Shënime në Blog

Antidoti ndaj kaosit: Rregullat e Jordan Peterson për të vërtetën, martesën dhe disiplinimin e fëmijëve

Fenomeni Jordan Peterson mund të sintetizohet shpejt në shifra. Manuali i psikologut kanadez titullohet “12 rregulla për jetën: Një antidot ndaj kaosit”. U publikua në vitin 2018 dhe prej atëherë është botuar në 63 vende dhe ka shituar më shumë se 4 milionë kopje.

Antidoti ndaj kaosit: Rregullat e Jordan Peterson për të

Receta për sukses: merrni ca njohuri në lidhje me terapinë e sjelljes, pak biologji evolucionare, paksa mitologji, disa ide konservatore dhe do të merrni një "antidot" ndaj individualizmit radikal të kohës sonë.

Nëse në një ekran të madh do të zgjidhnit të publikonit vetëm një prej dymbëdhjetë rregullave tuaja, cilën do të zgjidhnit?
Thuaj të vërtetën, ose së paku mos gënje.

Ah, rregulli numër tetë. Pse pikërisht ai?
Për të marrë kontrollin e jetës sonë, nuk ka gjë më të mirë se të jemi të sinqertë. Nëse gënjejmë, nëse përdorim fjalët për të përdorur avantazhe të menjëhershme, nuk bëjme gjë tjetër veçse e zhvendosim furinë e inatit në të ardhmen.

Mund të jepni një rregull?
Shihet shpesh në martesa, ku partnerët i shtyjnë zënkat derisa gjenden me pesë mijë probleme. Atëherë gjithçka përfundon në divorc dhe në grindje mbi kujdestarinë e fëmijëve. Dhe kjo ndodh vetëm sepse zgjedhin t’u shmangen telasheve për të zgjidhur se kush do të përgatisë darkën, kush do të hedhë mbeturinat apo sa herë do të bëjnë seks.

Libri juaj premton të jetë një antidot ndaj kaosit. Për cilin kaos e keni fjalën?
Shpesh kaosi lind nga fakti se njerëzve u mungon ndjenja e përgjegjësisë. Kush është i privuar nga kjo gjë, vuan.

Si funksionojnë rregullat?
Rregullat duhet t’u kujtojnë njerëzve se mënyra më e mirë për t’i dhënë kuptim jetës është maksimumi i përgjegjshmërisë. Gjithçka që stabilizon njerëzit, gjithçka që u jep atyre kuptim dhe siguron mbrojtje kundër dhimbjes ka të bëjë me familjen, fëmijët, karrierën. Të gjitha këto virtyte të konsideruara konservatore.

Tingëllon si nostalgjike.
Nuk rezulton se sot njerëzit janë më të lumtur se në vitet ’60. Në bazë të statistikave, prej vitit 1962 gratë janë çdo vit e më shumë të palumtura. Në marrëdhëniet e së shkuarës kishte një ndarje të qartë të roleve, ishin detyrat mashkullore dhe detyrat femërore. Kjo për shumë mund të tingëllojë keq, por njerëzit dinin se çfarë bënin.

Projekti nuk mund të jetë ai i kthimit në vitet ’50, apo jo?
Në një sondazh të publikuar nga Pew Research Center, tre të katërtat e të intervistuarve konfirmuan se ishte familja ajo që kontribuonte më shumë në lumturinë e tyre. Pavarësisht kësaj ne vazhdojmë t’u themi vajzave se fokusi i jetës së tyre duhet të jetë karriera. Por nuk vlen thuajse për askënd.

Ju jeni për barazinë e të drejtave?
Të gjitha të drejtat që sjellin barazi në mundësi janë të dobishme, sepse i lejojnë talenteve që të shprehen në çdo mënyrë të mundshme. Por duket se kemi arritur në pikën ku të ardhurat margjinale kanë filluar të ulen. Gratë kanë hyrë me një ritëm të frikshëm në tregun e punës dhe në shumë sektorë e tejkalojnë numrin e burrave.

Por për shembull në politikë nuk e kemi arritur barazinë. Këtu mazhoranca e meshkujve vazhdojnë të vendosin për jetën tonë. Ju kemi zili juve kanadezëve, me Justin Trudeau, që për herë të parë keni një qeveri kaq të barabartë nga aspekti gjinor.
Nuk duhet të na keni zili. Ministrat nuk duhen zgjedhur në bazë të gjenitaleve të tyre. Ishte një akt i tmerrshëm i kryeministrit tonë, është një burracak. Detyra e tij do të duhej të ishte rekrutimi i personave më të kualifikuar në ekipin qeverisës.

Tani po ndihem pak si gazetaret që në intervistat me ju mbronin të drejtat e grave, e më pas sulmoheshin nga ndjekësit tuaj. Për këtë shkak i druhesha kësaj interviste.
Po bashkëbisedojmë në mënyrën e duhur. Kjo duhet t’ju japë siguri .

Duke ju lexuar, qetësohemi sapo ju nisni të flisni për kuptimin e jetës. Cili është ky kuptim?
Së pari duhet të kujdesemi për vuajtjet e panevojshme të jetës sonë dhe t’i korrigjojmë ato. E pastaj të ndalim ligësinë në zemrën tonë. Ky do të ishte një fillim i mirë. Është e lehtë të bëhesh i keq nëse nuk arrin të realizosh atë që do. Të bën të ndihesh keq.

