Shëndeti

Mjaft u lodhët me celulitin! Nuk e parandalon, nuk është nga pesha dhe ka një rrugë për ta reduktuar

Mjaft u lodhët me celulitin! Nuk e parandalon, nuk është nga

Shumica e njerëzve kanë celulit. Është pjesë e jetës dhe një gjë krejt normale. Në fakt shumica e grave, për të qenë më të saktë rreth 90% e tyre kanë celulit dhe sipas shoqatës amerikane të Kirurgëve Dermatologjikë është e pamundur ta parandalosh.

Nuk ka informacione të sakta se çfarë e shkakton celulitin dhe kjo e bën disi të vështirë trajtimin. Ka ende shumë keqkuptime, disa thonë se ka të bëjë me sasinë e yndyrës në trup, por nuk është kështu. Nëse kërkon në Google se si të heqësh celulitin dalin artikuj të ndryshëm, sugjerime me lloje kremrash, produkte me kafeinë dhe një mori metodash të tjera të cilat mund të funksionojnë por edhe jo. 'Endo Asthetics' përmes programit Really Cellulite tregon disa të vërteta se çfarë e shkakton celulitin dhe çfarë jo, bashkë me disa mënyra se të si të minimizohet dukja e tyre.

Çfarë e shkakton celulitin?

Celuliti nuk shkaktohet nga dhjami. Përkundrazi, fijet fibroze nën lëkurë e shkaktojnë celulitin. Këto fije indore shtrihen vertikalisht nën sipërfaqen e lëkurës dhe trashen me kalimin e kohës, duke krijuar gropëza të vogla të cilat duken në sipërfaqe. Celuliti nuk është çështje e dhjamit aq sa e kolagjenit. Thënë kjo, yndyra mund të kontribuojë, kështu që dhjami nuk është krejt i pafajshëm. Shtimi i peshës mund të çojë në rritjen e qelizave dhjamore midis fijeve fibroze, duke bërë që lëkura të evidentohet me ato gropëzat e celulitit.

A mund të parandalohet celuliti?

Jo. Hormonet dhe gjenetika janë ndër shumë faktorë të tjerë që kontribuojnë në shfaqjen e celulitit, dhe janë totalisht jashtë kontrollit tuaj. Pra në të vërtetë nuk mund të bëni gjë për të ndaluar zhvillimin e celulitit.

A mund ta minimizojmë celulitin me ushqimet e duhura dhe stërvitje rregullisht?

Të dyja janë padyshim ide të mira, por pavarësisht kësaj nuk do ta zhdukni celulitin. Një dietë e ekuilibruar mund të ndihmojë në uljen e madhësisë së qelizave yndyrore dhe muskujt e tonifikuar mund të ndihmojnë lëkurën të duket më e butë dhe më e fortë, por asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë me fijet indore fibroze të cilat shkaktojnë gropat në lëkurë.

Nëse po konsumoni produkte me lëndë ushqyese dhe po stërviteni rregullisht me qëllim për të humbur peshë, është pothuajse e njëjta ‘marrëveshje’: Humbja e peshës mund të ndihmojë në zvogëlimin e pamjes së celulitit përmes uljes së madhësisë së qelizave yndyrore, por celuliti nuk do të zhduket tërësisht. Por nga ana tjetër edhe dobësimi i tepërt në një trup të shëndoshë mund të çojë në varje të lëkurës, e cila në fakt mund ta bëjë celulitin të duket akoma më keq.

A mund të përmirësohet pamja e celulitit në kushte shtëpie?

Po, është e mundur, por nëse pyet për përgjithmonë…akoma. Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, kremrat dhe locionet me përbërës si kafeina dhe retinoli mund të ndihmojnë, por ato kërkojnë përdorim të përditshëm - dhe rezultatet e tyre janë vetëm të përkohshme.

Efektet e masazhit janë po aq kalimtare. Një studim zbuloi se pas tre llojeve të masazheve, pamja e celulitit u zvogëlua. Por nuk specifikoi se sa zgjati ai efekt dhe gjithsesi, një masazh drenazhi limfatik ditor nuk është gjithmonë i lehtë për t’u pasur në krye të listës së gjërave për t’u bërë. Ndërsa sa i përket përdorimit të pajisjeve prej gome, Këshilli Amerikan i Ushtrimeve e ka hedhur poshtë si metodë.

A mund të shpëtohet përgjithmonë nga celuliti?

Përgjithmonë është si shumë për të kërkuar, por ka trajtime të caktuara që mund të zhdukin celulitin për vite me rradhë. Në klinika ka procedura të caktuara, si trajtimi me lazer, pasi energjia e lazerit përdoret për të shkatërruar fijet fibroze, ndërhyrja me shiringë ndihmon në prishjen e këtyre fijeve, ka metoda me vakum dhe injeksione të tjera. Këto metoda ofrojnë rezultate afatgjata prej gjashtë muajsh deri në disa vite. Por janë të kushueshme dhe invazive, që do të thotë se mund të përjetoni shqetësime dhe të prisni kohën e shërimit.

Por në fund ka dhe një lajm të mirë: Janë disa mënyra më pak invazive për të trajtuar celulitin të cilat janë më efektive po ashtu edhe me rezultat të njëjtë në afat kohor. Kërkohen zakone të shëndetshme, si konsumimi i frutave dhe perimeve, dhe ecja e përditshme. Celuliti do të jetë sërish aty, por thjesht mund të keni përmirësime dhe më e rëndësishmja: Të ndiheni më mirë me të.

*TZR/Tiranapost.al.