Shëndeti

Realizohet me sukses transplanti i parë i veshkës së një derri tek njeriu

Realizohet me sukses transplanti i parë i veshkës së një

Për herë të parë, një veshkë derri është transplantuar tek një njeri pa shkaktuar refuzim të menjëhershëm nga sistemi imunitar i marrësit, një përparim potencialisht i madh që do t`i jepte fund stërmundimeve me të cilat shumë njerëz përballen për një marrë një organ dhe radhëve të gjata në pritje.

Procedura e bërë në një spital në New York City përfshinte në fillim përdorimin e një procedure që ndryshonte genet e derrit në mënyrë që indet e tij të mos përmbanin më molekula që shkaktonin refuzimin menjëhershëm nga trupi i marrësit.

Marrësi ishte një paciente në vdekje klinike, me shenja të mosfunksionimit të veshkave. Familja e saj lejoi të kryhej eksperimenti.

Për tre ditë, veshka e re u mbajt jashtë trupit të saj, duke u dhënë studiuesve qasjen për të parë funksionet.

Rezultatet e testit të funksionit të veshkës së transplantuar 'dukeshin mjaft normale', tha kirurgu i transplantit Dr. Robert Montgomery, i cili udhëhoqi studimin.

Veshka filtroi sasinë e nevojshme të urinës që pritej pas një transplanti.

“Niveli jonormal i kreatininës u rikthye në normalitet pas transplantit”, tha Montgomery.

Në Shtetet e Bashkuara, gati 107,000 njerëz aktualisht janë duke pritur për transplantimin e organeve, dhe më shumë se 90,000 prej tyre presin një veshkë. Koha e pritjes për një veshkë mesatarisht zgjat tre deri në pesë vjet.

Studiuesit kanë punuar për dekada me radhë mbi mundësinë e përdorimit të organeve të kafshëve për transplantet, por zakonisht trupi i njeriut i ka refuzuar menjëherë.

Eksperimenti i bërë përfshiu një transplant që zgjati vetëm tre ditë kështu që çdo provë e ardhshme ka të ngjarë të zbulojë barriera të reja që do të duhet të kapërcehen. Pranueshmëria mund të varet edhe nga prognoza.