Shëndeti

Studimi: Pse Covid-19 mund të shkaktojë diabet

Studimi: Pse Covid-19 mund të shkaktojë diabet

Një grup shkencëtarësh nga e gjithë bota, besojnë se ka një numër në rritje provash, se Covid-19 mund të shkaktojë diabet tek disa pacientë. Profesor Francesko Rubino, nga Kolegji Mbretëror i Londrës, është në krye të një grupi ekspertësh që bën thirrje për një hetim të plotë mbi një lidhje të mundshme midis këtyre dy sëmundjeve.

Duke parë një rritje të diabetit të Tipit 1 dhe të Tipit 2 tek njerëzit që janë prekur nga koronavirusi i ri, disa mjekë po konsiderojnë madje mundësinë që virusi – përmes prishjes së metabolizmit të sheqerit – të shkaktojë një formë krejt të re të diabetit.

Rubino dyshoi për herë të parë mbi këtë lidhje gjatë një diskutimi me kolegët në platformën Zoom, ku secili po tregonte rastet personale në spital. Rubino dhe kolegët e tij, krijuan një regjistër për të filluar bashkimin dhe analizimin e këtyre raporteve.

Ata kanë marrë deri tani raporte nga më shumë se 350 mjekë, që dyshojnë se kanë hasur tek një ose më shumë raste të diabetit të shkaktuar nga Covid-19. “Gjatë muajve të fundit, kemi parë më shumë raste të pacientëve që ose kishin zhvilluar diabet gjatë sëmurjes nga Covid-19, ose menjëherë pas kalimit të saj. Tani kemi filluar të mendojmë se lidhja është ndoshta e vërtetë, pasi ekziston një aftësi e virusit për të shkaktuar një mosfunksionim të metabolizmit të sheqerit”-thotë Rubino.

Pacientët me diabet para-ekzistues, janë më të rrezikuar për komplikacione serioze nga Covid-19, ndaj ata janë në listën prioritare në Britani për të marrë vaksinën. “Për mua nuk ka asnjë dyshim. Covid-19 është sigurisht një shkak për shfaqjen e një diabeti të ri”- thotë Pol Zimet, profesor i diabetit në Universitetin Monash të Australisë.

“Por ne ende nuk e kuptojmë plotësisht, së pari madhësinë e ndikimit dhe së dyti, cilat nga gjërat që kemi hipotetizuar janë faktorët kryesorë”-thekson ai. Shkencëtarët supozojnë se meqë Sars-CoV-2 ndërvepron me një receptor të quajtur ACE-2 për t’u infiltruar në qelizat e njeriut në një sërë organesh, përfshirë pankreasin, ai mund të prishë edhe metabolizmin e sheqerit.

Një shpjegim tjetër i mundshëm është përgjigja e antitrupave të bollshëm të trupit, që synon të luftojë virusin, e cila reagon me tepri, dhe sulmon organet kryesore për të ruajtur nivelet normale të glukozës. “Që të gjitha këto janë teori të bazuara tek biologjia dhe përvojë me viruset të tjerë”- thotë Rubino.

Dr.Satish Thirunavukarasu, ekspert në Universitetin Mekmaster në Kanadasë, ka kryer një përmbledhje që përfshin 8 studime nga vende të ndryshme gjatë 5 muajve të parë të pandemisë. Thirunavukarasu dhe kolegët gjetën 492 raste të diabetit të diagnostikuar për herë të parë midis 3.711 pacientëve të shtruar në Covid-19, ose 14.4 për qind. / The Guardian

*Marrë nga Bota.al