Shëndeti

Kafeja të bën më të lumtur, por vetëm nëse ndjek këto rregulla

Kafeja të bën më të lumtur, por vetëm nëse ndjek

Sipas hulumtimeve të reja, pirja e tre ose katër filxhanëve kafe gjatë ditës përmirëson humorin tuaj dhe ndihmon në përballimin e depresionit apo trishtimit dimëror.

Hulumtimi ishte kërkuar nga Instituti i Informacionit Shkencor për Kafe (ISIC). Studiuesit anketuan 5000 të rritur nga Finlanda, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Polonia. Studimi zbuloi se stili i jetesës dhe zgjedhjet dietike mund të kenë një ndikim të konsiderueshëm tek humori, veçanërisht gjatë periudhës së ftohtë të dimrit.

Studimi zbuloi se gati një e treta e të rriturve përjetojnë një ndjenjë të përgjithshme trishtimi kur dita zvogëlohet. Po siç duket edhe kjo e ka një zgjidhje. Konsumimi i rreth 75 mg kafeinë - ekuivalenti i një filxhani kafe - çdo katër orë mund të çojë në një përmirësim të dukshëm të humorit.

20% e njerëzve të intervistuar nga ISIC thanë se ndiheshin më të qetë pasi kishin pirë një filxhan kafe. 29% thanë se ndiheshin më energjikë, ndërsa 21% thanë se kishin më pak vështirësi në përqendrim. Pra rreth 70% patën reagime pozitive.

Si ndikon kafeja në tru?

Giuseppe Grosso, një nga studiuesit që drejtonte këtë studim, shpjegoi konkretisht se si kafeja ndikon në tru.

Ka prova që tregojnë se mikronutrientët në kafe mund të kalojnë nga gjaku në tru, duke ndihmuar reagimin neuroinflamator të trupit dhe formimin e neuroneve të reja në tru.

“Polifenolet në kafe mund të kapërcejnë barrierën gjak-tru dhe të ushtrojnë efekte anti-neuroinflamatore”, tha Grosso. "Madje mund të nxisin neurogjenezën, duke çuar në një rrezik të reduktuar të shqetësimeve kognitive dhe emocionale".

Një studim i mëtejshëm, i kryer nga Shkolla e Shëndetit Publik të Harvardit, zbuloi se ata që pijnë kafe zakonisht rrezikojnë më pak të kenë sëmundje depresive. Kafeina vepron në sistemin nervor, duke stimuluar prodhimin e serotoninës, noradreanalinës dhe dopaminës.

Studimi zbuloi gjithashtu se rreziku i vetëvrasjes është 45% më i ulët tek ata që pijnë 2-3 filxhanë kafe në ditë dhe 53% tek ata që pinë 4 ose më shumë filxhanë. Nga ana tjetër, nuk u gjet asnjë lidhje mes kafesë që nuk përmban kafeinë dhe rrezikut të vetëvrasjes. Kjo shpjegon sesi kafeina është një komponent kyç që lejon përmirësimin e vërtetë të humorit.

Sidoqoftë, duhet të mbahet mend se kafeina është një drogë dhe e marrë më shumë seç duhet mund të jetë vdekjeprurëse, kështu që duhet t'i kushtoni vëmendje edhe efekteve anësore.