Shënime në Blog

Viktima e parë e luftës është gjithmonë e vërteta

Viktima e parë e luftës është gjithmonë e vërteta

Tmerr, shqetësim, ankth. Këto ndjenja përjeton Javier Cercas teksa sheh nga zyra e tij katalane, në lagjen Gràcia të Barcelonës, pamjet se si Rusia kërkon të fshijë me gjak ëndrrën europiane të Ukrainës. Janë ditë të rëndësishme për të, sepse në fillim të marsit botohet në Spanjë “El castillo de Barbazul”, romani i treti i serisë të nisur me “Terra alta”. Por është e pamundur për një shkrimtar që të qëndrojë larg historisë dhe larg atyre pamjeve, aq më tepër kur bëhet fjalë për një shkrimtar që i ka dedikuar libra të rëndësishëm hijeve të errëta të se shkuarës – hije që zgjaten në të tashmen – siç kanë qenë “Ushtarët e Salaminës” apo “Anatomia e një çasti”. Ideja e tij sot është se lufta e Vladimit Putinit përbën “pikën kulmore të përballjes mes demokracisë dhe nacional-populizmit”.

Thërrasim në ndihmë historinë dhe jo rastësisht fjalët me të cilat nis biseda jonë janë të hidhura. “Në 2 gusht të vitit 1914, Franz Kafka shkruante në ditarin e tij: Sot Gjermania i shpalli luftë Rusisë. Pasdite ika për not.” Lufta e Parë Botërore kishte nisur. Shumë e interpretojnë këtë pjesë sikur autorit të “Procesit” të mos i bëhej vonë për ç’po ndodhte në botë. Por unë nuk jam dakord. Besoj se ajo frazë tregon bindjen e pamundësisë për të vepruar, për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, shënjon nevojën për të reflektuar. Por halli është se teksa ne reflektojmë, teksa jemi të ndërgjegjshëm për parëndësinë tonë në histori, ka njerëz që vdesin. Ashtu si sot, ka shtete që shkatërrohen.”

Por sa e rëndësishme është që të paktën të reflektojmë për ngjarjet në të cilat jemi dëshmitarë?
Sot pjesa më e madhe e europianëve nuk e dinë se ç’është lufta. Nuk e kanë përjetuar një të tillë. Kujtesa e Luftës së Dytë Botërore është zhdukur. Fakti që nuk e kemi këtë përvojë direkte na detyron të kuptojmë se cili është thelbi i luftës. Unë e kam tentuar diçka të tillë, në një artikull të fundit për “El Pais”: Lufta është vendi në të cilin duhet të kesh temperament heroik dhe forcë morale për t’iu kundërvënë vrasësit. E kam cituar këtë nga një letër që Simone Weil – e cila doli vullnetare krah republikanëve spanjollë e më pas dënoi edhe mizoritë që vetë kishte kryer – i dërgonte Georges Bernanons, shkrimtar katolik francez, filo-frankist, që nuk e mbylli gojën përballë krimeve të bëra nga mbështetësit e Frankos. Në kundërshtim me Weil dhe Bernanos, unë nuk jam i sigurt se nuk ekzistojnë luftëra të drejta. Ka luftëra që nëse shpërthejnë, duhen luftuar. I tillë ishte rasti i luftës civile spanjolle, ku t’i kundërviheshe fashizmit kishte një rëndësi të paçmueshme.

Pra nga ky këndvështrim, edhe sot është e nevojshme të luftohet për të shmangur që Ukraina të bjerë nën zotërimin autoritar të Putinit?
Natyrisht askush s’mund ta mendojë që Perëndimi të ndërhyjë ushtarakisht. Varet shumë nga sanksionet. Duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën. Duhet të dimë se çfarë ndodh në Ukrainë nuk u ndodh njerëzve të ndryshëm nga ne, por njerëzve të njëjtë me ne. S’mund t’i braktisim. E kundërta e kësaj ndodhi në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur Spanja u la vetëm nga Europa. Askush s’na ndihmoi dhe Franko qëndroi në pushtet edhe për tridhjetë vite.

