Shënime në Blog

Çastet kur s’mund të jesh neutral

Me rënien e Bashkimit Sovjetik u mendua se demokracitë liberale mbeteshin e vetmja mundësi dhe se ishin të pakthyeshme. Pas krizës së vitit 2008, pamë se mund të ktheheshim mbrapa që ç’ke me të. E shohim këtë gjë në Hungari dhe në Poloni. Por populizmi ka ngritur krye në forma të ndryshme edhe me Brexit, në Katalonjë, në Francë, në Itali.
Çastet kur s’mund të jesh neutral

Ka një kohë, sipas shkrimtarit Javier Cercas, ku “neutraliteti nuk pranohet”. Si kjo koha e sotme, “e luftës së tmerrshme në Ukrainë”, thekson ai. Shkrimtari spanjoll është i ftuar në Panairin e Librit të Torinos, ku ndihet si në shtëpi dhe tregon mes frikës, mësymjen e ekstremit të djathtë në Europë, dhe entuziazmit për librat e rinj, dy prej të cilëve po i punon tani.

“Unë jam para së gjithash një shkrimtar, por nuk jetoj në një kullë fildishi. Asnjë shkrimtar nuk e bën, është një klishe e rreme. Kulla nuk ekziston” buzëqesh ai. Autor i romaneve dhe eseve duke përfshirë “Ushtarët e Salaminës”, “Anatomia e një çasti” dhe “Monarku i hijeve”, Cercas e ka vëzhguar gjithmonë realitetin si tregimtar, dhe si intelektual, ose si "qytetar" siç preferon ta quajë veten, ai mendon se duhet të mbajmë anë.

Keni shkruar se kjo është koha e krizës së demokracisë dhe mësymjes së nacional-populizmave. Dhe se ende nuk dihet nëse do të jetë demokracia ajo që do të triumfojë, dhe me çfarë çmimi. Kujt i druheni?
Rreziqet janë të shumta. Me rënien e Bashkimit Sovjetik u mendua se demokracitë liberale mbeteshin e vetmja mundësi dhe se ishin të pakthyeshme. Pas krizës së vitit 2008, pamë se mund të ktheheshim mbrapa që ç’ke me të. E shohim këtë gjë në Hungari dhe në Poloni. Por populizmi ka ngritur krye në forma të ndryshme edhe me Brexit, në Katalonjë, në Francë, në Itali. Edhe Ukraina, një tragjedi që s’e pranon qëndrimin tonë neutral, mund të lexohet si një pikë përballjeje mes populizmit nacionalist dhe demokracisë.

Verën e kaluar, në një intervistë për gazetën “La Stampa” thatë se “nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj faktit se në Itali mund të vijë një kryeministre në krye të një qeverie të ekstremit të djathtë, në koalicion me parti që e kanë mbështetur hapur Putinin.” Tani që qeveria është fakt, dhe që mbështet Bashkimin Europian në çështjen e Ukrainës, çfarë mendoni?
Nuk jam italian, ndaj e shoh situatën si spektator, nga një distancë, por jo shumë e madhe, sepse në fund të fundit të gjithë jemi europianë. Bashkëndajmë gjëra thelbësore si kufijtë dhe monedhën. Thënë kjo, e parë nga jashtë, mendoj se ajo që po bën qeveria është inteligjente pasi në tema më të ndjeshme për Europën, si punët e jashtme me luftën në Ukrainë apo ekonomia, po ndjek një politikë shumë ortodokse në linjë me BE-në, që i mban ujërat e qeta. Luftën e saj kulturore e bën brenda vendit, me tema si familja, aborti, emigracioni. Kjo për mua është shqetësuese. Në përgjithësi, unë nuk e përkrah axhendën e së djathtës, mendoj se nuk sjell ndonjë të mirë për vendin.

