Shëndeti

Një tumor po rritej në heshtje në zemrën e kësaj gruaje, derisa ora e saj Apple i dha një sinjal

Një tumor po rritej në heshtje në zemrën e kësaj

Kim Durkee filloi të mbante një Apple Watch dy vjet më parë për të monitoruar hapat e saj dhe për të marrë ndihmë urgjente në rast se rrëzohej.

Ajo kurrë nuk kishte pritur që të zbulonte shenjat e para të një gjendjeje kërcënuese për jetën. Të diçkaje që kërkonte operacion të menjëhershëm në zemër të hapur për të parandaluar një goditje në tru.

67 vjeçarja jeton në Solon, Maine.

“Mjekët thanë se isha si një bombë e heshtur me sahat”.

Po ajo s`kishte kuptuar asgjë. Derisa Apple Ëatch papritmas filloi të gumëzhinte në kyçin e dorës në mes të natës, në fund të majit. Durkee, e cila mbante orën në dorë edhe kur flinte, u zgjua nga një mesazh që e paralajmëronte se kishte një ritëm të parregullt të zemrës, një fibrilacion atrial.

E njohur gjithashtu si AFib, gjendja ndodh kur dhomat e sipërme të zemrës nuk janë të koordinuara me dhomat e poshtme, duke bërë që zemra të rrahë shumë ngadalë, shumë shpejt ose në mënyrë të parregullt, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Kjo mund të çojë në mpiksje gjaku, goditje në tru dhe atak të zemrës. Të paktën 2.7 milionë amerikanë jetojnë me AFib.

Në fillim, Durkee mendoi se alarmet ishin një rastësi. Ajo tha se nuk e ndjente zemrën e saj duke i rrahur ose duke bërë ndonjë gjë të çuditshme dhe se merrte frymë mirë. Megjithatë, kur i njëjti alarm vazhdoi ta zgjonte tri netë me radhë, me pesë mesazhe të veçanta nga mesnata deri në orën 4 të mëngjesit vetëm pas natës së tretë, ajo vendosi të merrte ndihmë mjekësore.

Më 3 qershor, Durkee shkoi në dhomën e urgjencës së spitalit dhe i shpjegoi mjekut në turn se ora e saj inteligjente i thoshte që të kontrollohej.

“Ai më pa dhe më tha: Vërtet, ora jote të tha se ke AFib? Të gjithë në spital u mahnitën. U bëra objekt bisede në gjithë spitalin. Ai më bëri disa teste dhe më tha: Ora ka të drejtë. Je me AFib”.

Durkee ishte aktive dhe nuk kishte shenja të shqetësimit në zemër përpara diagnozës së saj.

Sot thotë se ora i shpëtoi jetën.

Po historia nuk mbyllet me kaq.

Kur mjekët kryen disa analiza dhe vizita të tjera, specifikisht në EKG, zbuluar se një tumor po rritej në zemrën e saj. Diagnoza: miksoma, një rritje jo kanceroze në atriumin e saj të majtë. Simptomat mund të përfshijnë vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi dhe marrje mendsh. Nuk është e qartë se çfarë e shkakton shumicën e këtyre tumoreve, por ato janë jashtëzakonisht të rralla. Ka më pak se 0.02% të njerëzve të prekur nga këto tumore.

Kjo ishte ajo që po ndodhte në rastin e Durkee. Tumori po ndërpriste ciklin e rregullt të zemrës duke shkaktuar një aritmi. Ajo kishte nevojë për një operacion në një spital të Bostonit për të hequr tumorin.

Kur Durkee e pyeti kirurgun e saj se çfarë do të kishte ndodhur nëse ajo nuk do të merrte alarmin e orës inteligjente dhe nuk do të kontrollohej, pasi nuk kishte simptoma, ai i tha: “Me siguri do të kishe pësuar një goditje në tru nga e cila do të vdisje”.

Operacioni pesë-orësh në zemër u zhvillua më 27 qershor. Një muaj më vonë, Durkee po rimerr veten dhe sigurisht nuk e ndan orën nga vetja.