Shënime në Blog

Afrikani i parë që fitoi Nobelin në Letërsi, Wole Soyinka: Humbja e anonimitetit më bezdis

Afrikani i parë që fitoi Nobelin në Letërsi, Wole Soyinka:

“George Bernard Shaw kishte të drejtë. Mund ta falim Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, por jo për krijimin e çmimit Nobel. Atë mund ta ketë bërë vetëm djalli nën petkun njerëzor”. Kështu thotë Wole Soyinka, shkrimtari dhe dramaturgu më i njohur afrikan, fitues i çmimit Nobel në vitin  1986. Pak muaj para nderimit të tij, në Stokholm ishte vrarë Olof Palme, kryeministri suedez me shumë armiq në botë, ndër të cilët edhe Aparteidin në Afrikën Jugore. Soyinka në atë kohë ishte një dramaturg shumë i njohur në skenat londineze, protagonist i luftërave dhe dhunës së diktaturave afrikane: gjatë luftës civile nigeriane, i akuzuar për konspiracion me rebelët e Biafrës pasi publikoi një artikull ku bënte thirrje për armëpushim, kaloi 22 muaj në një qeli izolimi. Romani që rrëfen atë eksperiencë titullohet “Njeriu ka vdekur” dhe konsiderohet ndër klasikët e letërsisë së burgut.

Ju keni qenë afrikani i parë që keni fituar çmimin Nobel për letërsinë. Çfarë përfaqëson ky çmim?
Më shumë më ka bërë përshtypje kuptimi që të tjerët i kanë veshur Nobelit tim dhe jo aq shumë se çfarë kuptimi ka pasur ai për mua. Sigurisht që bëhet fjalë për një nderim prestigjioz, të rëndësishëm në nivel global, por mësymja e medias, kritikat, pritshmëritë që shpërthyen ndaj meje më kanë bezdisur.

Çfarë do të donit?

Të merrja çmimin dhe të ikja. Kaq thjeshtë. Nuk isha gati ta pranoja dhe më pas të përballoja ato që të tjerët prisnin nga unë. Anonimiteti është diçka që shpesh herë e nënvlerësojmë dhe nuk e kuptojmë se sa i rëndësishëm është derisa e humbasim.

Fjalimi juaj në Stokholm i dedikohej Nelson Mandelas. A është figura e liderit të madh afrikanojugor po aq qëndrore edhe për gjeneratat e reja?

Mandela është shembulli i atij që arrin të thotë jo. Kaloi çerekun e jetës në burg: mund të dilte duke pranuar propozimet që i bënin, por i konsideronte të papranueshme dhe përsëriste jo-në e tij. Dhe kur më në fund u lirua, çfarë bëri? Shtriu dorën ndaj kundërshtarëve të tij, shkoi kundër rrymave ekstremiste të partisë së tij duke i dhënë Afrikës së Jugut një vizion të ri. Përfaqëson diçka për të cilën ne nuk do të jemi kurrë aq të aftë, madhështinë dhe zemërgjerësinë. Është një shembull për të rinjtë, për revolucionarët, për besimtarët dhe jo-besimtarët. Por shpesh njerëzit marrin prej tij vetëm atë që u pëlqen, duke mos e parë në tërësi.

Mandela iu kthye poezive të tij. Në “Ode laike” takon me imagjinatë Leah Sharibu-n, një prej vajzave të rrëmbyera nga Boko Haram në një fshat në verilindje të Nigerisë që ende nuk është liruar. Ku ndodhen rrënjët e intolerancës fetare në vendin tuaj?

Nuk ka asnjë formë fanatizmi në traditën fetare të Orishave, hyjnive të Jorboas, popullit tim. Ata të Boko Haram janë barbarë si ISIS, Al-Shabaab ose Al Kaeda. Fundamentalizmi i tyre fetar bashkohet me lakminë e nxitur nga nafta dhe përpjekjet e manipulimit të shumë politikanëve të korruptuar. Nëse fundamentalizmi do të ishte thjesht një çështje ideologjike, ne mund të uleshim rreth një tryeze, të diskutonim pikëpamjet tona përkatëse dhe mund të arrinim në një formë bashkëjetese. Për fat të keq tani jemi në një situatë apokaliptike, ku bëhet fjalë për jetë a vdekje. Tani bëhet fjalë për nënshtrim dhe dominim.

A mundet fjala ta ndalë dhunën?

Duhet të shprehë një dënim të preprë. E megjithatë, shpesh gjuha me të cilën shprehet ky dënim rezulton të jetë e dobët, apologjetike, e madje e ngadaltë.

I referoheni të qenit politikisht korrekt?

Kjo lloj gjuhe ka kohë që është zhvendosur në koshin e mbeturinave të strategjive të pajtimit. Nuk ka terma të ëmbël për të përshkruar linçimin publik. Kjo është një temë e lidhur ngushtë me historinë e Shteteve të Bashkuara ku është gjendur gjithmonë një njeri me ngjyrë për t’u fajësuar.

Në veprën tuaj të fundit, “Përtej estetikës”, ju e lidhni artin me shpirtëroren. Pse?

Njeriu nuk ekziston vetëm për të mbushur barkun, por ka diçka që e lartëson, që e bën më të mirë. Arti është një përgjigje ndaj nevojës sonë për të kultivuar shpirtin, është një mënyrë për të ngushëlluar veten, pavarësisht nga kushtet materiale në të cilat ndodhemi. Plotëson një nevojë që e kemi pasur që nga ditët kur ishim gjahtarë dhe mbledhës ushqimi.

A mendoni se muzetë perëndimorë kanë përsëritur mekanizmat e përvetësimit kulturor të periudhës koloniale në koleksionet e tyre?

Arti mund të shndërrohet në monedhë, në të njëjtën kohë mund të vlerësohet dhe zhvlerësohet. Misionarët e dënuan artin afrikan si diçka djallëzore dhe më pas e përvetësuan atë, e dërguan në Europë dhe e vendosën në muze.

Çfarë i ka dhënë politika artit tuaj?

Unë nuk mendoj se politika përbën ndonë material të veçantë për artin tim, më shumë se gjërat e tjera. Përqendrohem në zbulimin e njerëzimit, në peripecitë e njerëzve. Ndoshta është thelbësore vetëm kur bëj “guerrilla theatre”, improvizime teatrale ku vihet në skenë një përleshje e vërtetë, një përballje e drejtpërdrejtë me politikën.

*Akinwande Oluwole Babatunde Soyinka është dramaturg, poet dhe eseist nigerian, fitues i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1986. Konsiderohet si dramaturgu më i mirë i Afrikës, ndërsa ka qenë profesor në universitete të ndryshme ndër të cilat Harvard, Cambridge, Yale, Cornell dhe Sheffield, si edhe anëtar i shumë shoqatave ndërkombëtare letrare. Kjo intervistë u përkthye nga Erjon Uka.