Shënime në Blog

Barbaria e re dixhitale

Bëhet fjalë për një inat akuzator që rrallë herë është vërejtur në historinë e njerëzimit. Një klimë e drejtësisë popullore që udhëton me shpejtësinë e dritës virale të një rrjeti që punon me kapacitet të plotë dhe krijon një njerëzim të etur, si perënditë e Anatole France, jo prej gjaku por prej thashethemesh.

Barbaria e re dixhitale

Bernard-Henri Lévy/ Presidenti i Republikës Macron ka të drejtë. Vërtetë ekziston një barbarizëm kolektiv që i atribuohet suksesit të rrjeteve sociale. Dhe kjo ka pesë arsye kryesore.
E para është shpejtësia e mendimeve që shprehen, fakti që ato nuk njohin minimumin e shkëputjes, të përzgjedhjes dhe e thënë fjalë për fjalë, të ndërmjetësimit. Për pasojë, rrjetet sociale janë të ngjashme me atë gjuhë të papërpunuar, tepër të pranishme në të njëjtën kohë e shumë të fortë, faktorë këta që Hegeli i konsideronte si shkaqe për dhunën dhe egërsinë mes njerëzve.

E dyta është mashtrimi i këtyre rrjeteve sociale të cilat janë larg idesë së shoqërizimit, siç tregon emërtimi i tyre, kur në të vërtetë nuk bëjnë gjë tjetër veçse na desocializojnë, me iluzionin e miqve të rremë që na duan me një klikim, që rreshtin së dashuri me një tjetër klikim, e ku rritja e tyre është shenjë, si për jo-qytetarët e Saint-Just, e vërtetësisë së faktit se nuk kemi realisht miq. Pasuri e rreme e fjalëve të pakuptimta që maten me pëlqime dhe me ndjekës të cilët pretendohej t’i jepnin më shumë vlerë ekzistencave tona, por që përkundrazi, na kufizojnë në një vetmi të paprecedentë. Me pak fjalë kemi të bëjmë me sundimin e një narcizmi i cili nën pretekstin e ndërlidhjes, thekson zhbërjen e gjithçkaje që dikur formonte komunitetet, solidaritetin, vëllazërinë.

Tre: e dimë historinë e ipeshkvit të famshëm Dionis, të cilit megjithëse iu pre koka nga barbarët kaloi kodrën e Saint-Denis në këmbë, duke e mbajtur kokën e prerë në krahë. Me mekanizmat e rrjetit, ne jemi dëshmitarë të një fenomeni të njëjtë, por në një shkallë planetare dhe që prek të gjitha qeniet njerëzore. Sot sigurisht që nuk ka të bëjë më me kokën tonë, por me kujtesën tonë. Ne nuk e mbajmë më në krahë, por në pëllëmbë të dorës ose në fund të xhepit, duke marrë parasysh që në telefonat inteligjentë çlirohemi nga vëmendja e rikthehemi me vetëdije te informacioni, situatat dhe fragmente kujtimesh që i harrojmë vullnetarisht, për sa kohë teknologjia na lejon t'i rikuperojmë ato sipas dëshirës. Në këtë zhvendosje, në këtë aftësi për të shkarkuar informacion nga kujtesa e për t’ia besuar makinerive, ekziston një fakt antropologjik që çon në atrofizimin e kujtesës, e cila që nga koha e Platonit rezulton të jetë një nga lidhjet më të forta mes qenieve njerëzore dhe një prej më të përshtatshmeve për të shmangur më të keqen.

