Shëndeti

Aspirina po testohet si ilaç kundra Covid-19! Shkencëtarët tregojnë arsyen

Aspirina po testohet si ilaç kundra Covid-19! Shkencëtarët

Aspirina, ilaçi që përdoret kundër dhimbjeve dhe si hollues i gjakut, do të vlerësohet si një trajtim i mundshëm kundër COVID-19 në Britani. Ajo do të vlerësohet nëse mund të zvogëlojë rrezikun e mpiksjes së gjakut tek njerëzit e infektuar.

Shkencëtarët që qëndrojnë pas studimit ‘RECOVERY’, i cili po shqyrton një sërë trajtimesh të mundshme për COVID-19, thanë se do të përfshinte ilaçin, i cili zakonisht përdoret si hollues i gjakut.

“Ekziston një arsyetim i qartë për të besuar se Aspirina mund të jetë e dobishme dhe është e sigurt, e lirë dhe e disponueshme gjerësisht”, tha Peter Horby, bashkëkryetari i studimit.

Pacientët e infektuar me koronavirus rrezikojnë më shumë nga mpiksja e gjakut për shkak të trombociteve hiper-reaktive, që ndihmojnë në ndalimin e gjakderdhjes. Aspirina është një agjent antirombocitar dhe mund të zvogëlojë rrezikun e mpiksjes, tha të premten faqja në internet e këtij studimi.

Të paktën 2,000 pacientë pritet t’i nënshtrohen provës me 150mg Aspirina çdo ditë. Të dhënat nga ata pacientë do të krahasohen me të paktën 2,000 pacientë të tjerë që marrin ilaçet standarde.

Trajtime të tjera që po testohen në Britani përfshijnë Azitromicinën dhe një koktej të antitrupave Regeneron, që u përdor për të trajtuar simptomat e Donald Trump të Covid-19./ Burimi Reuters