Së shpejti, spanjollët do t’i drejtohen kutive të votimit. Në fund të majit për zgjedhjet lokale dhe në vjeshtë për ato politike. A mendoni se mund të vijë në pushtet një qeveri e djathtë, e mbështetur nga ekstremi i djathtë me partinë Vox?
Është e mundur, por ende mendoj se s’do të ndodhë. Ndryshe nga Italia, ku e majta qartësisht nuk e ka aftësinë për t’u bashkuar, në Spanjë është e pamohueshme që kryeministri ka arritur të qeverisë me shpirtra të ndryshëm. Hipoteza e një konsolidimi të mundshëm të së djathtës ekstreme në vendin tim më shqetëson, por mendoj se është ende një alternativë që mund të shmanget. Duhet shmangur ajo që ndodh në Francë, ku rezultati i izolimit të ekstremit të djathtë, bëri që sot partia e Marine Le Pen të pozicionohet e para në sondazhe. Ekstremi i djathtë luftohet me arsye, me të vërteta, duke u përballur me temat që për ta janë thelbësore si emigracioni, jo duke e minimizuar dhe demonizuar. Nëse Le Pen do të bëhej presidente e Republikës do të ishte një problem shumë i madh. Ngjitja e së djathtës ekstreme në pushtet, mbi të gjitha në një vend si Franca, është problem më i madh i Europës.

Salman Rushdie, i cili u shfaq në një video pas atentatit të verës së shkuar, tha se “liria e shprehjes dhe e botimit nuk ka qenë kurrë më parë në Perëndim kaq e kërcënuar” dhe se është “shqetësuese të shohësh botuesit që tentojnë të censurojnë punën e njerëzve si Roald Dahl apo Ian Fleming për të qenë politikisht korrekt.” Çfarë mendoni?
Jam dakord. Kush tenton të korrigjojë një autor e bën në emër të një puritanizmi që më acaron. E djathta gjithmonë ka qenë puritane, mbi të gjitha në SHBA, dhe fatkeqësisht tani po bëhet edhe e majta. Është gabim .

Për të folur për librat, për çfarë po punoni?
Njëri është një libër shumë i vështirë sepse trajton një subjekt të ri për mua, ende nuk e di kur do ta përfundoj. Trajton një botë që të gjithë e njohim, por jo në thellësi. Një subjekt politik, edhe pse unë s’jam shkrimtar politik, sepse më interesojnë njerëzit. Le të themi që është një roman të cilin kam dashur ta shkruaj me kohë, e tani mendoj se është momenti i duhur. Ne shkrimtarët nuk jemi si gazetarët, edhe pse pikëtakohemi në disa aspekte. Gazetarët duhet të shkruajnë menjëherë, shkrimtari vjen më pas, sepse mund të presë të ulet pluhuri i fushëbetejës në mënyrë që të numërohen qartë të vdekurit e të plagosurit.

Dhe libri tjetër është një ese?
Është një eksperiment i çuditshëm. Hera-herës ndihem si një profesor i çmendur brenda një laboratori, një profesor që ka frikë se gjithçka mund të shpërthejë. Dua të shoh pasojat, për mua është diçka komplet e re. Churchill ka thënë se kuraja është virtyti thelbësor i njeriut, baza, themeli i virtyteve të tjera dhe mendoj se ka pasur të drejtë. Si njeri e konsideroj veten as më pak e as më shumë se një frikacak mesatar, por si shkrimtar nuk mund të jem i tillë. Nëse do të isha, i bie që jam në profesionin e gabuar. Një shkrimtar duhet të rrezikojë gjithçka në çdo libër, në çdo faqe, në çdo fjalë. Nëse ai nuk eksperimenton dhe kufizohet në imitimin e vetvetes, vdes.

*Javier Cercas është ndër shkrimtarët më të lexuar bashkëkohorë spanjollë, gjithashtu edhe profesor i letërsisë në Universitetin e Gironës. Autor i 12 romaneve, në shqip janë përkthyer librat e tij “Mashtruesi”, “Ushtarët e Salaminës” dhe “Monarku i hijeve”. Kjo intervistë për Elisabetta Pagani u përkthye në shqip nga Erjon Uka.