kulturën? A nuk është një hap pas, apo po keqkuptohem?
Jo, edhe biologjia është kulturë, ndoshta është forma më e lartë e kulturës njerëzore. Problemi është se fokusi i të ashtuquajturave studime gjinore (shpesh, jo gjithmonë) është i gabuar, si për shembull të gjitha çështjet për emrat neutralë, për korrektësinë politike, për nevojën për të mos përkufizuar dhe për të mos u përkufizuar. Janë deklarata që burojnë nga injoranca, edhe pse me qëllime të mira, të cilat padyshim i ndaj sepse kanë të bëjnë me një betejë morale vendimtare për kohën tonë. Në pabarazinë gjinore, që është një problem i madh, serioz dhe urgjent, problemi nuk është gjinia, por pabarazia. A e kuptoni ndryshimin tim në këndvështrim? Nuk është gjinia ajo që duhet eliminuar apo trajtuar si një “racë”, jo vetëm sepse nuk mund të eliminohet, por është diçka që duhet trajtuar për atë që është: si një karakteristikë, jo si diçka për t'u diskriminuar brenda një normativiteti të supozuar të gjërave të natyrës. Është si të diskriminosh dikë se përse e ka numrin e këmbës 38... Nuk ka gjë të keqe nëse dikush mund të ndryshojë gjininë, çdo rast është specifik, por kur dëshirojnë ta ndryshojnë është pikërisht sepse gjinia ekziston dhe dallohet si në ato raste kur dikush vendos të veshë këpucë të madhësisë 40 pavarësisht se e ka numrin 38. Natyrisht në libër ndalem shumë edhe në çështjen se shumë stereotipe janë të rreme, si për shembull fakti se gjinia mashkullore ka qëndrimin e duhur për të komanduar: por është gjithmonë etologjia (studimi i sjelljes së kafshëve) ajo që shpjegon këto gënjeshtra. Dhe prandaj ne kemi nevojë për të.

Nëse sfidojmë strategjitë e zakonshme të menaxhimit politik të diskriminimit, atëherë si mund ta përkthejmë këtë në politikë apo në aktivizëm?
Studimi i biologjisë ndihmon. Nuk e them sepse kjo është tema që njoh më mirë apo se e mbaj veten me të madh, por për të shpjeguar. Bonobot janë biseksualë, ekzistojnë kafshë me disa gjini, ka shoqëri matriarkale, baballarë që kujdesen për të vegjëlit më shumë se nënat, edhe homoseksualiteti është i përhapur. Problemi është se i kemi dhënë krahë një barazimi të çuditshëm: gjini mashkullore = qenie dominuese, të keqe dhe për t’u eliminuar, ndoshta edhe heteronormativ. Janë pallavra. Gjinia asnjëherë nuk ndërton diçka që përkthehet në aparat moral, por ama kjo s’do të thotë se duhet eliminuar thjesht e vetëm se disa të marrë e kanë mbështetur këtë barazim. Në politikë duhet thënë dhe më pas të mbrohet strategjia se çdo gjini krijon një atmosferë e cila nuk përbën një normë etike, por ama gjinia nuk duhet të eliminohet... për më tepër që s’mund të eliminohet dot.

Natyrë apo jo natyrë, këtu më duket se qëllimi i studimeve të avancuara mbi gjininë është të ndryshojë natyrën njerëzore.
Po, por edhe një herë, cilën natyrë? Përpara se t’u referohemi diskutimeve filozofike, duhet të njohim mirë biologjinë. Për ta përsëritur, natyra nuk ndërton etikën. Përballë fenomeneve të vëzhgueshme, nuk mund t'i mbyllim sytë: do të ishte pothuajse mohim i Darvinizmit.

Në një prej kapitujve të librit tuaj ju thoni se gjininë, jo vetëm seksin, mund ta dallojmë nga fytyra,. E dallojmë edhe nëse presim flokët, heqim buzëkuqin etj. Nuk druheni se këto ide do të sulmohen nga komuniteti “queer”?
Shkenca është shkencë, dhe kjo që ju citoni është një studim shkencor që buron nga praktika dhe nga shumë publikime. Nuk është as e bukur e as e shëmtuar. Është thjesht reale. Ekziston forca e gravitetit, por kjo s’do të thotë se është gabim të fluturosh. Këtu ka humbur qëllimi. Nëse një subjekti X unë i tregoj shumë fytyra, statistikisht marr më shumë të dhëna për gjininë. Edhe në rrugë kështu ndodh, sepse njerëzit e ndajnë botën pak a shumë në mënyrë binare. Kjo s’është kontroverse, thjesht ekziston. Edhe kur themi “pa gjini” e bëjmë sepse e shohim gjininë por nuk duam ta shohim. E përsëris, problemi nuk është diferencimi biologjik por diskriminimi moral. Problemi nuk është gjinia, por si ne e diskriminojmë atë. Dhe nuk duhet ta diskriminojmë kurrë e këtu s’dua të kemi keqkuptime.

Çfarë roli merr ky libër kaq aktual dhe plot detaje aspak banale (dhe ndoshta ende për t'u diskutuar) mbi këtë temë?
Biologjia duhet të kthehet në debatin publik në mënyrë të barabartë me filozofinë dhe me shkencat politike, e kjo duhet të kuptohet herët a vonë. Mendoni për Covid apo për ndryshimet klimatike, janë tragjedi biologjike. Asgjë në këtë botë nuk është vetëm një konstrukt social dhe kulturor, natyra është e para dhe ajo bën ligjin edhe kur ne e harrojmë atë. Nga ana tjetër, të mësosh të ndryshosh gjërat, do të thotë së pari t'i njohësh mirë ato.

*Frans de Waal është primatolog dhe etolog holandez, profesor dhe kërkues shkencor në disa universitete në Europë. Është po ashtu anëtar i Akademisë së Shkencave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Akademisë Mbretërore të Holandës për Arte dhe Shkencë. Ai është autor i mbi 15 librave dhe i nderuar me shumë çmime në Europë dhe SHBA. Intervista për Leonardo Caffo u përkthye në shqip nga Erjon Uka.