Shëndeti

Pse u gjetën disa vaksina për Covid dhe ende asnjë për HIV AIDS dhe kancerin! 

Pse u gjetën disa vaksina për Covid dhe ende asnjë për HIV

Pandemia kërcënoi botën e zhvilluar. Nëse shkon në Afrikë, Azi atje askush nuk përjeton panikun që kapi botën e zhvilluar, sepse ata jetojnë me viruset. Duke qenë kështu, bota e zhvilluar u angazhua e gjitha sepse virusi kapte të varfër e të pasur.

Silva Bino e ka shpjeguar me detaje, në intervistën me Mira Kazhanin, për Tiranapost.

Pjesë nga biseda:

Mira Kazhani: Ne nuk kemi gjetur një mënyrë për të parandaluar kancerin. Nuk kemi gjetur një vaksinë për kancerin. Ne nuk kemi një vaksinë për HIV-AIDS…

Silva Bino: Edhe dështoi së fundmi.

Mira Kazhani: Dështoi sërish? Dhe gjetëm vaksinë për Covid-in?

Silva: Edhe HIV AIDS është një pandemi, por nuk pati atë... Coronavirusi ishte pandemia e parë apo epidemia e parë pas qindra e qindra vjetësh që preku botën e zhvilluar, botën e pasur. Deri më tani, po të shkosh në Afrikë dhe të flasësh për Covidin, nuk do gjesh të njëjtin shqetësim, eufori dhe habi që është këtu. Është hera e parë që ndodhi kjo. Mbas qindra e qindra vitesh, mbas zhdukjes së Variolës e një sërë sëmundjesh infektive, Poliomelitit etj etj. Pra kemi qindra vite qe nuk shikojmë sëmundje infektive masive. Natyrisht erdhi Zika, po edhe ajo preku Amerikën Latine. Nuk preku gjithë botën. Kjo ishte e vetmja pandemi që preku gjithë botën dhe kryesisht botën e pasur. Natyrisht të gjithë u përpoqën që të gjejnë një vaksinë për të shpëtuar veten.

Mira Kazhani: Pra ka të bëjë sa para hidhet? Sa para shpenzohet? Është e gjitha çështje investimi?

Silva Bino: Absolutisht po. Natyrisht u shpenzuan shumë para. Për shembull Moderna është një vaksinë e prodhuar me ndihmën e Institutit Amerikan të Kërkimeve Shkencore të Shëndetit, i cili bën kërkime edhe për HIV AIDS, por që nuk ia ka arritur. Pfizer punoi kryesisht vetë me shkencëtarët të cilët i njohëm. Ka qenë një teknologji e zbuluar nga një grua. Teknologjia që është përdorur në vaksinën e Pfizer u krijua nga një hungareze, vjen nga Europa Lindore dhe kjo teknologji u vu në veprim. Ka vite që është e njohur dhe që janë bërë përpjekje, por u vu në veprim, u prodhua dhe u shit. Ju e patë fare mirë sesi bota e zhvilluar i mbajti të gjitha vaksinat për vete. I bleu vaksinat përpara se të prodhoheshin, sepse kishte lekët, kishte mundësitë financiare dhe bota tjetër mbeti pak a shumë në mëshirë të disa iniciativave. Edhe iniciativa Covax është një iniciativë e cila dështoi fillimisht. Aktualisht me përpjekjen shumë të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhuruar më shumë vaksina se çdo vend tjetër, ne jemi ne këtë gjendje. Natyrisht që Shqipëria bëri përpjekjet e veta dhe këtu është për t`i dhënë një vlerësim jashtëzakonisht të madh qeverisë. Duan apo nuk duan njerëzit. Mund të thonë edhe për mua që po i bën lavde qeverisë, por ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme në këtë aspekt. Prandaj unë përpiqem shumë që kjo përpjekje të jetë në realitet, që t`i bindim njerëzit. Duhet të përpiqemi të gjithë. Ndoshta s`kam bërë aq sa duhet.