Shëndeti

Një ilaç i ri mund të luftojë demencën

Një ilaç i ri mund të luftojë demencën

Një medikament i ri ka zgjuar shpresat se demenca mund të luftohet. Shkencëtarët thonë se ilaçi zvogëlon rënien e aftësisë njohëse, një nga karakteristikat kryesore të Alzheimerit.

Ilaçi i antitrupave ndihmon në fazat e hershme të sëmundjes duke pastruar një proteinë që grumbullohet në trurin e njerëzve me këtë lloj demence.

Edhe pse nuk është ende një kurë, organizatat bamirëse thonë se rezultatet e publikuara në revistën JAMA, shënojnë një epokë të re për mënyrën sesi mund të trajtohet Alzheimer.

Në Mbretërinë e Bashkuar medikamenti po vlerësohet për një përdorim të mundshëm.

Ilaçi funksionon vetëm në sëmundjen e Alzheimerit, jo në llojet e tjera të demencës.

Në provat, duket se ka ngadalësuar ritmin e sëmundjes me rreth një të tretën, duke i lejuar njerëzit të mbajnë mend më shumë nga jeta dhe t`i kryejnë më me efikasitet detyrat e përditshme, të tilla si përgatitja e vakteve dhe shijimi i një hobi.

Mike Colley, i cili është 80 vjeç, është një nga vetëm disa dhjetëra pacientë në Mbretërinë e Bashkuar që ka marrë pjesë në provën globale. Ai dhe familja e tij folën ekskluzivisht për BBC.

Majk merr një infuzion çdo muaj në një klinikë në Londër dhe thotë se është 'një nga njerëzit më me fat’.

Majk dhe familja e tij vunë re se ai kishte probleme me kujtesën dhe vendimmarrjen.

Djali i tij, Marku, tha se ishte shumë e vështirë për t'u parë në fillim: “Ta shihje atë duke luftuar me përpunimin e informacionit dhe zgjidhjen e problemeve ishte shumë e vështirë”.

Donanemab, i prodhuar nga Eli Lilly, funksionon në të njëjtën mënyrë si lecanemab - i zhvilluar nga kompanitë Eisai dhe Biogen.

Edhe pse jashtëzakonisht premtuese, këto barna nuk janë trajtime pa efekte anësore.

Ënjtja e trurit ishte një efekt anësor i zakonshëm në deri në një të tretën e pacientëve në provën e donanemabit. Për shumicën, kjo u zgjidh pa shkaktuar simptoma. Megjithatë tre vullnetarë vdiqën si pasojë e ënjtjes në tru.

Në provën e donanemabit, studiuesit ekzaminuan 1,736 njerëz të moshës 60 deri në 85 vjeç me Alzheimer në fazën e hershme.

Gjysma e tyre morën një infuzion mujor të trajtimit dhe gjysmës tjetër iu dha një ilaç i rremë, i njohur gjithashtu si placebo, mbi 18 muaj.

Gjetjet tregojnë:

Ilaçi duket se ka një përfitim domethënës, të paktën për disa pacientë.

Ata që kishin sëmundje të hershme dhe më pak amiloid të trurit në fillim, nxirrnin përfitim më të madh, për sa i përket pastrimit të vërejtur në skanimet e trurit.

Ritmi i sëmundjes, i gjykuar nga ajo që njerëzit ende mund të bënin çdo ditë, u ngadalësua me rreth 20-30% në përgjithësi.

Efektet e ilaçit mund të jenë modeste, por rezultatet japin konfirmim të mëtejshëm se heqja e amiloidit nga truri mund të ndryshojë rrjedhën e Alzheimerit dhe të ndihmojë njerëzit e prekur nga kjo sëmundje shkatërruese nëse trajtohen në kohën e duhur.