Katër, vullneti i së vërtetës. Edhe kjo krijon një lidhje mes njerëzve. Në njohjen e një të vërtete – në të cilën dashuria, si asnjë tjetër, sigurisht që bashkëndahet - ekziston një arsye tjetër konkrete që i pengon ata të vrasin njëri-tjetrin. Sidoqoftë, çfarë është një rrjet social? Është vendi i një zhvendosjeje progresive, pasojat e së cilës nuk janë vlerësuar sa duhet. Fillohet duke thënë: “Të gjithë kanë të drejtë të shprehin atë që mendojnë.” Pastaj kalohet te: “Të gjitha mendimet që dikush beson, gëzojnë të njëjtën të drejtë për t'u respektuar njësoj”. Dhe më pas: “Nëse të gjitha mendimet janë njëlloj të respektueshme, do të thotë se të gjitha janë njësoj të vërteta, të rëndësishme dhe të vlefshme”. Ja pra, kështu kaluam nga dëshira për të demokratizuar “kurajën e së vërtetës” që ishte kaq e rëndësishme për Michel Foucault dhe duke menduar se po u japim të gjithëve një mjet teknologjik për të kontribuar në aventurën e dijes, është krijuar një zallamahi globale, në të cilën nuk ka më hierarki ose diçka që të bëjë dallimin midis inteligjencës dhe jermit, midis informacionit dhe lajmeve të rreme, midis kërkimit të së vërtetës dhe pasionit për injorancë. Bëhet fjalë për një rikthim, thuajse gjurmim i elegancës greke, të atyre sofistëve të famshëm që argumentuan se ajo që ata dikur e quanin "e Vërteta" është një hije e paqartë në një natë kur të gjitha iluzionet janë gri. Dhe në këtë hendek të errët dhe shurdhues në të cilin janë transformuar rrjetet sociale, e vërteta e gjithsecilit është po aq e vlefshme sa e fqinjit të tij dhe ka të drejtën e të gjitha mjeteve - absolutisht të të gjithave, edhe nëse janë të dhunshme dhe madje të egra - të imponojnë ligjësinë e tyre.

Dhe së fundi, pesë. Të gjithë e mbajmë mend strukturën panoptike për burgjet të teorizuar nga filozofi utilitarist anglez i shekullit XVIII Jeremy Bentham, bazuar në një observator të vendosur në një frëngji qendror që lejonte rojet të vëzhgonin fshehurazi, dhe të burgosurit të vendosur në qeli individuale në mënyrë rrethore me qëllim që të jetonin nën shikimin e tyre. Origjinaliteti i rrjeteve sociale qëndron në faktin se ai sy nuk mbyllet kurrë, vëzhgon trupat dhe penetron shpirtërat, shkel brendësinë e tyre, duke e bërë të dukshme për këdo. Nuk është më syri i një roje, i një eprori apo i një mjeshtri, por i secilit prej nesh. Risia në këtë projekt konsiston në dëshirën për të parë gjithçka, për të ditur gjithçka dhe për të depërtuar në frymën dhe në intimitetin e të tjerëve, gjë që i jepet si mundësi cilitdo prej fqinjëve tanë në rrjet. Në masën që lejon eprorët të spiunojnë vartësit, por edhe vartësit të spiunojnë eprorët, dhe pavarësisht se të gjithë kontrollojnë ose dënojnë dikë tjetër, ky mekanizëm neo-Benthamian krijon një regjim të ri politik që nuk mund të përcaktohet as seriozisht si demokratik dhe as qartazi autokratik; ai do të tundohej ta quante skopokratik, për shkak të kësaj teorie të vështrimit dhe vojerizmit entuziast të cilit i jep jetë, dhe që shkel një nga ligjet më të lashta të historisë, të shpallur nga koha e tragjikëve grekë në Epidaurin dhe Olimpia: "Njerëz, mos shkoni të shihni nga shumë afër - me rrezikun e verbimit ose akoma më keq, të njollosjes nga gjaku vetjak - pranë asaj ane të pasqyrës që është trupi kafshëror i të ngjashmëve tuaj".

Grekët nuk e kishin gabim. Nga ky tërbim skopokratik, lind plaçkitja. Një inat akuzator që rrallë herë është vërejtur në historinë e njerëzimit. Një klimë e drejtësisë popullore që udhëton me shpejtësinë e dritës virale të një rrjeti që punon me kapacitet të plotë dhe krijon një njerëzim të etur, si perënditë e Anatole France, jo prej gjaku por prej thashethemesh. Në fund të kësaj përleshjeje - në të cilën në çdo çast, ose pothuajse gjithmonë, një tjetër kokë rrokulliset në shportën panoptike të sorrave të reja - zhvillohet një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve, egërsinë e së cilës Hobbes nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë.
Si të dalim nga ky makth? Unë e injoroj.

*Bernard-Henri Lévy është filozof, gazetar, eseist dhe sipërmarrës francez. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.