Epidemia e gripit në rritje! Ministrja Koçiu: Vaksinimi, mënyra më efikase për parandaluar komplikacionet

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu zhvilloi sot një mbledhje me strukturat e shëndetësisë për masat kundër epidemisë së gripit që ka përfshirë vendin. Aktualisht, Shqipëria ka rreth 14,000 raste javore të infeksioneve respiratore të sipërme dhe 5,700 të infeksioneve të poshtme. Nga java e dytë e janarit, numri i rasteve është rritur me 2,300, dhe pritet një shtim i mëtejshëm i tyre në fund të janarit dhe fillim të shkurtit.
Përveç gripit, në vend po qarkullojnë edhe Covid-19 dhe virusi RSV
Në një postim në Facebook, ministrja Koçiu theksoi se vaksinimi mbetet mënyra më efikase për të parandaluar komplikacionet nga gripi. Sipas saj strukturat shëndetësore janë në gatishmëri për monitorimin e situatës aktuale të gripit në vend dhe vaksinimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.
“Nisur nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend, u mblodhëm sot me drejtuesit e strukturave shëndetësore, ku u përqendruam në raportimin mbi masat që po zbatohen për të përballuar situatën e gripit dhe për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Vaksinimi mbetet mënyra më efikase për të parandaluar komplikacionet nga gripi. Strukturat shëndetësore janë në gatishmëri duke kryer: Monitorimin e situatës aktuale të gripit në vend; Vijimin e vaksinimit falas kundër gripit për grupet e rrezikuara; Ndërgjegjësimin e qytetarëve për ndjekjen e rekomandimeve për minimizimin e transmetimit dhe parandalimin e virozave të stinës; Përforcimin e survejancës për infeksionet respiratore në mbrojtje të shëndetit publik. Parandalimi fillon me një veprim të thjeshtë: vaksinimin. Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj! #ZgjidhJetënVaksinohu”, shkruan Koçiu.