Shëndeti

Pse ata që kanë probleme të shëndetit mendor kanë më shumë risk që të infektohen me Covid

Pse ata që kanë probleme të shëndetit mendor kanë

Psikiatrja Arjana Rreli, duke iu referuar një studimi nga Universiteti i Oksfordit që tregon se një në pesë persona që kanë probleme mendore, kanë më shumë shanse që të infektohen me Covid-19, ka treguar arsyet se pse ndodh kjo.

Nga emisioni i 'Rudina Magjistrarit' këtë pasdite ajo tha se shkaku është imuniteti i ulët:

'Ky studim ka nxjerr një problem tjetër madhor, që është se 65% e personave që kanë pasur probleme të shëndetit mendor kanë qenë më të predispozuar që të infektohen me Covid. Një person që ka probleme të shëndetit mendor ka një imunitet më të ulët. Problemet e shëndetit mendor ulin forcën mbrojtëse në organizëm, pasi kanë lidhje me çfarë imuniteti ynë duhet të luftojë praninë e virusit. Duke qenë se imuniteti është më i rënë, predispozita që të infektohen është më e madhe'.

Më tej, psikiatrja thotë se në studim nuk janë marrë parasysh faktorët socialë dhe ekonomikë: 'Këto mund të jenë faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht. Nëse e shikojmë në këndvështrimin pozitiv, këto tre çrregullime nuk janë çrregullime të forta të shëndetit mendor'.

Ankthi, depresioni dhe pagjumësia, nuk konsiderohen si çrregullime të forta, thekson psikiatrja duke shtuar: 'Por nga ana tjetër të gjithë e kanë përjetuar këtë situatë me frikë, pasi ka qenë diçka e panjohur. Nëse flasim për ankth ndikon në mbarëvajtjen e shëndetit tonë'.