Pra ajo që ka më shumë rëndësi në jetë është të bëhesh një person më i mirë? Siç thotë rregulla katër: Përqasu me cilin ishe dje, jo me dikë që tjetërkush është sot.
Nuk është mënyrë e keqe për të ecur në jetë. Zilia zhduket nëse përballemi me veten tonë dhe jo me të tjerët. Për më tepër, është një qëllim i arritshëm. Fëmijëve u jepet gjithashtu një qëllim që ata mund ta arrijnë.

Rregulla 5 thotë: “Mos i lejo fëmijët të bëjnë kurrgjë që të bën t’i marrësh zët”. Në këtë kapitull ju shkruani se, nëse vërtetë duhet, mund edhe të qëllohet mbi fëmijën. Në ditët e sotme nuk ndodh shpesh të lexohet diçka e tillë.
Nuk kam shkruar këtë. Duhet të lexoni me më shumë vëmendje. [Në të vërtetë lexohet: “Në rastet e rezistencës kokëfortë, një goditje është gjithashtu zgjidhje e mirë”]. Në atë kapitull unë shpalos një filozofi mbi disiplinën. Prindërit kanë nevojë për të. Në bazë të kësaj filozofie, duhen vendosur një numër i pakët rregullash të nevojshme dhe duhen imponuar me një ushtrim minimal force, bazuar te fëmija përkatës. Kjo është më mirë se sa filozofia “One-Size-Fits-All”.

Ju vazhdimisht kritikoni arsimimin modern të të rinjve.
Prej rreth dyzetë vitesh në universitete përhapen ide postmoderne. Mes tyre, ajo ide sipas së cilës shoqëritë tona i përkasin thellësisht një patriarkati shtypës. Këto ide janë shkatërruese. Nëse meshkujt e rinj janë ambiciozë, agresivë, ata duan të krijojnë rrugën e tyre dhe e gjitha kjo lidhet menjëherë me fuqinë dhe dominimin. Ne nuk pranojmë t'i inkurajojmë. Kjo është arsyeja pse kanë rezultate të dobëta në shkollë dhe e braktisin atë gjithmonë e më shpesh.

Nëse pyesim pse meshkujt janë mbipeshë ose pse kanë zakonin që nuk kërkojnë ndihmë kur u nevojitet ndihmë, na rezulton se kjo ka të bëjë me një imazh të vjetëruar të mashkullit.
E kam thënë edhe më parë se paguajmë një çmim të kripur për atë që ndodh në shkollat tona. Në njëzetë vitet e fundit, dëshira e grave për t’u martuar është rritur ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, po kaq ndjeshëm është rritur dëshira e meshkujve për të mos u martuar. Një prej arsyeve kryesore është se meshkujt nuk janë të inkurajuar për të marrë përgjegjësi.

Ndoshta një libër i ardhshëm mund të jetë një guidë për joshjen. Si mund të përmirësohen gjërat në marrëdhënien mes sekseve?
Ndoshta me më pak “seks rastësor” dhe me më shumë respekt për marrëdhëniet monogame jetëgjata.

Shumë i kërkojnë, por nuk i gjejnë.
Sepse në kulturën tonë nuk janë të prezantuara në mënyrën e duhur. Çdokush e konsideron tjetrin si diçka që mund ta përvetësojë lehtësisht e pastaj ta hedhë tutje kur të dojë. Prandaj në këtë situatë nuk duhet të çuditemi nëse jemi të palumtur dhe gjërat shfaqen banale dhe pa kuptim. Jemi mjaftueshëm budallenj për të besuar se bashkëjetesa përpara martesës është një ide e mirë, teksa kjo nuk bën gjë tjetër veçse rrit mundësitë për një ndarje të ardhshme.

Pra këshilla juaj është që të jetohet bashkë vetëm pas martesës?
Po, qartësisht. Këtë gjë kemi bërë për mijëra vite. Perse kjo përkohshmëri duhet të jetë më e mirë se marrja përsipër e riskut dhe përpjekjet e shumta që gjërat të funksionojnë?

Ju keni shumë ndjekës nga e djathta. “Guardian” ju ka cilësuar si “profesori i së djathtës”, ndërsa në “NBC” kanë folur për ju si “intelektuali i së djathtës së vjetër”...
Njerëzit e të djathtës së vjetër nuk më duan aspak. Vox Day ka shkruar librin “ Jordanetics”, lexojeni. [Në blogun e Vox Day, akuzohet si “narcist dhe mashtrues intelektual”]. Më akuzojnë se kam admirues të rrezikshëm. Kam udhëtuar në qindra qytete dhe takimet e mia kanë qenë 100% paqësore. Njerëzit vijnë sepse duan të vendosin rregull në jetët e tyre dhe deri në një farë pike ia arrijnë.

Jordan Peterson është profesor kanadez i psikologjisë, psikolog klinik dhe studiues. Konsiderohet një prej personaliteteve më ndikues aktualisht, kryesisht i njohur përmes librave “12 rregulla për jetën – një antidot ndaj kaosit” dhe “Përtej rregullit – 12 rregulla të tjera për jetën”. Intervista me Brenda Strohmaier u përkthye në shqip nga Erjon Uka.