Shëndeti

Çfarë është Tinnitus dhe përkeqësimi që i shkakton Covid

Çfarë është Tinnitus dhe përkeqësimi që i

Studimet e shumta që po kryhen për koronavirusin nxjerrin efekte të reja që shkakton ky virus tek njerëzit gjatë apo pas infektimit. Sipas ekspertëve britanikë, pothuajse gjysma e të prekurve nga Tinnitus raportojnë se pas infektimit me Covid gjendja e tyre është përkeqësuar.

Tinnitus –njihet ndryshe si simptoma e zhurmës së veshëve dhe të prekurit nga virusi thonë se kanë vështirësi në të dëgjuar dhe zhurmat në veshë u janë shtuar pasi kanë zbuluar se janë infektuar.

Ky lloj problemi që prek afërsisht një në tetë njerëz i bën ata të dëgjojnë zhurma konstante, të tilla si gumëzhtje, fishkëllima apo tinguj të fortë.

Disa njerëz që u morën në studimin e udhëhequr nga Universiteti Ruskin thonë se nuk e kishin këtë problem, por u shfaq pas infektimit me koronavirus.

Nuk ka prova që Tinnitus shkaktohet nga një sëmundje e mirëfilltë, por sipas ekspertëve prek më shumë persona me mirëqenie të dobët emocionale, persona me depresion dhe ata që përjetojnë ankth.

Ndryshimet e stilit të jetës si rezultat i pandemisë, duke përfshirë më shumë përdorim të teknologjisë dhe zhurmave në ambiente të mbyllura si shtëpia patën një ndikim negativ tek të prekurit me Tinnitus.

Audiologët kanë qenë ata që kanë thënë se koronavirusi mund të shkaktojë dëmtime qelizore në vesh dhe një shkak i zakonshëm i zhrumës është dëmtimi i qelizave edhe të veshit të brendshëm.

Shqetësime të tilla si frika e infektimit me Covid-19, shqetësimet financiare, vetmia dhe problemet e gjumit kanë kontribuar që Tinnitus të bëhet më shqetësuese për 32 % të njerëzve në përgjithësi.

*Artikulli i marrë nga Daily Mail, përkthyer dhe përshtatur nga Tiranapost.al.