Shëndeti

Intervista / Virologu gjerman Kristian Drosten: Frika ime mbi atë që mund të ndodhë me pandeminë në pranverë dhe verë

Intervista / Virologu gjerman Kristian Drosten: Frika ime mbi atë që

Në një intervistë për “Der Spiegel”, virologu gjerman Kristian Drosten, që është këshilltari kryesor i qeverisë gjermane për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, analizon gabimet që janë bërë në të shkuarën, dhe flet mbi rreziqet që ka rezervuar për ne Covid-19.

Profesor Drosten, pandemia ka hyrë në një fazë vendimtare. Fillimi i fushatës së vaksinimit, nënkupton një dritë në fund të tunelit, por tani janë shfaqur variante më infektive të virusit. Sa e rrezikshme është situata në Gjermani për momentin?

Po e monitoroj nga afër situatën. Edhe politikanët janë shumë të vetëdijshëm, se duhet të jemi tepër të kujdesshëm. Në fillim kisha dyshimet e mia nëse B.1.1.7, varianti i ri i koronavirusit nga Britania, ishte më infektiv. Por tani ka një studim të ri nga Universiteti i Oksfordit, që tregon se ky mutacion është deri në 35 për qind më infektiv.

Është shumë e habitshme që virusi e ka rritur infektivitetin e tij në atë shkallë. Ky zhvillim është fatkeqësisht më i rrezikshëm se sa po të ishte bërë më vdekjeprurës. Pasi çdo rast i ri do të infektojë më shumë njerëz, dhe secili prej tyre do të infektojë më shumë të tjerë. Kështu numri i rasteve të reja rritet në një mënyrë eksponenciale.

Ju e keni ilustruar me një imazh situatën tonë aktuale:Ne jemi në një kamion që lëkundet vazhdimisht dhe po ecën poshtë një mali të pjerrët …

Por dhe ne nuk e dimë se çfarë kthesash po na afrohen, dhe nëse rruga papritmas do të bëhet më e pjerrët. Gjithashtu nuk e dimë sesa larg duhet të shkojmë, por e dimë që duhet të shmangim humbjen e fushëpamjes. Në një situatë si kjo, mbyllja e syve nuk tëndihmon. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë një gjë në veçanti:të shtypim më maksimum frenat, edhe nëse ato mund të jenë të ndryshkura.

Duhet të ulim numrin R, të normës së infektimit të të tjerëve nga një i sëmurë. Ky numër është aktualisht 0.9. Është shumë mirë që më në fund kemi arritur t`a ulim poshtë 1, në mënyrë që numri i rasteve të nisë të bjerë. Por 0.9 nuk mjafton nëse duam të lirojmë shpejt “frenat”.

Ne duhet të përpiqemi, përmes një intensifikimi të mbylljes, që t`a ulim R-në në 0.7. Pastaj, rastet e reja do përgjysmohen brenda një jave, dhe mund të arrijmë në një pikë ku të mund të ndalojmë përhapjen e variantit B.1.1.7, ose të paktën t’i japim vetes një shans.

A mendoni se e ashtuquajtura strategji e “Zero-Covid”, pra shkuarja drejt zero raste të reja, është mënyra e duhur për të ecur përpara?

Mendoj se kjo do të ishte e mundur me një përpjekje shumë të madhe. Natyrisht, virusi do të vazhdojë të shpërthejë, ashtu siç kemi parë në Kinë dhe Australi. Por do t’ia vlente të synohej ai objektiv, pavarësisht sesa arrihet. Unë jam shumë i shqetësuar për atë që mund të ndodhë në pranverë dhe verë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Sapo të vaksinohen të moshuarit dhe ndoshta një pjesë e grupeve që janë më në rrezik, do të ketë presion të madh ekonomik, social, politik, dhe mbase edhe ligjor për t’i dhënë fund masave anti-Covid. Dhe më pas, një numër i madh njerëzish do të infektohen brenda një kohe të shkurtër, më shumë sesa ne mund t`a imagjinojmë për momentin.

Dhe nuk do të kemi 20.000 apo 30.000 raste të reja në ditë, por deri në 100.000 në skenarin më të keq. Sigurisht, do të jenë kryesisht njerëz të rinj, që kanë më pak të ngjarë se të moshuarit që të shfaqin simptoma të rënda.

Por kur infektohen një numër i madh të rinjsh, atëherë njësitë e kujdesit intensiv do të mbi popullohen, dhe shumë njerëz do të vdesin. Vetëm se do të jenë më të rinj në moshë. Ne mund t`a zbusim disi këtë skenar të tmerrshëm, duke ulur disi shifrat që sot.

A mund të jemi të sigurt se numri i rasteve do të fillojë të bjerë në pranverë pasi të rriten temperaturat?

Nuk e mendoj kështu. Fakti që patëm një verë aq të relaksuar në vitin 2020, ka të ngjarë të ketë të bëjë me faktin që numri i rasteve në Gjermani, mbeti nën pragun kritik në pranverë. Por nuk është më kështu. Kam frikë se do të jetë më shumë si në Spanjë, ku rastet u rritën sërish pasi u hoq bllokimi, edhe pse moti ishte mjaft i nxehtë.

Cili nga variantet e reja të Covid-19 besoni se është më i rrezikshëm?

Në një popullsi që nuk është ende imune, si këtu në Gjermani, varianti nga Britania ka të ngjarë të ketë sukses në përhapje, pasi është më infektiv.

Çfarëdo të thotë kjo për vaksinat?

Një nga mutacionet në variantet e Brazilit dhe Afrikës së Jugut, ka treguar tashmë një shmangie serioze imune…

A do të thotë kjo që vaksinat do të jenë joefektive?

Antitrupat janë vetëm një përbërës i mbrojtjes imune, një element tjetër është imuniteti i qelizave T. Ai e mbron njeriun shumë më fort kundër progresit serioz të sëmundjes. Nëse virusi ndryshon, ai nuk ka efekt në imunitetin e qelizave T. Si i tillë, nuk mendoj se duhet të kemi frikë se vaksinat tona do të jenë joefektive.

Kur mendoni se mund të mbarojë pandemia?

Unë mendoj se në një moment, në mesin e vjeshtës efektet e vaksinimeve do të fillojnë të bëhen të dukshme. Kështu do të infektohen shumë më pak njerëz. Por që të ndodhë kjo, duhet të mos ngjasë asgjë tërësisht e paparashikueshme.

Marrë me shkurtime nga Der Spiegel

*Marrê nga Bota.al