Shëndeti

7 ushqime të shëndetshme më të cilat nuk duhet tepruar pasi shkaktojnë probleme në organizëm

7 ushqime të shëndetshme më të cilat nuk duhet tepruar pasi

Termi “superushqim” u përdor për herë të parë për të promovuar bananen në fillim të shekullit të XX. Sot përdoret për çdo gjë që ka vlera të larta ushqyese dhe përfitime shëndetësore pa e tepruar me kaloritë.

Megjithatë edhe superushqimet mund të shkaktojnë probleme nëse e tepron me to. Siç i thonë fjalës: Gjella me kripë dhe kripa me karar.

Brokoli mund të irritojë zorrët

I pasur me fibra, proteina, vitaminë C, kalium dhe vitamina e minerale të tjera. Sidoqoftë, studimet kanë zbuluar se konsumimi i tepërt i brokolit dhe perimeve të tjera si lakër, lulelakër dhe lakra e Brukselit mund të shkaktojë acarim të zorrëve dhe gazra.

Mund të shkaktojë edhe probleme më serioze personave që marrin ilaçe për hollimin e gjakut.

Salmoni mund të hollojë gjakun

Salmoni është një burim i mirë i proteinave dhe acideve yndyrore që janë të mira për zvogëlimin e inflamacionit. Megjithatë konsumimi i tepërt i omega-3 mund të ketë një efekt negativ në numrin e trombociteve të gjakut dhe madje mund të hollojë gjakun. Për më tepër, studimet kanë zbuluar se ngrënia e tepërt e peshkut, përfshirë salmonin, mund të rrisë nivelet e mërkurit në gjak.

Kanella mund të të helmojë

Kanella konsiderohet si një superushqim për shkak të përmbajtjes së lartë të vetive antioksiduese dhe shumë vetive të tjera medicinale. E aftë të ulë nivelet e sheqerit në gjak dhe të parandalojë sëmundjet e zemrës.

Pavarësisht nga të gjitha përfitimet e saj shëndetësore, sasia e kanellës që ne konsumojmë duhet të monitorohet. Jo më shumë se një lugë çaji në ditë për të rriturit. Hulumtimet kanë zbuluar se kanella në sasi të mëdha mund të jetë toksike për shkak të kumarinës që përmban. Kumarina është veçanërisht e rrezikshme për njerëzit me probleme të mëlçisë dhe mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë.

Avokado

Avokado ka fituar popullaritet global si një superushqim vitet e fundit për shkak të vetive të larta ushqyese. Një racion i vetëm avokado plotëson një të katërtën e kërkesës për një të rritur me vitaminë K, një të pestën e kërkesës sonë për folate dhe një të dhjetën e nevojave ditore për vitaminën E. Fruti yndyror është gjithashtu i pasur me omega-3 dhe fibra, por shumë avokado gjithashtu mund të çojë në fryrje të stomakut.

Për shkak të vetive të tyre yndyrore, avokadot nuk janë vetëm të pasura me lëndë ushqyese, por ato kanë një numër të lartë kalorish. Si çdo kalori tjetër, edhe shumë prej tyre mund të çojnë në shtim në peshë. Nëse planifikoni të përfshini avokado në planin tuaj të përditshëm të vaktit, ekspertët rekomandojnë të hani 50 gram ose rreth një të tretën deri në gjysmën e avokados. Kaq, jo më shumë.

Humusi mund të çojë në mbipeshë

Humusi është përbërë nga qiqra, susam, limon, hudhër dhe vaj ulliri. Të gjithë përbërësit përmbajnë një larmi përfitimesh shëndetësore veçmas; Por kur kombinohen, ato prodhojnë një superushqim të mbushur me proteina. Humusi jo vetëm që është i përshtatshëm për veganët dhe ata me alergji ndaj arrave, glutenit dhe qumështit, por përmirëson tretjen dhe rrit kontrollin e sheqerit në gjak.

Është e rëndësishme të theksohet se përfitimet e humusit gjenden veçanërisht në versionin shtëpiak, pra në atë që gatuani vetë. Shumica e humusit të blerë në dyqan nuk është aq e shëndetshme dhe madje mund të përmbajë përbërës të rrezikshëm, të tilla si sasi të larta natriumi, vajëra të panevojshëm dhe konservantë.

Toni i peshkut mund të prekë aftësitë tuaja sensoro-motore

Është i pasur me omega 3 dhe vitaminë B12. Studimet kanë treguar se ngrënia e tonit është e mirë për zemrën dhe forcon shikimin, sistemin imunitar, ul presionin e gjakut. Ngjashëm me salmonin dhe peshqit e tjerë, toni përmban mërkur, duke e bërë atë një ushqim të rrezikshëm kur konsumohet në sasi të mëdha dhe të shpeshta.

Çaji jeshil mund të shkaktojë dhimbje

Çaji jeshil është etiketuar si një nga pijet më të shëndetshme në botë për shkak të përmbajtjes së tij të lartë të vetive antioksidante. Antioksidantët në çajin jeshil janë zbuluar se ulin rreziqet e kancerit dhe sëmundjeve të zemrës, shkrijnë dhjamin dhe përmirësojnë funksionimin e trurit. Ndërsa ka përfitime të panumërta, sasitë e tepërta të tij mund të shkaktojnë efekte anësore negative, veçanërisht për shkak të përmbajtjes së lartë të kafeinës.

Efektet e konsumimit të tepërt të kafeinës përfshijnë pagjumësinë, dhimbjen e kokës, rrahjet e zemrës dhe urthin. Për ata me një tolerancë të ulët për produktet me kafeinë, çaji jeshil gjithashtu mund të shkaktojë aciditet dhe dispepsi. Sipas ekspertëve, 3 deri në 5 filxhanë çaj jeshil në ditë janë më se të mjaftueshme për një të rritur mesatar.

*Artikulli i Bright Side u përshtat në shqip nga Tiranapost.al