A keni menduar mbi arsyet e kësaj që po ndodh?
Kriza e vitit 2008 ishte vendimtare. Ajo krizë si tërmet e ndryshoi botën, duke provokuar lindjen dhe konsolidimin e nacional-populizmit. Ashtu si fashizmi dhe totalitarizmi, nacional-populizmi ka pasur forma të ndryshme dhe interpretime po aq të ndryshme. Putini është fytyra më e dukshme e kësaj rryme, sepse objektivi i tij është shkatërrimi i Europës, armiku i tij është demokracia.

Jemi të gjithë të përfshirë?
Ashtu siç tha presidenti Volodymyr Zelensky, nëse ne europianët nuk e ndihmojmë Ukrainën, lufta mund të vijë deri në vendet tona. Do të ishte qesharake nëse nuk e pranojmë se jemi përballë një rreziku të vërtetë. Gjithçka është planifikuar prej kohësh. Është shumë interesante të vësh re, duke dëgjuar edhe fjalimet e Putinit, se si e shkuara rikthehet gjithmonë, ndoshta në forma tragjike ashtu si sot. Kush kërkon të kontrollojë të tashmen, i beson një versioni mitologjik të së shkuarës. Viktima e parë e luftës është gjithmonë e vërteta dhe lideri rus është mjeshtër i gënjeshtrës.

Çfarë ka brenda kokës së Putinit?
Nuk e di. Ka nga ata që thonë se është futur në një rreth paranojak.

Pse demokracia ndodhet kudo kaq shumë në vështirësi?
Demokracia është një punë që i përket të gjithëve. Nëse e merr për të mirëqenë, e vendos në rrezik. Madhështia e saj qëndron në faktin se pranon edhe kundërshtarët në gjirin e vet, kështu siç po ndodh aktualisht edhe në Bashkimin Europian.

Kush janë heronjtë e sotëm?
Ëndërr e kam të jetoj në një botë pa heronj, në një botë që nuk ka nevojë për ta. Për fat të keq, kjo nuk është e mundur. Termi “hero i njohur” përmban shumë kundërshti brenda vetes, sepse heronjtë e vërtetë janë të panjohur. Por pyetja juaj më sjell ndër mend të gjithë ata që guxuan të kundërshtojnë Putinin duke demonstruar për paqen. U arrestuan direkt, e dinin se ç’po rrezikonin. Kjo është një prej karakteristikave të heronjve: të dinë të thonë “jo” edhe në kushte rreziku. Është e lehtë të manifestosh kundër Putinit në vendet tona, por është komplet tjetër gjë ta bësh në Rusi. Bota nuk është perfekte, e prandaj do të kemi nevojë gjithmonë për njerëz që kanë guximin të rrezikojnë jetën për një çështje të drejtë.

Si po i përjetoni këto ditë?
Mbi të gjitha, me shumë shqetësim. Falë idesë europiane, brezi im nuk e ka njohur luftën. Kjo e vërtetë e jashtëzakonshme është rezultat i diçkaje shumë të madhe, që një pjesë e përçmojnë, siç është Bashkimi Europian. Hegeli ka shkruar se gjëja e vetme që mësojmë nga historia është se prej saj nuk mësojmë asgjë. Një thënie tragjike. E kundërta duhet të ndodhë, të mësojmë dhe të mos përsërisim gabimet. Kjo më shqetëson. Nuk mund t’u lëmë fëmijëve dhe nipërve një botë si kjo e sotmja.

*Javies Cercas është shkrimtar dhe profesor i letërsisë spanjolle në Universitetin e Gironës në Spanjë, si edhe kontributor i përjavshëm në gazetën “El Pais”. Kjo intervistë për Paolo Lepri u përkthye në shqip nga Erjon Uka.